Familja e Lionel Messi ka bërë të ditur se babai i tij, Jorge Messi, po kalon një periudhë të vështirë shëndetësore dhe ndodhet nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar të enjten, familja konfirmoi se Jorge Messi është duke u rikuperuar dhe se gjendja e tij po përmirësohet, megjithëse nuk u dhanë detaje të mëtejshme mbi problemin shëndetësor me të cilin po përballet.

“Aktualisht, ai është nën mbikëqyrje mjekësore, duke u rikuperuar dhe duke përparuar pozitivisht në gjendjen që paraqet”, thuhet në deklaratë.

Familja kërkoi gjithashtu që të shmangen spekulimet dhe informacionet e pakonfirmuara, duke theksuar nevojën për respektimin e privatësisë në këtë periudhë të ndjeshme.

“Në momente të tilla kërkojmë përgjegjësi, maturi dhe humanizëm. Shëndeti i një personi dhe qetësia shpirtërore e familjes nuk duhet të bëhen objekt spekulimesh”, thuhet më tej në reagim.

Lajmi vjen në një moment kur Lionel Messi po merr pjesë me Argjentinën në FIFA World Cup 2026. Vetëm pak ditë më parë, pas ndeshjes së parë të Argjentinës në turne, ai pranoi se kishte kaluar “disa ditë të vështira dhe të ndërlikuara” për arsye që nuk lidheshin me futbollin.

Megjithatë, kapiteni argjentinas vazhdon të shkëlqejë në fushë. Në debutimin ndaj Algjerisë, Messi realizoi tre gola dhe ndihmoi Argjentinën të niste me fitore mbrojtjen e titullit botëror. Me këtë tregolësh, ai arriti në kuotën e 16 golave në historinë e Kupave të Botës, duke u barazuar me Miroslav Klose si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në turne.

Teksa Argjentina synon një tjetër triumf botëror, vëmendja e tifozëve është përqendruar jo vetëm te paraqitjet e Messit në fushë, por edhe te gjendja shëndetësore e babait të tij, për të cilin familja kërkon qetësi dhe respekt maksimal.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re