Politologu i mirënjohur amerikan, Xhon J. Mershaimer, që me studimet e tij më të reja mbi kombin e nacionalizmin, e përligj qasjen nacionaliste kur shkruan: “Nacionalizmi, që është tërësisht vetëvendosje, thotë se njerëzit që jetojnë brenda kufijve shtetërorë kanë të drejtën të vendosin për fatin e tyre dhe asnjë fuqi e jashtme nuk ka të të drejtën të imponojë pikëpamjet e saj mbi një shtet kombëtar”.

Shkruan: Abdi Baleta

Pas votimeve të 14 shkurtit 2021 në Kosovë është hedhur një hap i rëndësishëm në trajtimin e çështjes kombëtare shqiptare dhe në hapjen e perspektivave të reja për përmbushjen e një bashkimi të tillë. Qëndrimet dhe deklaratat publike të kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti, e kanë nxjerrë temën e bashkimit kombëtar shqiptar nga trajtimi i mëparshëm vetëm në kuadër të mendimit politik e të propagandës dhe e kanë kthyer në pjesë përbërëse të platformës së qeverisë së re të Kosovës, që pritet të institucionalizohet së shpejti.

Pas “një komb – dy shtete” edhe paradoksi “dy shtete – dy platforma të kundërta qeveritare”

Fatkeqësisht, ky hap u pasua nga një zhvillim negativ i turpshëm me përplasje qasjesh, që e shkaktoi qeveria e Tiranës nëpërmjet ministrit të saj, Pandeli Majko, që doli me një kundër-platformë për mohimin e ndalimin e bashkimit kombëtar shqiptar. Kështu krijohet një paradoks tjetër në politikat shqiptare: një qeveri që po vjen në Kosovë e trajton bashkimin kombëtar si zhvillim, ndërsa një qeveri, që është prej 8 vitesh në Shqipëri dhe që i ka mëshuar e vijon t’i mëshojë forte idesë së minishengenit (de facto, Serbia e Madhe), por që nuk dihet a do të jetë edhe pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, e trajton çështjen e bashkimit kombëtar si një të keqe të madhe, që mund të godasë shqiptarët. Pra, krahas gjendjes “një komb dy shtete” tani krijohet paradoksi tjetër “dy qeveri, dy platforma të kundërta qeveritare mbi bashkimin kombëtar”. Në Prishtinë ka qasje qeveritare të mirëfilltë nacionaliste ndaj bashkimit kombëtar, ndërsa në Tiranë ka qasje të mbrapshtë anti-nacionaliste. Qasja nacionaliste nga Prishtina e trajton bashkimin kombëtar shqiptar si bekim për gjithë kombin, ndërsa qasja antinacionaliste nga Tirana e trajton atë si mallkim.

Për këtë diskutim teorik na vjen në ndihmë i mirënjohur amerikan, Xhon J. Mershaimer, që me studimet e tij më të reja mbi kombin e nacionalizmin, e përligj qasjen nacionaliste kur shkruan: “Nacionalizmi, që është tërësisht vetëvendosje, thotë se njerëzit që jetojnë brenda kufijve shtetërorë kanë të drejtën të vendosin për fatin e tyre dhe asnjë fuqi e jashtme nuk ka të të drejtën të imponojë pikëpamjet e saj mbi një shtet kombëtar (në anglisht nation state)” (libri “The Great Delusion”, 2018, f.160). Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, kemi të bëjë me shtete kombëtarë shqiptarë të njohur dhe ndërkombëtarisht. Shqiptarët njihen e pranohen si një komb më vete që dallojnë në shumë tipare nga kombet fqinjë. Por, për rrethana historike të turbullta deri tani kanë mbetur në pozitën “një komb me dy shtete” e disa copëra të shpërndara andej-këndej, një gjendje që nuk ka arsye e justifikim të vazhdojë gjatë. Prandaj, nëse shqiptarët vendosin me vullnetin tyre, pa ndërhyrje nga të tjerë, të bashkohen dhe këtë e kurorëzojnë me (ose dhe pa një referendum), ushtrojnë një të drejtë të tyre, plotësojnë një mangësi të tyre në shtetndërtimin kombëtar dhe nuk e dëmtojnë askënd.

