Pas humbjes së dytë të Lulzim Bashës në zgjedhjet e përgjithshme, ky i fundit dhe Partia Demokratike përballen me pikëpyetje të mëdha lidhur me strategjinë e tyre të protestave dhe bojkoteve.

Nga Fjori Sinoruka  

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë më 25 prill i kanë dhënë Partisë Socialiste në pushtet të Edi Ramës një mandat të tretë historik me radhë për të drejtuar vendin.

Ato kanë qenë gjithashtu një eksperiencë e keqe për Partinë Demokratike të qendrës së djathtë, PD.

Kreu i partisë Lulzim Basha, rivali i Ramës në garën për t’u bërë kryeministër, ka folur shumë pak që nga përfundimi i zgjedhjeve. Partia e tij është ende e zënë me përgatitjen e sfidave ligjore për rezultatet e “manipuluara” të këtyre zgjedhjeve.

Të dielën, Partia Demokratike dorëzoi disa dosjet voluminoze me ankesat e tyre në lidhje me zgjedhjet në 9 nga 12 qarqe në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve duke kërkuar një rimbajtje të zgjedhjeve, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim po kërkon të njëjtën gjë në dy qarqe të tjera.

Në një dalje të rrallë pas zgjedhjeve, dy ditë pasi ato u mbajtën, Basha iu drejtua publikut dhe e konsideroi votën “një masakër elektorale”, por shtoi se partia “nuk do të dorëzohet”. Ai nuk foli për pozicionin e tij në parti.

“Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale. Pati dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës. Ata vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë,  përdorën kriminelët dhe bandat,  duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale”, tha ai.

Thirrje për dorëheqje pas një tjetër dështimi

Të pa impresionuar, disidentët e partisë kanë ngritur tashmë zërin e tyre, duke bërë thirrje që Basha të tërhiqet.

Eva Londo, një eksperte e komunikimit e cila ishte autore e një libri mbi marketingun politik në Shqipëri, thotë se partia hyri në zgjedhje me një imazh të dëmtuar për shkak të mënyrës se si ajo ishte sjellë në opozitë në vitet e fundit.

Ajo tha se partia tani ishte në një situatë kaotike, veçanërisht në lidhje me lidershipin e saj.

“Humbja e thellë elektorale tregoi se ajo në asnjë moment nuk arriti të pozicionohej si një alternativë e vërtetë. Pyetja është, a ka ndonjë shans, një mundësi, që ajo të pozicionohet pa Bashkën? Dhe kush mund ta bëjë këtë?” pyeti ajo. “Është një situatë kaotike, ku shkaqet përzihen me interesat personale”, tha Londo për BIRN.

Vetëm një ditë pas rezultatit të zgjedhjeve, dhjetë anëtarë të partisë i kërkuan Bashës të jepte dorëheqjen me anë të një letre të hapur.

“Ne kërkojmë një takim urgjent të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike për të hapur rrugën për fillimin e një procesi radikal reflektimi dhe analize, të domosdoshëm dhe jetësor për partinë – një proces që do të mundësojë zgjedhje të jashtëzakonshme, një garë të drejtë, të hapur dhe struktura të reja qeverisëse për partinë”, thanë ata.

Nënshkruesit përfshinin ish-presidentin shqiptar Bujar Nishani, ish-kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristani dhe ish-zv/ministrin e jashtëm Edit Harxhi.

Brenda kampit të Bashës, vëmendja mbetet e fokusuar në sfidimin e asaj që ata e quajnë “parregullsi zgjedhore”.

Misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, në deklaratën e tij paraprake pas zgjedhjeve, vuri në dukje: “Pretendimet për blerjen e votave nga partitë politike ishin të përhapura gjatë fushatës dhe u hapën një numër i lart hetimesh në këtë drejtim.”

Duke përmendur këto parregullsi, zyrtarë të lartë demokratë thonë se ata do të vazhdojnë t’i denoncojnë ato.

“Partia Demokratike është në fazën e apelimit ligjor dhe po ndjek procedurat dhe proceset kundër procesit të manipuluar zgjedhor”, tha për BIRN Ervin Salianji, një zyrtar i njohur i partisë.

Një tjetër zyrtar i Partisë Demokratike, Edi Paloka, këmbënguli se socialistët shkelën ligjin, duke përdorur burime shtetërore për fushatën e tyre.

“Një grup pune i përbërë nga avokatë dhe specialistë të zgjedhjeve po përgatit të gjitha paditë, provat dhe faktet në lidhje me manipulimin e zgjedhjeve. Ne do të ndjekim të gjithë procedurën ligjore për të përfunduar këtë proces. Pastaj, në varësi të këtij progresi, ne do të marrim vendime politike”, tha Paloka për BIRN.

Taktika të këqija në të kaluarën

Por disa analistë zbulojnë arsyet e humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet në të kaluarën e afërt.

Në vitin 2019, partia u largua nga parlamenti dhe bojkotoi zgjedhjet lokale atë vit, duke lejuar që socialistët në pushtet të merrnin të gjitha bashkitë nën kontrollin e tyre.

Afrim Krasniqi, kreu Institutit Shqiptar për Studime Politike, thotë se ndikimi i rezultatit të zgjedhjeve 2019 ishte më i madh se rezultatet e mëparshme sepse tani ai u ka dhënë socialistëve një mandat të tretë të paprecedent radhazi.

“Një sërë faktorësh kanë luajtur një rol të madh në këtë bilanc negativ, veçanërisht pasojat e vendimit të gabuar të opozitës për të dorëzuar mandatet e tyre parlamentare në shkurt 2019 dhe më pas për të bojkotuar zgjedhjet lokale në 2019”, tha Krasniqi për BIRN.

