Si do të ishte formacio ni me lojtarët që kanë mbi shpinë më shumë ndeshje në epokën e trajnerit Silvinjo? Elseid Hysaj me 16 ndeshje ruan ende vendin si titullar në të djathtë, edhe pse shpesh ka konkurruar me Ivan Balliun. Pavarësisht luhatjeve të formës, eksperienca dhe komunikimi i Hysajt me pjesën tjetër të prapavijës kanë qenë të rëndësishme.
Ai është lojtari i dytë më i aktivizuar në historinë e kombëtares, pas Lorik Canës – dhe kjo nuk është rastësi. Ismajli ka qenë 14 herë titullar, duke marrë gjithnjë më shumë peshë në prapavijë. Ndërkohë, edhe pse në lojë janë mbrojtës si Kumbulla apo Ajeti që po luan titullar së fundmi, sërish Gjimshiti është aktivizuar 16 herë nga Silvinjo. Në të majtë, Mario Mitaj është pa diskutim zbulimi i qëndrueshëm, me 23 ndeshje, ku 100 % i ka luajtur titullar. I qetë në vendosje, modern në lojë dhe gjithmonë i angazhuar edhe në ndihmë të sulmit. Trajneri ka deklaruar më shumë se një herë se Mitaj përfaqëson “atë që kërkon futbolli europian sot”.
MESFUSHA DHE SULMI- Tre emra, tri profile të ndryshme, por që përbëjnë një trinom mesfushe që ka mbajtur peshën e përballjeve më të forta. Në qendër është padyshim Kristjan Asllani, me 26 ndeshje, askush nuk ka luajtur më shumë se ai nën drejtimin e Silvinjos. Një mesfushor modern, që po rritet ndeshje pas ndeshjeje. Ylber Ramadani, lojtari që nuk bën shumë zhurmë, por që bën punën e vështirë, ka 22 ndeshje, duke qenë për një kohë të gjatë krah Asllanit. Edhe pse në muajt e fundit ka humbur disi terren, Ramadani mbetet një profil besnik i trajnerit, veçanërisht në ndeshje ku duhet të mbrojmë. Në anën tjetër, Qazim Laçi, që ka 20 ndeshje, është shembulli i rikthimit me vlerë.
Fillimisht i aktivizuar pak, ai ka luajtur 8 ndeshjet e fundit si titullar, ku në rolin e mesfushorit të avancuar ka dhënë balancë, ndihmë në presion dhe ka shënuar edhe disa gola. Duke krijuar formacionin me lojtarët që kanë më shumë ndeshje nën drejtimin e Silvinjos, treshja përpara do të formohet nga Jasir Asani, që, po ashtu si Mitaj, i ka luajtur të gjitha ndeshjet titullar. Ndërkohë, nga sulmuesit, edhe pse është harruar disi, Taulant Seferi ka marrë pjesë në 16 ndeshje me Silvinjon, edhe pse nuk ka luajtur si një sulmues qendror, por në krahë. Megjithatë, ai mbetet lojtari sulmues më i aktivizuar nga braziliani.