Në mendimin politik shqiptar janë bërë mjaft polemika në këto drejtime gjatë tri dekadave të fundit pas rrëzimit të komunizmit dhe pas shpërthimit të nacionalizmit në të gjitha vendet e Europës Lindore, të ish-Bashkimit Sovjetik dhe të ish-Jugosllavisë në Ballkan. Unë kam pasur rastin që idenë e bashkimit kombëtar midis Kosovës me Shqipërinë, si zgjidhja e mirë për çështjen e Kosovës, ta shtjelloja edhe në Komitetin Politik të NATO-s në Bruksel, në nëntor të vitit 1992, në përgjigje të pyetjes që iu bë pikërisht për këtë çështje grupit që kishte shkuar atje nga Shqipëria dhe që e kryesoja. Është me dobi të kujtoj këtu çfarë është shkruar qysh në vitin 1993 nga gazetari slloven Ervin Hladnik-Milharçiç në një reportazh nga Shqipëria, të titulluar “Ana e ndriçuar e Ballkanit”, të botuar në gjuhën shqipe nga “Zëri”, Prishtinë, më 22 dhjetor 1993. Nga bisedat e bëra në Tiranë gazetari slloven ka bërë edhe citimet e mëposhtme në ligjëratë të drejtë:

1-“‘Shqipëria është shtet modern perëndimor. Shqiptarët sikur të gjithë të tjerët pas internacionalizmit proletar përjetuan rilindjen nacionale. Më besoni deri në fund të këtij shekulli (XX) do t’i shihni të gjithë shqiptarët në një shtet’, – më thotë Abdi Baleta”. Unë gjithnjë kam menduar se kështu ndodhi përderisa në qershor1999 NATO me ndërhyrjen e saj ushtarake e çliroi Kosovën nga pushtimi e sundimi i Serbisë dhe e futi një rrugën që e çoi në pavarësimin e saj, në krijimin e shtetit të sotëm të pavarur e të njohur ndërkombëtarisht të Kosovës.

2-“‘Çështja shqiptare është e zgjidhur. Shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Kosovës u përkasin dy popujve të ndryshëm’, – thotë Sparatak Ngjela. ‘Si gjermanët dhe austriakët ndoshta?’, – e pyesim. ‘Jo, si gjermanët e Lindjes e të Perëndimit’, – thotë ai”. Shpjegimet e Ngjelës kishin një vlerësim të gabuar, një qëndrim anti-nacionalist për (popujt e ndryshëm) dhe një kontradiktë të brendshme krahasimi me gjermanët e Lindjes e të Perëndimit, që ishin pjesë të ndara me dhunë të të njëjtit komb, si shqiptarët në Ballkan vetëm dy dekada më herët. Qysh nga ajo kohë S. Ngjela ka lëvizur në drejtime të mira nacionaliste për disa aspekte të çështjes shqiptare.

Kush e ideoi, e përpiloi dhe e vuri në qarkullin “kundër-platformën Majko”?

Por, tani na del që në pozita edhe më të këqija se formula e dikurshme e Ngjelës lidhur me bashkimin kombëtar shqiptar shket qeveria e Tiranës me “platformën anti-nacionaliste” të paraqitur nga ministri shëtitës i kësaj qeverie në diasporë, Pandeli Majko. As në Kosovë, as në Shqipëri, deri tani mbështetja ose mohimi i bashkimit kombëtar shqiptar nuk ka qenë bërë kështu pjesë e ligjërimit politik qeveritar në një fushatë zgjedhore. Madje, kanë qenë të pakta edhe rastet, sidomos në Shqipëri, kur bashkimi kombëtar është bërë pjesë programesh partiake ose ka qenë përfshirë e trajtuar vetëm në programe partish, pa ndonjë shtrirje e peshë të dukshme dhe pa rol imponues në jetën e zhvillimet politike shqiptare. Në Shqipëri vetëm partitë e quajtura “të nacionalizmit historik”, si Balli Kombëtar e Lëvizja e Legalitetit, kanë pasur në programet e tyre bashkimin kombëtar. Bashkimit Kombëtar i kushtoi vend të veçantë programor e doktrinar Partia Rimëkëmbja Kombëtare, e njohur me këtë emër nga vitin 1995, e cila qysh në krye të faqes së parë të organit të saj, gazetës “Rimëkëmbja”, vendosi devizën politike “Një komb, një atdhe, një shtet”. Të gjitha partitë e tjera kanë mbajtur qëndrime që e përjashtonin bashkimin kombëtar nga kërkesat e detyrat e tyre programore dhe me teorizime kozmopolite e parulla europianiste distancoheshin nga imperativi i bashkimit kombëtar shqiptar.

Në organizimet politike e partiake të shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze vetëm Lëvizja Vetëvendosje, pas shpalljes e njohjes së pavarësisë së Kosovës, e rrënjosi qartë bashkimin kombëtar në programin e vet, duke ripërtërirë disa tradita të mira të mëparshme që nisin nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878); lëvizjet irredentiste në Kosovë pas vitit 1912 e deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore; lëvizjet e fshehta në kohën e pushtimit komunist jugosllav, si dhe gjatë luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës (që për fat të keq u hoq nga politika e UÇK-së për arsye politike konjukturale, para se lufta çlirimtare të kurorëzohej me fitore). Prandaj ishte me shumë rëndësi që Lëvizja Vetëvendosje, qysh në daljen e saj në skenë si lëvizje shoqërore e më pas parti politike, e ripërtëriu kërkesën për bashkim kombëtar, duke e sanksionuar dhe në emërtimin e vet dhe duke e sendërtuar në veprimtaritë e tjera politike të saj. Lëvizja Vetëvendosje i dha kështu aspiratës e imperativit historik e politik shqiptar për bashkim kombëtar përmasën që i mungonte në programet e tjera partiake, i shtoi një dinamizëm të paparë kësaj kërkese jo vetëm në rrugë programore, por edhe në luftën politike praktike.

