Në shkurtin e një viti më parë, në Korçë u shënua një krim i rëndë. Dy prindër të moshuar u vunë nën akuzë për pjesëmarrje në vrasjen e djalit të tyre. Në fakt, gjithçka kishte nisur pasi djali kishte tentuar ta vriste të atin, por duke qenë në gjendje të dehur nuk ia kishte arritur, e i ati, në moshë të thyer, e goditi të birin me një çekiç që kishte në dorë, duke i marrë jetën.

Më pas burrë e grua, u përpoqën ta fshihnin ngjarjen duke e fshehur pas një rrëzimi të djalit të tyre në shkallët e banesës, por ekspertiza zbuloi se plaga që i kishte sjellë vdekjen ishte shkaktuar me mjet të fortë. Policia u rikthye në vendin e ngjarjes dhe mori si autor të atin e moshuar!

Nisja e gjyqit

Prokuroria e Korçës, mbylli hetimet dhe dërgoi në gjyq Shefki Bylykbashin, i akuzuar për vrasjen me çekiç të djalit të tij, ndërsa bashkëshortja u dërgua në gjyq për deklarata të rreme para policisë gjyqësore. Vrasja ndodhi më 17 shkurt të vitit 2023, rreth orës 16:00 të pasdites.

Edhe pse 50- vjeçari ishte dërguar në spital, me plagë të rënda në kokë, nuk mundi të mbijetojë. Viktima, Hamdi Bylykbashi, ishte i divorcuar nga bashkëshortja, jetonte jashtë shtetit, ndërsa kishte disa muaj që ishte kthyer nga Franca dhe jetonte me 2 prindërit.

Ai konsumonte alkool çdo ditë, ndërsa ditën e ngjarjes rezulton se ishte konfliktuar me babanë duke tentuar ta shtyjë në pus, ndërsa ky i fundit i është kthyer duke e goditur me çekiç. “Në rastin konkret, autori me dashje dhe me vullnet të plotë si dhe me qëllimin për ta vrarë, ka goditur djalin e tij në kokë, disa herë. Ai ka marrë dhe ka përdorur çekiç gurësh dhe dru zjarri si armë të krimit dhe pasi i ka dhënë goditjet fatale të birit, është përpjekur ta mbulojë krimin si vetëdëmtim të viktimës, duke përforcuar idenë që veprimet e tij në drejtim të vrasjes të të birit kanë qenë të vullnetshme dhe të qëllimta për të sjellë pasojën e dëshiruar, humbjen e jetës të të birit” informoi prokuroria e Korçës.

Babai i viktimës, Shefki Bylykbashi u arrestua në atë kohë nga policia, si i dyshuari kryesor për ngjarjen e rëndë. Fillimisht familjarët e tij kanë deklaruar se 50- vjeçari, duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar aksidentalisht në banesën e tij dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë, deklarata që i kushtuan nënës së viktimës, pasi edhe ajo u mor në hetim.

Ajo u tha hetuesve se ka qenë me bashkëshortin në banesë kur ka dëgjuar zhurmën e derës së oborrit, çka nuk rezultoi e vërtetë. Prokuroria thotë se autori me dashje ka goditur djalin e tij në kokë, disa herë dhe më pas është përpjekur ta mbulojë krimin si vetëdëmtim të viktimës. I moshuari 78 vjeçar akuzohet për “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i K.Penal.

Ndërsa gruaja e tij akuzohet për kryerjen e veprës penale “Deklaratat e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, parashikuar nga neni 305/b i Kodit Penal, informoi prokuroria e Korçës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re