Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet edhe një herë të kyçen në procesin e vendimmarrjes në BE dhe sa më shpejt të përgatiten për anëtarësim në Union, sepse në të kundërtën do të mund të dështojnë nën ndikim të shteteve tjera, vlerësoi raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Dejvid Mekalister.

Në një intervistën për gazetën gjermane “Velt”, Mekalister thotë se të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të pranohet në BE, kur do t’i plotësojnë kushtet juridike, ekonomike dhe politike për anëtarësim.

“Në interes të BE-së është që të ketë marrëdhënie të mira me vendet e Ballkanit Perëndimor ose jostabiliteti i rajonit do ta rrezikojë pjesën tjetër të mbetur të kontinentit tonë”, theksoi Mekalister.

Sipas tij, vendet e rajonit kanë perspektivë afatgjate për anëtarësim në Union, që është konfirmuar edhe me strategjinë e re të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Ai thekson se edhe pse disa shtete të Ballkanit Perëndimor janë akoma larg nga anëtarësimi i mundshëm në BE, megjithatë kjo nuk duhet të jetë shkak për tërheqje të Unionit nga Ballkani, sepse nëse ajo e bën këtë, vendin e saj mund ta marrin disa të tjera të cilat janë pjesërisht të pranishme në rajon. “Ballkani është bërë qendër e interesave gjeostrategjike, Tashmë me vite shohim aktivitete të rritura të Turqisë, Rusisë, Kinës dhe vendeve të Gadishullit Persian. Interesat janë të ndryshme, por në fund gjithmonë punohet për përhapje në sferën e ndikimit”, shtoi Mekalister.

Ai thekson se Rusia tashmë është e pranishme me media në disa vende të rajonit dhe përpiqet ta rrisë ndikimin e saj përmes fushatës së dezinformatave, që është shkak për shqetësim në BE.

Për këtë, sipas tij Unioni duhet t’i inkurajojë vendet e rajonit përmes anëtarësimit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re