Tani, Lëvizja Vetëvendosje, me fitoren e thellë e madhështore që arriti në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, e ka bërë menjëherë bashkimin kombëtar pjesë të ligjërimit politik qeveritar. Kjo vërtetohet si në deklaratat e intervistat më të fundit të Albin Kurtit dhe në mesazhet që solli Vjosa Osmani gjatë një vizite të paradokoshme në Tiranë. Diplomacia europiane i vuri re menjëherë këto ndryshime në skenën politike të Kosovës. Padurimit të diplomacisë europiane për të vazhduar pa ndryshime e pa vonesë të njëjtin proces bisedimesh me Serbinë, si në vitet e shkuara, Albin Kurti i është përgjigjur shkurt, me qetësi, por me mesazhe të reja se Kosova dëshiron dhe është e vendosur të bisedojë vetëm mbi baza reciprociteti e barazie me Serbinë dhe se duhet të ndryshojnë standardet e rregullat e bisedimeve të deritanishme. Pyetja e gazetarit të AFP-së për të zënë gafil Kurtin në tentativë që të merrte prej tij ndonjë frazë angazhuese se qeveria re nuk do të mendojë për bashkimin shqiptar, mori një përgjigje të kujdesshme në formulim, por të qartë në kuptim. Por, çuditërisht, kjo përgjigje ka nervozuar tej mase qeverinë e Tiranës dhe ministrin e saj, Pandeli Majko, që provokoi rëndë Kurtin, sfidoi zgjedhjen që bënë shumica dërrmuese e votuesve në Kosovë, më 14 shkurt, dhe plagosi ndërgjegjen kombëtare të shumë shqiptarëve.

Më herët ishte provokuar edhe presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, që gjatë dhe pas vizitës zyrtare që kreu në Shqipëri, u akuzua për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë vetëm pse u kishte paraqitur zyrtarëve dhe politikanëve të Shqipërisë pikëpamjet se si duhen ndërtuar në të ardhmen marrëdhëniet me Serbinë. Në realitet, mesazhet e Vjosës nuk ishin aspak ndërhyrje. Ndërhyrje, madje brutale, është pikërisht prononcimi i ministrit të Shqipërisë, Majko, që mori pozitën edhe të një mësimdhënësi, dhe heshtja për këtë gafë të Majkos, nga ana e qeverisë shqiptare.

Për cilat dokumente ndërkombëtare shqetësohet “kundër-platformisti Majko”?

Kurti ka tërhequr vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare edhe mbi dëmin e madh që i është shkaktuar deri sot ndërtimit e forcimit të shtetshmërisë së Kosovës nga dispozita anakronike e vendosur në “Planin Ahtisari”, që është përfshirë edhe në Kushtetutën e Kosovës, me anën e së cilës i ndalohet shtetit të pavarur e sovran të Kosovës një bashkim me Shqipërinë. Edhe Vjosa Osmani, gjatë vizitës që bëri në Tiranë para disa kohësh, dha mesazhe se Kosova nuk ka toka për t’i falur Serbisë, se Kosova nuk mund të pranojë më lëshime për t’i zbardhur faqen Serbisë, se Shqipëria e Kosova e kanë detyrim të veçantë e të përbashkët të forcojnë bashkëpunimin e bashkëveprimin e tyre konkret kombëtar në të ardhmen. Këto mesazhe, sidomos ato lidhur me qëndrimet ndaj Serbisë, pavarësisht se u dhanë në Tiranë, duhen parë si më të vlefshme për t’i dëgjuar faktorët ndërkombëtarë. Albin Kurti dha mesazhin me shumë rëndësi e vlerë diplomatike se marrëdhëniet me Serbinë tani do të qëndrojnë në rendin e gjashtë e të shtatë të përparësive që ka qeverisa e re e Kosovës, Kurti- Osmani, në krahasim me renditjen prioritare që kishin deri tani në politikën e diplomacinë e Kosovës. Në këtë kuadër është edhe deklarata e Kurtit, se ai është i gatshëm ta nënshkruajë një referendum për bashkim kombëtar Shqipëri-Kosovë, kur të bëhet. Por, tani pas paraqitjes së “kundër-platformës Majko” me kërkesën ultimative mbi përjashtimin e çështjes së bashkimit kombëtar nga lista e problemeve madhore që ka qeveria e re e Kosovës, krijohet një gjendje e rëndë për Kosovën në hapat që duhet të bëjë ndaj Shqipërisë e të presë prej saj. Kjo, natyrisht, e bën edhe më prioritare çështjen e ndërtimit, së pari, të marrëdhënieve të duhura Kosovë-Shqipëri dhe të mos ndërmerren për njëfarë kohe hapa të nxituar për rifillim bisedimesh Kosovë-Serbi, pa u qartësuar dhe qetësuar se në anën e kujt do të jetë diplomacia e Shqipërisë, pa u qartësuar gjendja e acaruar që ka krijuar “kundër-platforma Majko” me Kosovën. Për këtë duhet pritur të paktën të shihet se çfarë qeverisje do të ketë Shqipëria, pas votimeve të 25 prillit 2021, dhe të shihet e të kuptohet si duhet edhe predispozicioni i një qeverie të re në Tiranë, në rast se do të ketë një të tillë. Nuk ka ndonjë siguri të madhe se edhe një qeveri e rivalëve të PS-së e të Ramës në luftën për pushtet do të ndryshojë shumë gjëra në qasjet e saj nga qasja e “kundër-platformës Majko”, për të mbajtur qëndrime të ndryshme nga ato të “kundër-platformës Majko”.

