Taulant Balla priti në takim, një prej tifozëve më të njohur të ekipit kombëtar të Shqipërisë, Besmir Limani.

 

Ai tha se të gjithë sportdashësit e tifozët duhet ta mbështesin ekipin, dhe të mos bëhen shkas për dënime të fushës në Tiranë. Ky shqetësim vjen pas ndeshjes së kaluar, ku u hodhën mjete piroteknike në fushë, të cilat nëse përsëriten, rrezikojnë që të dënohet fusha nga drejtuesit e UEFA-s.

 

Ministri Balla tha me këtë rast se “duhet ta mbështesim ekipin kombëtar, dhe meqë ti je ndër tifozët më të zjarrtë e më prezentë, besoj që duhet t’u bëjmë një thirrje tifozëve që të sillen realisht si “lojtar i 12”. Nuk duhet të bëjnë asnjë dëm, qoftë hedhje të flakadanëve dhe gjithçka tjetër në fushë, sepse na dëmton për ndeshjen e fundit në grup me Ishujt Faroe. Pra duhet që kësaj radhe, gjithçka të shkojë fjollë!”

 

Në një postim në Facebook lidhur me këtë takim, Balla shkruan:

 

“Kënaqësi të mirëpres sot tifozin-shqiponjë Besmir Limani, i cili e ka shoqëruar kombëtaren tonë kuq e zi kudo. Besmiri i cili jeton prej shumë vitesh në Zvicër, depozitoi edhe kërkesën për tu pajisur me pasaportë shqiptare”.

 

Ministri i premtoi shtetasit shqiptar me banim në Zvicrës, se kërkesa e tij për shtetësi dhe pasaportë shqiptare do të shqyrtohet në bazë të parashikimeve ligjore, duke i dhënë edhe prioritetin e duhur në këtë rast, sipas kushteve të programeve të veçanta të shtetësisë.

 

Balla uroi që ndeshja e sotme të jetë një festë për të gjithë, duke shënuar një hap më tej drejt kualifikimit për ekipin tonë kombëtar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re