Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka zbuluar se ndër çështjet që kanë diskutuar ka qenë dhe një kërkesë drejtuar Kuvendit për një interpelancë me kryeministrin Edi Rama.

Interpelancën, Bardhi thotë se e kërkojnë “lidhur me skandalin e emërimin prej tij të një ish-agjenti të shërbimeve sekrete rumune, që sipas hetimeve ndërkombëtare, rezulton të jetë pika lidhëse mes klaneve ndërshtetërore të trafikut të lëndëve narkotike, si këshilltar i jashtëm i kryeministrit”.

Ai gjithashtu bën me dije se do të kërkojë dhe një mocion me debat lidhur me rastin e abuzimit me fondet e BE-së për bujqësinë.

Bardhi shtoi se Kuvendi duhet të miratojë një rezolutë për dënimin e skemës së abuzimit me këto fonde, ndërsa shtoi se nevojitet dhe ngritja e një komisioni të posaçëm për zhbllokimin e fondeve IPARD3.

“Çështja e dytë që kemi trajtuar është një kërkesë për interpelancë urgjente me kryeministri Rama lidhur me skandalin e emërimin prej tij të një ish-agjenti apo agjenti të shërbimeve sekrete rumune, që sipas hetimeve ndërkombëtare, rezulton të jetë pika lidhëse mes klaneve ndërshtetërore të trafikut të lëndëve narkotike,  si këshilltar i jashtëm i kryeministrisë.

Së pari një agjent i huaj nuk mund të jetë i emëruar si këshilltar, dhe aq më tepër i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës Rumani-Shqipëri-Meksikë. Duhet që kryeministri t’u japë përgjigje shqetësimeve që e kanë vënë në rrezik sigurinë.

Do të kërkojmë një mocion me debat raportit të zyrës së OLAF të KE mbi abuzimin me fondet e BE. Kuvendi duhet të miratojë një rezolutë për dënimin e skemës kriminale të ngritur nga ministria e bujqësisë dhe agjencive të varësi të ramës për grabitjen e fondeve që BE i ka dedikuar për bujqit.

Kuvendi duhet të ngrejë një komision të posaçëm që pasi verifikon skemat të miratojë një set të mekanizmave mbrojtjes për zhbllokimin e fondeve të IPARD 3”, tha Bardhi.

 

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re