18 prill- Bashkia e Beratit i akordoi sot arkitektes Eluerta Mehmetaj, çmimin për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore 2019.Ky çmim iu dha arkitektes Mehmetaj për restaurimin e subjektit “Vila 4”, e cila e ka restauruar dhe rijetësuar këtë banesë historike duke e kthyer atë në një bujtinë pritëse për turistët.

Në kuadër të 18 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Siteve dhe Monumenteve bashkia e Beratit e ka bërë traditë vlerësimin e iniciativave në fushën e restaurimit, ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.Restaurimi, duke i qëndruar besnik autenticitetit të materialeve dhe mjediseve si dhe rijetësimi mjaft estetik i kësaj banese janë një shembull shumë pozitiv dhe orientues për banorët dhe pronarët e tjerë, që do të duan të investojnë në këtë fushë në Qendrën Historike të Beratit.

Investime të kësaj natyre janë në përputhje të plotë me vizionin e bashkisë së Beratit për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në qytet, turizëm i cili nxjerr në pah vlerat e qytetit pa i dëmtuar ato. Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, theksoi se “ndërhyrje të tilla, përveç efekteve shumë të mira në turizëm, sjellin edhe përfitime në drejtim të ruajtjes dhe restaurimit të banesave historike, mirëmbajtja e të cilave është një sfidë për institucionet, por edhe për pronarët e tyre”.

Banesat beratase janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik, karakteristikë e Beratit. Qyteti i Beratit është një nga më të vjetrit në Shqipëri, me gjurmët e para të cilat datojnë që 2600-1800 para Krishtit. Ka edhe qeramika që nga shekulli i 7 apo 6. Banorët e Beratit janë quajtur në fillim ilirë, më pas arbër dhe në fund shqiptarë.

Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4-t. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatrea Berat, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re