Pse u dha alarmi pas fjalëve të Kurtit për nënshkrimin e referendumit të bashkimit?

Fjalët e Kurtit në rolin e kryeministrit të pritshëm të Kosovës, natyrisht, filluan të jenë më të peshuara e më të stilizuara se fjalët e Kurtit si aktivist ose si deputet i Vetëvendosjes në të shkuarën. Ai nuk ra në grackën e pyetjes së bërë nga gazetari francez mbi bashkimin midis Kosovës e Shqipërisë që, për konjukturë të çasteve të para, mund të ishte se nuk kishte ardhur ende koha të flitej për këtë çështje. Një politikan si Albin Kurti e di më së miri se një referendum nuk është procesi konkret i zgjidhjes së një problemi politik e diplomatik, si bashkimi ose ndarja e shteteve. Referendumi, në raste të tilla, shënon vetëm kurorëzimin e një procesi, gjatë të cilit është gatuar tashmë zgjidhja. Gjithkush e di se të tilla referendume janë si dita e dasmës kur festohet një martesë e ëndërruar shumë gjatë. Dhe, fejesat e martesat e tilla, sidomos dasma e tyre, përgatiten më përpara me shumë kujdes. Pra, edhe referendumi për një bashkim kombëtar shqiptar do të ketë nevojë për procese përgatitore e pastaj të kërcehet e të këndohet. Ka shumë aktorë e faktorë shqiptarë që kanë për detyrë të bëjnë punën e tyre përgatitore që të vijë dita e referendumit fitues të bashkimit. Ajo që na gëzon shumë tani, ndryshe nga herë të tjera, është ndryshimi rrënjësor që po ndodh në Kosovë, që i shton shpresat se puna do të ecë më mirë se deri sot, ngaqë refererendumi është bërë tashmë preokupim madhor dhe i mirëpritur në nivelin e një plolitike shtetërore shqiptare, asaj të Kosovës. Majko, Rama e qeveritarët e tjerë të Tiranës e dinë fare mirë se askush nuk do të përpiqet t’u vejë atyre tani në tryezën e punës ndonjë “fletë referendare” të firmosin për bashkimin kombëtar. Por, ata reaguan me egërsi dhe inat se nuk duan të tjerët të nisin përpjekjet për të krijuar atmosferën e re psikologjike tek shqiptarët për idenë e bashkimit kombëtar. Pra, “kundër-platorma Majko” është fillesë e luftës psikologjike e politike, mbase dhe administrative, kundër përhapjes së dëshirës për bashkim, që tani shtabin qeverisës e selinë e ka në Prishtinë.

Shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë tani duhet t’ia bëjnë me më shumë shqetësim vetes pyetjen: Po politika e diplomacia e Shqipërisë, në tërësi, çfarë do të bëjnë pas shpalljes së “kundër-platformës Majko”? Para se të krijojmë zhgënjimet më të thella ose shpresa të vakëta, më mirë të presim përmbylljen e procesit të votimeve të 25 prillit e të shohim si do të bëhet klima në Tiranë. Por, paralajmërimet që bën “kundër-platforma Majko” janë të zymta e shqetësuese, sidomos kur kemi parasysh se dhe forcat opozitare, që rivalizojnë për pushtet me Partinë Socialiste e qeverinë e Ramës e të Majkos, në thelb ndjekin një politikë anti-nacionaliste, si socialistët ndaj zgjidhjes së çështjes shqiptare me bashkim kombëtar. Kjo të shtyn të bësh dhe më shumë hamendësime pse u hodh në publik me kaq nxitim “kundër-platforma Majko”. Kush deshi që të bëhej ky provokim? Majko bëri gafën fëminore kur akuzoi Albi Kurtin se me qëndrimet e deklaratat e tij po tregon që nuk jeton në kohën tonë, por në shekujt e kaluar, se ushqen idera e projekte që u ka ikur koha, se, madje, po vë në rrezik një mori dokumentesh ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Kosovën, me shqiptarët, me Ballkanin dhe Europën. Majko fliste krejt jerm kur e qortonte Albin Kurtin se ende nuk i paska mësuar detyrat e tij kryeministrore si të qeverisë në Kosovë dhe nuk duhet të merret me punëra të tjera, pra të mos bëjë shumë politikë të jashtme e diplomaci në emër të Kosovës. Kishte shumë mllef e megalomani në fjalët e Majkos, që hiqet si mësues i rreptë për Albin Kurtin. Më duket e pabesueshme që ky qëndrim të jetë vetëm i Majkos, sepse ai implikon edhe qeverinë ku ai bën pjesë, e në radhë të parë kryeministrin e kësaj qeverie, Ramën, i cili “çuditërisht” në këtë rast nuk ka dashur që ta shpërthente vetë betejën sikur e ka zakon, meqenëse ndodhet ngushtë se i janë rreshtuar shumë qëndrime të dështuara në veprimtarinë e tij në drejtim të Kosovës, e posaçërisht ndaj Albinit e Vjosa Osmanit.

