Dy ndeshjet e fundit të Kombëtares në kualifikueset e Botërorit 2026, një 0-0 me Serbinë dhe një 1-1 zhgënjyes në Letoni, na lënë një shije të përzier: pak admirim që serbët nuk fituan, shumë pikëpyetje për zgjedhjet dhe strategjinë tonë. Po e marrim pak me radhë, sepse e vërteta ka shumë shtresa.

NDESHJA ME SERBINË Një barazim pa gola, por me raste sporadike që nuk u konkretizuan. Mbrojtja, e organizuar dhe me disiplinë, ia doli të mos lërë hapësira. Duhej të kishim parë më shumë duele dhe luftë në mesfushë, por jo, të dyja ekipet “luanin topin”. Momentin e kishim ne me atë penallti të humbur, të cilën e “qajmë” sot dhe do ta qajmë për shumë gjatë. A ishte kjo thjesht maksimumi i asaj që mund të japë kjo përfaqësuese? Nëse po, atëherë le ta pranojmë. Nuk është një ekip që u trembet ndeshjeve të mëdha, por i mungon shkëlqimi.

KAPITULLI LETONEZ Na shfaqet një tjetër kapitull i trishtuar. Një gol qesharak në portën tonë, një penallti e panevojshme dhe një numër zgjedhjesh të trajnerit Silvinjo që ngrenë më shumë pyetje sesa përgjigje. Hysaj, një nga më të mirët në sfidën me Serbinë, u la në stol, duke u kthyer në një mister që vetëm trajneri e di se pse. Në të njëjtën kohë, ndryshimet në qendër të mbrojtjes ishin të detyruara, por me paraqitjen e Kumbullës dhe Ismajlit, trajneri ka të drejtë që beson te dyshja Ajeti-Gjimshiti. Në mesfushë, të gjithë e kuptojnë që “vendi” i Laçit nuk mund të mbulohet vetëm nga pasioni dhe vrapi, kërkohet fantazi dhe frymë sulmuese dhe prandaj Muçi apo Bajrami do të kishin qenë zgjedhje të logjikshme. Por jo, duket se ne e duam sfidën në nivele të tjera. Manaj, edhe pse markohej nga një mbrojtës i gjatë si kapiteni i Letonisë, vazhdon të marrë rolin kryesor në sulm, duke lënë Dakun të presë në stol, ndoshta duke menduar që centimetrat janë të mbivlerësuara (kujtoni justifikimin e Silvinjos për mosgrumbullimin e Keidi Bares në ndeshjet kundër Polonisë dhe Çekisë, sepse “na duhet Gjasula për centimetra”).

Në pjesën e dytë në Letoni, duket se masat u morën me vonesë, ndërsa futja në lojë e Muçit dhe Bajramit sollën një frymë të freskët, e cila nuk mjaftoi. Por një pikë që ra në sy, ishte prania e vetëm një sulmuesi në zonë, Manaj, edhe pse për të shënuar duhet të tentosh edhe nga larg dhe të aktivizosh lojtarët e tjerë, si Asani, gjë që në këtë ndeshje mungoi. Superioriteti në zonën kundërshtare, si element themelor për të krijuar gola, u pa vetëm në minutat shtesë, por atëherë ishte tepër vonë. Pak minuta edhe për Dakun dhe Uzunin në fund, të cilët, veçanërisht në sfidën e dytë, do të kishin dhënë më shumë. Tani pritet ndeshja me Letoninë në shtëpi dhe ndryshe nga në fund të ndeshjes së parë, gabimi nuk falet. Shqipëria duhet të rigjejë fantazinë, ritmin dhe shpirtin luftarak për të mos lënë shanse për fitore skuadrave që, ndonëse më të vogla në emër, kërkojnë të marrin maksimumin në shtëpi.

KRISTI SEJATLLARI-

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko