Specialistët e mirëmbajtjes së ikonave në Berat kanë nisur procesin e dezinfektimit të veprave të artit pranë mjediseve të laboratorit të DRKK – Berat.

Ky proces delikat është tepër i domosdoshëm për konservimin e ikonave në një periudhë e cila përkon me veprimtarinë më agresive të insekteve që mund të dëmtojnë panelin e drunjtë të ikonës.

Specialistët po punojnë që çdo ikonë të trajtohet me kujdes duke ndikuar në mbrojtjen dhe jetëgjatësinë e tyre.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit në qytetin e Beratit ka restauruar gjithashtu ikonat “Mbledhja e Kryeengjëjve”, me autor Gjergj Johan Çetirin, si dhe ikonën me të njëjtin emër “Mbledhja e Kryeengjëve”, e Kostandin Zografit, “Ngritja e kryqit” dhe “Shën Thanasi”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re