Caktimi i Majkos për të shpallur “platformën qeveritare të kundërshtimit të bashkimit kombëtar shqiptar” ka nga pas dhe një bisht të shëmtuar cinizmi. Majko është ministër për diasporën nga Shqipëria. Pra, “mesazhi antibashkim” nga Tirana, i thënë pikërisht nga ky ministër, simbolizon se në mendësitë e ndjesitë e qeveritarëve të Shqipërisë, shqiptarët në Kosovë shihen thjesht si diasporë shqiptare, sikurse dikur regjimi komunist që i quante “shqiptarë jashtë kufijve të atdheut, 28,000 kilometrash katrorë”.

Jemi të detyruar nga logjika e gjërave të hamendësojmë dhe pak më tej: po shqiptarët e Maqedonisë së Veriut (partitë politike dhe opinioni publik) a do të hedhin me këtë rast ndonjë vështrim të ri mbi zhvillimet në Kosovë dhe ndodhitë në raportet Kosovë-Shqipëri? A do të fillojnë dhe ata të mendojnë për trajtimin e tyre si minoritet e të çlirohen nga mpirja e nervit kombëtar apo do të presim sërish gjatë të kuptojnë e vështrojnë si fryjnë erërat ballkanike?! Shqiptarët e Luginës së Preshevës e që e ndiejnë më tellë dhimbjen nga thika e shkombëtarizimit serb, po i shpallin me zë të lartë dëshirat e të drejtat e tyre për bashkim me Kosovën.

Cilët qeveritarë shqiptarë duhet të japin mësim e cilët të marrin mësim?

Mësimet boshe dhe qortimet megalomane, që Majko e Rama i kanë adresuar Kurtit e Vjosa Osmanit, më bindin se në rolin e nxënësit kanë nevojë të vihen qeveritarët nga Tirana, pasi këta kanë nevojë për të kërkuar mësime nga Prishtina, tani pas 14 shkurtit 2021. Kurti e Osmani kanë treguar mjaftueshëm se për trajtimin e çështjeve kombëtare kanë njohuri, shprehi e përvojë më të pasur e më serioze se të gjithë pushtetarët që kanë qenë e që duan të vijnë prapë në fuqi në Shqipëri. Ndërkaq pushtetarët që janë ndërruar në Tiranë gjatë tri dekadave mund të mburren vetëm për gjëmat që i kanë sjellë vendit dhe për dëmet që i kanë bërë çështjes kombëtare shqiptare. Politikanët e Tiranës i kanë shërbyer vetëm bandokracisë së sotme. Ata janë sigurisht të paaftë të mësojnë nga zhvillimet e fundit në Kosovë dhe e kanë zor të çojnë në mendje se duhet të mësojnë nga Kurti e Osmani se si mund të përmbyset e shëndoshet një gjendje politike tejet e degraduar nëpërmjet votës popullore e pa pazare tavolinash partiake, jo me pseudo-revolucion e kryengritje trazovaçe, siç ka ndodhur në Shqipëri.

