“Tomorit u ka dhënë fund pushimeve dhe nga dje ka zbritur në fushë për të rinisur përgatitjet në kuadër të mini-fazës dimërore.
Me këtë rast, beratasit zhvilluan edhe seancën e parë stërvitore të këtij viti kalendarik. Grupi përbëhej nga 20 futbollistë, ndërsa stafi teknik ishte i plotë dhe në gatishmëri maksimale.
Skuadra beratase do të vijojë përgatitjet në mungesë të një fushe stërvitore, duke u stërvitur në ambientet e stadiumit “Tomori”. Trajneri Klodian Arbëri, në një prononcim për “Panorama Sport”, zbuloi detaje nga zhvillimi i kësaj mini-faze, e cila do të shtrihet përgjatë një programi njëmujor.
- “Gjithçka e kemi nisur sipas planifikimit të mëparshëm dhe jam shumë i kënaqur, pasi futbollistët jo vetëm që janë paraqitur në kohë rekord, por që në seancën e parë kanë treguar një kondicion fizik të kënaqshëm. Kjo tregon se kanë ndjekur me përpikmëri udhëzimet tona për t’u stërvitur individualisht gjatë pushimeve. Mini-faza do të ketë ngarkesën e saj dhe futbollistët duhet ta përballojnë sa më mirë. Programi do të alternohet mes vrapimeve, aerobisë, lojës brenda grupit dhe, natyrisht, do të zhvillojmë edhe disa ndeshje miqësore, si brenda ashtu edhe jashtë fushës sonë, ndaj skuadrave të kategorive të ndryshme”, u shpreh trajneri.
Paralelisht me përgatitjet, Tomori po punon edhe për merkaton e janarit dhe për këtë proces, trajneri tha:
- “Njëkohësisht jemi të fokusuar edhe te merkatoja e janarit, ku kemi marrë kontakte me futbollistë cilësorë, të cilët i konsiderojmë të nevojshëm për interesat e Tomorit në fazën e dytë”.
Në mbyllje, trajneri Arbëri u shpreh optimist për të ardhmen:
- “E rëndësishme është që po e nisim mbarë një vit të ri kalendarik, i cili besoj se do të sjellë ndryshime të rëndësishme dhe pozitive për futbollin beratas”. Tomori synon që përmes kësaj mini-faze të ndërtojë bazat për një ecuri më të mirë në pjesën e dytë të sezonit, duke kombinuar punën fizike, organizimin në lojë dhe përforcimet e duhura në merkato.“/FK Tomori“Panorama Sport”

