Federata Angleze e Futbollit po përpiqet të bindë Gareth Southgate që të qëndrojë si trajner i kombëtares, edhe nëse nuk arrijë as këtë herë të sjellë në shtëpi trofeun e Euro 2024, shkruan The Sun.
“Tre Luanët” arritën të siguronin një biletë për në finalen e Berlinit, pasi mposhtën në gjysmëfinale Holandën me rezultatin 2-1.
Të dielën e 14 korrikut, Anglia do të përballet me Spanjën, e nëse Southgate mposht Luis de la Fuenten në Berlin, do të siguronte titullin e parë madhështor në 58 vjet.
Po edhe nëse një gjë e tillë nuk do të mund të ndodhë, Southgate do ta ketë të sigurtë stolin.
Kontrata aktuale e Southgate mbaron në dhjetor të këtij viti, ndërsa marrëveshja e re do ta çonte atë në Kupën e Botës 2026, e cila do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Mësohet se tekniku do të marrë kohën e tij për të marrë një vendim, por kujtojmë që zërat që kërkonin largimin e tij nga kombëtarja e Anglisë ishin të shumtë vetëm pak ditë më parë.
Tifozët ishin gati të frustruar, pasi kombëtarja e tyre, pretendente kryesore para nisjes së kompeticionit nuk po bindte dhe kishte shtuar frikën se do t’i bënin shpejt valixhet gati për në shtëpi, por ja që nuk ndodhi kështu.
Arritje deri në finale, duket se e ka kthyer Southgate jo vetëm në sytë e Federatës, por edhe të tifozëve nga “djall” në “ëngjëll”.