Politologu e juristi amerikan, Henri Perrit Jr., njohës i mirë i punëve të Kosovës, para 10 vitesh ka bërë këtë vlerësim në Kosovë: “Pas pavarësisë udhëheqësia politike e Kosovës duhej të vendoste nëse duhet ta hidhte shikimin jashtë ose brenda vendit për legjitimimin e saj. Përpara Ditës së Pavarësisë gjëja më e mirë që një politikan kosovar mund të bënte për karrierën e vet ishte të kënaqte (lumturonte) bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht SHBA. Ky ishte elektorati real, jo popullsia vendore. Pas ditës së pavarësisë kjo gjë ndryshoi, ndonëse ndërkombëtarët mbeteshin një elektorat i rëndësishëm” (Nga libri “The Road to Independence of Kosova”, f. 228). As pas Ditës së Pavarësisë ky ndryshim nuk ishte aq i madh sa e ka pas përfytyruar Henri Perrit. Kjo u vërtetua sidomos atë ditë marsi 2020, kur në parlamentin e Kosovës u bënë bashkë të gjitha partitë e vjetra, për të rrëzuar qeverinë 50-ditëshe Kurti 1, me akuzën për “antimerikanizëm”. Tani, pas një viti, fitorja e bujshme e Vetëvendosjes provoi se elektorati i Kosovës gjykoi ndryshe dhe ua hoqi mundësinë të qeverisnin më tej partive që qeverisën në mënyrë të paligjshme për shumë muaj. Kjo tregon qartë se Kosova ka ndryshuar shumë dhe partitë humbëse duhet të mendojnë thellë për mos krijuar më tej situata të pakëndshme për shtetshmërinë e Kosovës. Partitë humbëse nuk duhet të bëhen pengesë, por mbështetje për rikonfirmimin e Vjosa Osmanit në postin e saj të presidentes në detyrë, që rezulton të jetë politikania më e votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021. Kurse në Shqipëri partitë, që prej dekadash grinden për pushtet, e kanë të pamundur të shkunden nga mendësitë e tyre të njohura kundër bashkimit kombëtar shqiptar dhe nuk do të ecin në një hap me Kosovën.

Shqiptarëve u duhet më shumë se gjithkujt qasja nacionaliste ndaj problemit kombëtar

Ligjërimet e shpejta mbi bashkimin kombëtar të fituesve të zgjedhjeve në Kosovë pritet të kthehen sa më shpejt në program qeveritar, sapo të fillojë zyrtarisht nga funksionet e saj qeveria e re Kosovës. Kjo do të jetë hera e parë në historinë shqiptare që bashkimi kombëtar dhe qasja nacionaliste ndaj zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare do të zërë vend në një politikë shtetërore e diplomaci qeveritare shqiptare. Kështu, bashkimi kombëtar po merr një fizionomi të re, po fiton një përmasë tjetër, më dinamike e të paprovuar deri tani si politikë shtetërore qeveritare, përtej trajtimit si pjesë e mendimit politik. Edhe deri sot në mendimin politik nacionalist shqiptar janë shfaqur shqetësime të mëdha për dy probleme kyçe të jetës së kombit e dy shteteve shqiptare në periudhën pas komuniste: futjen e shoqërisë dhe të dy shteteve shqiptare në rrugët e humbura të demokracisë dhe ngecjen në mes të rrugës të perspektivave për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare me bashkim kombëtar. Nuk është rastësi që edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë pritet që rreth këtyre dy problemeve madhore do të përqendrohet vëmendja e pushtetit të ri, sepse ishte befasi që u sigurua një mbështetje më e madhe se kurrë për programin Vetëvendosjes dhe të Listës Osmani. As nuk është rastësi që në fushatën zgjedhore, që po zhvillohet në Shqipëri, këto dy probleme lihen në harresë. Nuk do të jetë befasi që në Shqipëri elektorati do të mbetet i çorientuar pikërisht në këto dy drejtime dhe nuk do të mund të shfaqë gatishmërinë e vet dhe të ushtrojë ndikimin e tij për të treguar me votë se deri në çfarë mase ky elektorat ka përparuar, nën shembullin e elektoratit të Kosovës, drejt përqafimit të idesë se duhet bashkim kombëtar për zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare të mbetur ende në rrugën pa krye.

Zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri nuk do të jenë si ato në Kosovë, sepse në Kosovë në politikën shtetërore e diplomacinë qeveritare janë përqafuar më herët e më mirë vlerat që duhet të shpalosë nacionalizmi shqiptar. Zgjedhjet e 14 shkurtit dëshmuan se në Kosovë tani mund të themi se nacionalizmi është bërë forca tërheqëse me shtrirjen më të gjerë dhe ndikimin më të thellë tek njerëzit, ka marrë përfundimisht tiparet e faktorit politik përcaktues. Për këtë ka meritën e madhe, në radhë të parë, Lëvizja Vetëvendosje, si përçuese e kësaj fryme nacionaliste në opinionin publik gjatë shumë vitesh, edhe pse në skenën politike ajo paraqitet e vepron si formacion social-demokrat i së majtës, madje ka qenë pa ndërprerje nën sulmet dashakeqe të kundërshtarëve politikë për ta portretizuar shëmtueshëm vetëm si një formacion marksist-leninist i farkës populiste. Edhe pas fitores së 14 shkurtit nuk po ndalen teorizimet shtrembëruese nga dy krahë të ndryshëm: njëri krah lëshon alarme se tani e tutje Kosovën do ta marrë më qafë majtizmi i Vetëvendosjes, tjetri me britma se Kosovës e gjithë shqiptarëve, madje edhe Ballkanit e Europës, do t’u sjellë belara të mëdha fryma e nacionalizmit që po përhapet, çka do ta armiqësoka Kosovën me Perëndimin (siç u tha para një viti, kur përgatitej rrëzimi i qeverisë Kurti 1 me akuzën se po prishte miqësinë e madhe të Kosovës me Amerikën).