Ai shtoi se pushteti që akumuluan socialistët duke pasur kontrollin e qeverisë qendrore dhe të asaj vendore ishte një tjetër faktor i rëndësishëm.

Zgjedhjet u “ndikuan nga një parti e vetme që drejton 100 për qind të qeverisë qendrore dhe lokale, por gjithashtu nga strategjitë e gabuara të opozitës në përcaktimin e aleancave të saj, nga lista e kandidatëve të saj dhe nga veprimet e saj zgjedhore”, tha Krasniqi.

Ekspertja e komunikimit Edlira Gjoni tha për BIRN se dështimi për të pranuar humbjen do të ishte i gabuar për partinë dhe vendin.

“Është gjithmonë gabim të mos pranosh. Është gabim për partinë dhe për vendin. Asgjë nuk duhet të vihet në pritje për hir të politikës”, tha ajo për BIRN.

Ndërsa demokratët denoncojnë “blerjen e votës” që ata thonë se vazhdoi para dhe pas zgjedhjeve dhe këmbëngulin se rezultati nuk përfaqëson vullnetin e popullit, Krasniqi shprehu rezervë për këtë strategji.

“Kritika ndaj legjitimitetit të rezultateve të votimit është një qasje afatshkurtër dhe jo një qëndrim që çon në mosnjohjen e tyre”, tha ai.

“Ky proces kërkon përgënjeshtrim të pretendimeve dhe hetim të plotë të tyre, që është e drejta e çdo subjekti zgjedhor”, shtoi ai.

Ai tha gjithashtu se as radikalizimi nuk do të ishte zgjedhja e duhur. “Zërat që mbështesin radikalizimin, daljen nga sistemi ose përsëritjen e gabimeve të vitit 2017 dhe 2019 tregojnë një paaftësi politike për të menduar strategjikisht; ato janë oferta populiste pa përmbajtje dhe tregojnë një refuzim për ta parë Partinë Demokratike… si një forcë demokratike”, tha ai.

Rritje e besimit se bojkotet nuk funksionojnë

Edlira Gjoni tha për BIRN se partia do të vazhdojë të përdorë provat e blerjes së votës dhe ta hapë këtë çështje në parlament, por ajo nuk beson se kjo do të çojë në një tjetër bojkot.

“Partia Demokratike pretendon se ka prova që këto zgjedhje u manipuluan ose se rezultati u ndryshua përmes mjeteve jo aq legjitime dhe krejtësisht të pamoralshme dhe jo etike”, tha ajo, duke iu referuar përdorimit të burimeve publike ose administratës shtetërore, presioneve, spiunimeve, propagandës dhe blerjes së votës përmes mjeteve të sofistikuara të tilla si punësimi afatshkurtër, lëshimi ose mbajtja e dokumentacionit të pronës, etj.

“Ajo mund dhe do t’i përdorë këto prova dhe do ta bëjë atë një çështje qendrore për jetën e tyre të re parlamentare, por nuk besoj se ata do ta bojkotojnë përsëri parlamentin. PD-ja nuk mund ta përballojë një tjetër krizë”, tha Gjoni.

Ajo shtoi se duhen mënyra të reja për të sfiduar Ramën dhe se demokratët duhet të kishin “nxjerrë një mësim” se ata nuk mund t’i fitojnë zgjedhjet me mohim dhe bojkot.

“Ata duhet të gjejnë mënyra të reja krijuese për ta sfiduar atë dhe për t’i bërë presion mbi manipulimin e zgjedhjeve dhe për ta mposhtur Ramën në vetë lojën e tij; me lëvizje strategjike dhe nëpërmjet përdorimit të sofistikuar të një sistemi mbështetës në të gjitha nivelet”, tha ajo për BIRN.

Londo argumenton gjithashtu se mënyra se si demokratët u sollën në opozitë në dy vitet e fundit u ka kushtuar atyre shtrenjtë.

“Kujtesa e shqiptarëve është e ngarkuar me veprime negative politike, bojkot, refuzime, të cilat thjesht e mbajnë peng procesin e zhvillimit në vend”, tha ajo.

SPAK, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka nisur 33 hetime në lidhje me akuzat për krim elektoral që nga përfundimi i zgjedhjeve.

Partia Demokratike hyri në zgjedhje në një koalicion me 12 parti të vogla i quajtur “Aleanca për Ndryshim” dhe nënshkroi një marrëveshje parazgjedhore me Lëvizjen Socialiste për Integrim që ata do të qeverisnin së bashku, në rast se fitonin.

Basha mori drejtimin e Partisë Demokratike pasi ajo humbi zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2013. Ai kishte qenë më parë kryetar i bashkisë së Tiranës dhe një politikan i lartë kur PD-ja ishte në pushtet nga 2008 në 2013.

Pasi kaloi në opozitë në vitin 2013, partia filloi të bashkëpunojë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, LSI, e cila qeverisi me socialistët në mandatin e tyre të parë.

Deputetët demokratë u larguan nga parlamenti në shkurt 2019, së bashku me deputetët e LSI.

Por vendet e tyre të lira u plotësuan shumë shpejt nga kandidatë të tjerë për deputetë në listat e partisë dhe parlamenti vazhdoi të funksiononte me “opozitën e re parlamentare”.

Ndërkohë Basha filloi të drejtojë shumë protesta masive pasi u largua nga parlamenti, në Tiranë dhe qytete të tjera.

Opozita jashtë parlamentit nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale në qershor 2019, duke u dhënë mundësi socialistëve të fitonin të gjitha bashkitë përveç Shkodrës.

Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI-së, e cila fitoi 19 vende në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, por vetëm katër në 2021, së fundmi tha se largimi nga parlamenti kishte qenë një “veprim i gabuar” nga opozita.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re