Kryetari i opozitës, Lulzim Basha tha sot pas një takimi me aleatët
se nuk mjafton vetëm largimi një orë e më parë i Edi Ramës, por edhe
hedhja e hapave të tjerë të fortë pasi vendi dhe qytetarët janë në një
situatë mjaft të rëndë dhe të tmerrshme.

Basha tha se opozita është gati të ofrojë një platformë kombëtare për
daljen e vendit nga kriza. Kjo platformë sipas tij do të bëhet publike
në javët e ardhshme.

Kreu i PD foli edhe për protestat, por tha se një datë do të jepet në të ardhmen.

I pyetur nëse PD dhe aleatët kanë diskutuar një datë për rikthimin e
protestave, Basha tha: “Pa diskutim që po, por opozita është shumë më
shumë se një grup që organizon protesta, është alternativa, qeverisja e
së nesërmes. Një gjë ju garantoj sikundër dhe më parë, sapo të kemi një
datë për protestë do e shpallim”.

Më tej ai foli për situatën aktuale në vend: “Ndodhemi para një
momenti kyç, jo vetëm për atë që ka ndodhur por edhe atë që pritet të
ndodhë. Në më pak se një muaj e gjysmë KiE do të gjykojë përsëri nëse do
t’i hapë apo jo negociatat me Shqipërinë”, – tha Basha.

Sipas tij, të gjithë e kanë kuptuar që kjo ishte një gënjeshtër nuk
janë hapur dhe negociatat nuk kanë shans të hapen me një Shqipëri që nuk
bën dot zgjedhje të lira e të ndershme.

Prandaj, – shtoi ai, – ky është momenti që secili të marrë përgjegjësitë e veta.

“Ne si opozitë jemi gati të ofrojmë dhe një platformë kombëtare për
hapat që duhen të hidhen për daljen e vendit nga kriza sepse gjendja
është kaq e rëndë dhe pasojat e kësaj gjendjeje janë kaq të tmerrshme
mbi njerëzit sa largimi i Ramës një orë e më parë nuk mjafton” – njoftoi
Basha dhe evidentoi dy kushtet për kryeministrin dhe kreun socialist:

“Duhet të kemi hapa të vendosur transformues për vendin. Ndryshime të thella politike dhe ndryshime të thella zgjedhore”.

Duke u ndalur te plani për një reformë të thellë zgjedhore, Basha foli për “ndryshime të thella sa i përket shtetit të së drejtës ku t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin dhe të mos varrosen çështje të rëndësishme si ajo nr 184, apo siç është çështja 339, por të shkojnë para drejtësisë të gjithë ata që kanë cenuar vullnetin e shqiptarëve sepse është për shkak të tyre, këtij recidivizmi që Shqipëria ka ardhur në këtë moment shumë delikat siç konstaton dhe raporti i OSBE-ODIHR”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re