Këtyre akuzave u shtohen edhe ato të bëra standard antishqiptar nga propaganda serbo-ruse e të tjera se Vetëvendosja është e ngatërruar shumë me ekstremizmin islamik ballkanas e jashtë ballkanas. Nxitoi vetë kryeministri i Maqedonisë së Veriut të lëshonte kushtrimin se ekstremizmi islamik shqiptar po bëka organizim të ri në Maqedoni. Kisha serbe e ka rritur agresivitetin e predikimit se Kosova duhet të mbetet e Serbisë, se është Jerusalemi i serbëve. Këtu po mbështetet më fort se më parë shovinizmi politik shtetëror serb për të ashpërsuar qëndrimet në bisedimet serbo-shqiptare. Presidenti i Serbisë tani i shpall më hapur se kurrë ambiciet për të bërë Serbinë e Madhe në Ballkan. Pra, të gjithë faktorët, që deri tani kanë vepruar që bashkimi kombëtar shqiptar të mbetet i gozhduar në udhëkryq, po tregojnë prirje të reja shoviniste, që ndërrimi i faqes politike në Kosovë të mos u shërbejë sa duhet interesave shqiptare.

Këto prirje e lëvizje gjeopolitike e shpirtërore antishqiptare do të krijojnë sigurisht tensione e rreziqe të reja në Ballkan e më gjerë. Prandaj, zëdhënësit e tezës së marrë dhjetëvjeçare të krijimit të “kombit të ri kosovar” në Ballkan i kemi parë pas 14 shkurtit të bredhin sa nga një studio televizive në tjetrën, në Tiranë e në Prishtinë, për të dhënë alarmin se bashkimi kombëtar i shqiptarëve do të thotë armiqësim me Perëndimin, nxitje e armiqve të shqiptarëve të bëhen më agresivë, madje do të qenka “zhdukje e një shteti, Kosovës”. Kujtojmë me këtë rast si u tmerrua një drejtues i një kanali televiziv në Kosovë, kur u dha rezultati i një sondazhi parazgjedhor, kur u njoftua se 90% e të anketuarve në Kosovë ishin shprehur në favor për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Prandaj, në studio televizive në Prishtinë e Tiranë kemi dëgjuar këto kohë pa pushim kore zërash kakofonikë të pështirë për të ulur disi vlerat e fitores që arriti Vetëvendosja në zgjedhjet e 14 shkurtit, për të frikësuar njerëzit se po nuk ndryshoi Vetëvendosja qasjet e saj që të zbuten acarimet, duke u afruar me pozitat që kishte establishmenti i mëparshëm politik në Kosovë, nuk dihet se çfarë e pret Kosovën. Prandaj po i mobilizojnë gjithë anti-nacionalislistët shqiptarë të politikës e të propagandës, që të ushtrojnë presion mbi Vetëvendosjen e mbështetësit e saj, që këta të ndjehen disi të turpëruar pas fitores së madhe dhe të fillojnë të pendohen që fituan kaq thellë dhe të mos e ndryshojnë aq rrënjësisht fizionominë e frymën politike të Kosovës.

Të gjitha këto forca synojnë që t’u bëjnë shqiptarëve një terapi neveritëse kundër nacionalizmit, në kohën më të përshtatshme për shqiptarët, që ta përqafojnë sa më shumë nacionalizmin, që shprehet në kërkesën për bashkim kombëtar e që tashmë ka hyrë edhe në ligjërimin qeveritar në Kosovë. Pikërisht nga kjo frikë qeveria e Tiranës ngarkoi pikërisht “ministrin për diasporën”, Pandeli Majko, që të shpallte “platformën anti-nacionaliste”. Për këtë qëllim, Majko shpalli akuzën se Albin Kurti qenka nostalgjik i kohëve të shkuara, paska ngecur diku në projektet e shekullit të XIX. Ndërkaq Albin Kurti e ka afirmuar veten si politikani më i kohës për shqiptarët. Majko, me horizont të ngushtë, ka mbetur nëpër ferrat e nacionalizmave anti-shqiptarë, ka mbetur jashtë kohës e hapësirës historike e moderne të shqiptarëve, jashtë tërësisë së mendësive kombëtare e të ndjesive shpirtërore mbarëshqiptare. Albin Kurti, si politikani kosovar më i afirmuar e votuar në Kosovë, tani i vlerësuar e afirmuar edhe në mjediset diplomatike ndërkombëtare, nuk ka çfarë të mësojë nga “kundër-platforma Majko”, as nga politikat e Tiranës për shqiptarizmin, për demokracinë, për qeverisjen, për frymëzimin e mobilizimin e njerëzve dhe, sidomos, për trajtimin e çështjes kombëtare. Vjosa Osmani e pa se nuk kishte çfarë të mësonte nga Rama për trajtimin e marrëdhënieve të Kosovës me Shqipërinë.

