Të rinjtë që dynden sot në radhët e ambasadave në Tiranë, janë vetëm një pjesë e emigrantëve potencialë që shpresojnë të ndryshojnë rrjedhën e historisë së tyre, jashtë vendit. Sot, ndryshe nga 3 dekada më parë atyre nuk u duhet të rrëzojnë muret e ambasadave, e as të përleshen fizikisht. Beteja e tyre e vërtetë, është jashtë Bllokut të Ambasadave, me jetesën e vështirë, që ka mbjellë në sytë e tyre dëshpërimin. Të dëshpëruar si në fillim vitet ‘90, ku pas 45 viteve diktaturë, emigrimi ishte trampolina e tyre drejt një jete më të mirë, drejt lirisë së munguar. Në dyert e ambasadave asokohe u shkruan disa nga historitë e para të Diasporës së re, e të tjerat siç shpjegon studiuesi Afrim Krasniqi, kishin nisur para se sistemi të përballej me demonstratat masive të popullit.

“Janë dy procese që kanë ndodhur. Janë 3 – 4 vitet e fundit të diktaturës ku ka pasur përpjekje familjare, nominale, apo kategori të caktuara për të ikur nga Shqipëria. Dhe janë historitë e vrasjeve në kufi apo histori të tjera suksesi sidomos në zonat e jugut të Shqipërisë dhe në zonat e Shkodrës”.

Strehimi 5-vjeçar i familjes Popa në ambasadën italiane, deri në maj të vitit 1990, kur u larguan drejt Italisë, është një prej tyre. Ngjarja e bujshme u pasua më tej nga mijëra tentativa emigrimi, që studiuesi Afrim Krasniqi i sjell në botimin e Institutit të Historisë, “Kriza e Ambasadave”, si një domosdoshmëri për t’i thërritur kujtesës, për emigracionin e hidhur shqiptar në Shqipërinë e viteve ‘90. Një gjurmë memuaristike,  që e shkuara, të mos kthehet më.

“Në vitin ’90 legjislacioni në Shqipëri filloi të ndryshojë edhe për shkak të presionit publik dhe një nga temat kryesore që pati ndikim në debatin publik ishte historia e familjes Popa. Dhe për këtë arsye edhe çështja e futjes në ambasada mori një rëndësi të veçantë. Në momentin kur familja Popa u trajtua me negociatorë ndërkombëtarë dhe u largua nga Shqipëria ishte një shenjë që praktikisht edhe qytetarë të tjerë mund ta bëjnë këtë gjë. Dhe në korrik të vitit ‘90 ndodhi ajo që quhet hyrja nëpër ambasadat perëndimore dhe ambasadat e tjera në Tiranë. Është numër rekord… Rreth 5 mijë  veta. Dhe kur thua rreth 5 mijë veta për një popullsi të vogël, do të thotë që është një kategori e madhe,  janë një numër i madh familjes të shpërndarë në mënyrë gjeografike nga e gjithë Shqipëria”.

Eksodi masiv i post-diktaturës nisi, duke mbartur me vete bilancin tragjik të të arratisurve të Diasporës së vjetër, që zë fill me ardhjen e komunistëve në pushtet. Në 20 nëntor të vitit 1990, siç reflektohet në botimin e Krasniqit, Ramiz Alia do të kishte në tryezën e tij të dhënat e servirura nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku informohej për shqiptarët e larguar gjatë kësaj periudhe.

“Gjatë 46 viteve janë larguar nga vendi ynë në rrugën e arratisjes dhe të kalimit të paligjshëm të kufirit, individualisht dhe së bashku me pjesëtarë të familjeve, 13 692 persona. Prej të cilëve 988 kanë vdekur. Përveç tyre, u larguan nëpërmjet ambasadave të huaja në Tiranë 4,785 persona, ndërsa kanë ikur me pasaportë si vizitorë individualisht ose me familje dhe s’janë kthyer më akoma, rreth 800 persona”, ishte shkruar në raportin që iu dha Ramiz Alisë.

Studiuesi Afrim Krasiniqi ndërsa tregon vuajtjet e lëna në harresë të emigrantëve të parë të Diasporës së re, e cilëson 2 korrikun si datë simbol, jo vetëm për hyrjen demostrative në ambasada, por edhe për faktin se asnjëherë më parë nuk kishte pasur aq qytetarë të mbledhur, për një akt të qartë kundër regjimit

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re