Në prag të festës së Kurban Bajramit besimtarët muslimanë të vendeve të rajonit kanë filluar përgatitjen për pritjen e festës, veçanërisht për simbolin e kësaj feste muslimane, prerjen e kurbanit në përputhje me rregullat islame.

Prerja dhe shpërndarja e mishit të kurbanit realizohet në mënyrë private ose nga institucionet dhe organizatat e ndryshme brenda dhe jashtë vendit, ndërsa u ndahet të varfërve, fqinjëve dhe familjes.

Çmimet e kurbaneve në institucionet fetare në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri janë pothuajse të njëjta me ato të tregjeve. Ato variojnë nga 110 deri në 140 euro për bagëti të imëta.

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut (BFI) në mënyrë tradicionale organizon grumbullimin, prerjen dhe shpërndarjen e mishit të kurbanit, çmimi i të cilës tashmë disa vite me radhë është 120 euro. Ndërkohë, në tregjet në këtë vend çmimi varion nga 110 deri në 140 euro.

Gjithashtu edhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka njoftuar çmimin e kurbanit që qytetarët të cilët nuk kanë mundësi për prerjen e kurbanit në shtëpitë e tyre t’i paguajnë 120 euro këtij institucioni fetar, i cili organizon prerjen dhe shpërndarjen e kurbaneve familjeve në gjendje të rëndë ekonomike, jetimëve dhe personave me aftësi të kufizuara.

Çmimi i kurbanit për bagëtitë e imëta në Shqipëri është 130 euro, ndërsa çmimi i përcaktuar i kurbanit vitin e kaluar ishte 140 euro.

Edhe këtë vit, institucione dhe organizata të ndryshme, përfshirë edhe ato nga Turqia do të shpërndajnë mish kurbani për familjet në nevojë. Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV), Fondacioni për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) dhe Gjysmëhëna e Kuqe Turke me qendër në Turqi do të shpërndajnë kurbane për familjet në nevojë në qytete të ndryshme në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë, si dhe më gjerë.

Rituali i Kurban Bajramit fillon me faljen e namazit të Bajramit herët në xhami, pastaj vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi, duke përfunduar me vizitat tek të afërmit, fqinjët, shokët dhe miqtë.

Çfarë është Kurbani?

Kurbani i cili është një term fetar që në fjalor ka kuptimin të afrohesh tek Allahu, do të thotë të sakrifikosh kafshën që plotëson kushtet e caktuara për të adhuruar Krijuesin dhe kafsha e therur për këtë qëllim.

Sipas dispozitave fetare Kurbanin duhet ta therin besimtarët të cilët janë të lirë, banor i përhershëm i vendit ku gjenden si dhe i pasur sipas masave fetare. Me anë të kurbanit besimtarët synojnë të afrohen tek Krijuesi si dhe të ndihmojnë ato që nuk kanë mundësi të therin kurban.

Personat të cilët përveç nevojave të tyre themelore dhe borxhit, në rast se kanë ar me peshë prej 80.18 gram ose të holla ose ndonjë mjet në atë vlerë duhet të presin kurban.

Koha për therjen e Kurbanit, në vendet ku falet namazi i Bajramit është pas namazit të Bajramit, ndërsa në ato vende ku nuk falet pasi që të hyjë koha për faljen e namazit të sabahut. Kjo vazhdon deri në mbrëmjen e ditës së tretë sipas Hanefinjëve. Brenda kësaj periudhe Kurbani mund të therret edhe në mëngjes edhe natën. Por është më e përshtatshme që të bëhet në mëngjes.

Therja e kurbanit duhet të bëhet në atë mënyrë që gjallesat të trajtohet mirë, të mos torturohen dhe mjedisi të mbahet i pastër./ AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re