Politikanët e Shqipërisë të paaftë të mësojnë për nacionalizmin?

Politikanët e Tiranës (pushtetarë e opozitarë) nuk kanë treguar deri tani kurrfarë cilësie e dëshire për të bërë të tyre vlerat që ka dëshmuar e dëshmon nacionalizmi sot në botë dhe për t’i ndërthurur harmonishëm këto vlera me arritjet moderne në artin e qeverisjes që ka nxitur përparimet kudo.

Në literaturën shkencore dhe në mendimin politik perëndimor, të së shkuarës e madje edhe fare të freskët, kam ndeshur plot analiza të vyera rreth rolit të kombit e të nacionalizmit në jetën shoqërore e shtetërore të të gjitha kombeve e shteteve dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kohët e fundit më ka bërë shumë përshtypje një mendim i shprehur nga politikani e diplomati amerikan, Xhon Bolton, se “çdo vend e çdo popull ka nevojë për dy gjëra themelore, demokracinë dhe nacionalizmin”. Më herët kam shkruar me mirënjohje për këshillat e mira që dha ish-Presidenti i SHBA, Donald Trump, nga tribuna e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku lartësoi vlerat e nacionalizmit në jetën e veprimtarinë e shteteve dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare (revista “Shenja”, tetor 2019). Për koherencë mendimesh e pikëpamjesh tani po sjell për lexuesin disa vlerësime të politologut të mirënjohur amerikan, të nxjerra nga libri i tij “The Great Delusion. Liberal Dreams and International Realities”, 2018, citatet: “Kombi është grupi social mbisundues në planet (f.20)… Mbijetesa është arsyeja që qeniet njerëzore të veprojnë në grupe më të gjera se familja (f. 34)… Kombi është grupi social më i lartë që ka domethënie reale për shumicën e njerëzve në botë (f.83)… Njerëzit janë krenarë për kombin se ky është shtëpia e tyre (f. 89)… Gjendja më e mirë për një komb është të ketë shtetin e vet (f. 71)… Nacionalizmi është teoria që shpjegon se si njerëzit në gjithë botën janë të organizuar shoqërisht e politikisht. Ai ndjek idenë se popullsia njerëzore është e ndarë në shumë kombe të ndryshme, që formohen nga njerëz që kanë ndjesinë e fortë të besnikërisë ndaj grupit. Ndoshta me përjashtim të familjes, përkatësia tek kombi qëndron mbi të gjitha format e identitetit individual (f. 89)… Në të folmen e rëndomtë nganjëherë thuhet se nacionalizmi pasqyron urrejtje, që nënkupton një sëmundje që ka prekur planetin gjatë periudhës më të gjatë të historisë. Ky është një perceptim i rremë (f. 84)… Liberalizmi pa nacionalizmin është i pamundshëm. Ne jetojmë në epokën e shteteve kombëtarë, në një botë të nacionalizmit të kudondodhur (f. 103)… Nacionalizmi u bë forcë mbisunduese botërore gjatë shekullit XIX (f. 71)… Duhet të jetë e qartë se nacionalizmi është forcë më e madhe se liberalizmi. Nacionalizmi është i përhapur gjithandej, ndërsa liberalizmi jo. Liberalizmit i duhet gjithnjë të veprojë në kontekstin e shtetit nacionalist. Por, është gabim të mendohet se liberalizmi ka pak rëndësi. Edhe pse humbet gjithmonë në ndeshjen me nacionalizmin, liberalizmi është ideologji e fuqishme (f. 106)”.

Pas këtyre citateve nuk më mbetet tjetër gjë për të thënë, veç të theksoj sa i vobektë është treguar Majko në njohuritë e tij politologjike për epokat historike e rëndësinë e kombit e të nacionalizmit sot, sa provokues është treguar ai kundër bashkimit kombëtar shqiptar. Citatet e mësipërme më shërbejnë për të përsëritur se është e kotë kokëfortësia në përhapjen e marrëzisë së lindjes së “kombit kosovar”, si të ishte fjala për zog pule, që në një çast të vetëm del nga veza (ditën kur u shpall shteti i pavarur i Kosovës). Sipas Mershaimerit, shteti ka nevojë për kombin e vet, por janë kombet që bëjnë shtete dhe jo anasjellas. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, u jep shqiptarëve të Kosovës e të Shqipërisë shtetin e tyre real dhe të vërtetë kombëtar, por nuk eshuan shtetin e Kosovës e as nuk ua merr shtetin shqiptarëve të Shqipërisë.

#TV Shenja

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re