Një analizë statistikore e fjalëve kyçe të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për ecurinë e reformave në Shqipëri, tregon se autoritetet shqiptare morën nota të ulëta ose shumë të ulëta në shumicën e fushave të vlerësuara ndërsa vlerësimi “mirë” ishte i rrallë e vlerësimi “shumë mirë” nuk u dha për asnjë rast.

Qeveria shqiptare duket se ka punuar pak ose aspak në drejtim të reformave të nevojshme për përgatitjen e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe ka marrë nota të këqija në shumicën dërrmuese të fushave të vlerësuara, bëhet e ditur nga një analizë statistikore e termave të përdorur nga raporti i Komisionit Evropian për progresin e Shqipërisë këtë vit. Situata nuk duket shumë ndryshe, pasi analizimi i raporteve të progresit për katër vitet e fundit jep një rezultat të ngjashëm.

Komisioni Evropian publikon çdo vit një raport për secilin vend kandidat, në të cilin vlerësohet shkalla e përgatitjes aktuale të vendit për anëtarësim, ecuria e reformave të kryera gjatë vitit të fundit si dhe një udhëzim për punët që duhen bërë për të siguruar përmirësim në raportin e vitit pasardhës.

Progresi në krahasim me vitin e kaluar matet me pesë shkallë, nga “hapa pas” deri në “progres shumë i mirë” ndërsa shkalla e përgatitjes aktuale të vendit për anëtarësim vlerësohet me pesë shkallë të tjera: “hapat e parë”, “pak nivel përgatitjeje”, “relativisht i përgatitur”, “nivel i mirë përgatitjeje” dhe “nivel i lartë përgatitjeje”.

BIRN analizoi raportet e katër viteve të fundit duke kërkuar togfjalëshat e mësipërm dhe rezultati ishte që vlerësimi për Shqipërinë nuk duket shumë pozitiv. Sa për fillim, togfjalëshi “progres shumë i mirë” shfaqet vetëm një herë dhe kjo është në rastin kur shpjegohet metodologjia ndërsa togfjalëshi “progres i mirë” shfaqet në vetëm 12 raste. Togfjalëshi “disi progres” shfaqet në 61 raste ndërsa togfjalëshi “progres i kufizuar” shfaqet në 37 raste. Në 16 raste ekspertët e Brukselit përdorin fjalën “pa progres”, ndërsa togfjalëshi “Hapa pas” nuk përdoret në asnjë rast.

Situata është e ngjashme edhe në raportet e vitit 2022, 2021 e 2020. Togfjalëshi “progres shumë i mirë” është përmendur tre herë në raportin e vitit 2021 dhe ky është vlerësimi më i mirë i shënuar deri më sot.

Bashkimi Evropian kërkon reforma të shumta e të larmishme nga Shqipëria para se vendi të jetë gati për anëtarësim. Disa nga reformat e kërkuara janë të karakterit strukturor, kërkojnë veprime komplekse dhe hanë kohë. Disa janë në dukje më të thjeshta, kërkojnë ndryshime ligjore, të cilat mund të miratohen në rast se ekziston vullneti politik, por nuk shfaqin ndonjë sfidë të madhe.

 

Për shembull, Lufta kundër korrupsionit është një fushë në të cilën Shqipëria vlerësohet se ka bërë “pak progres” gjatë vitit të fundit ndërsa ka “pak nivel përgatitjeje”. Në mënyrë që Shqipëria të bëhet gati për anëtarësim, niveli i përgatitjes duhet të vlerësohet si “i lartë”, gjë që nënkupton që për shumë vite, progresi të mos jetë i paktë, por të jetë i mirë dhe shumë i mirë. Reformat që kërkohen për këtë fushë janë gjithsesi komplekse dhe që kërkojnë kohë. Para së gjithash kërkohet “forcimi i hetimit, ngritjes së akuzave, gjykimit dhe dënimit final të rasteve të korrupsionit, veçanërisht në nivelin e lartë si dhe rritja e sasisë së sekuestrove preventive dhe konfiskimit të aseteve të krijuara nga aktiviteti kriminal i korrupsionit”. Kjo kërkon punë intensive nga një numër institutionesh, përfshirë, prokurorinë e posaçme apo gjykatat, gjë që në instancë finale, nuk bëhet shpejt.

Por, kur vjen puna te përmirësimi i klimës së lirisë së shprehjes, një fushë në të cilën Shqipëria vlerësohet se ka bërë “progres të kufizuar”, masat e kërkuara janë konkrete dhe që realizohen lehtë.

Raporti i Komisionit thotë se Shqipëria duhet të: “sigurohet për tolerancë zero ndaj frikësimit të gazetarëve dhe ndjekje efikase gjyqësore në rastet e sulmeve kundër gazetarëve, përfshirë përmes dekriminalizimit të plotë të shpifjes.” Kjo do të thotë se politikanët, para së gjithash ata në pushtet, duket të mos sulmojnë gazetarët verbalisht dhe të dënojnë rastet e dhunës kur ndodhin. Por gjithashtu kërkohen ndryshime në kodin penal, konkretisht shfuqizimi i neneve që sanksionojnë dënime penale për shpifjen dhe fyerjen, gjë që politikanët shqiptarë e kanë në dorë, por refuzojnë ta bëjnë.

Disa kërkesa të tjera të Brukselit në lidhje me median janë: “lufta kundër nivelit të lartë të përqendrimit të pronësisë në media dhe rritja e fortë e transparencës së financimit të medias, përfshirë përmes rishikimit të kërkesave ligjore për reklamat publike, në përputhje me standardet Evropiane.”

Pjesa e parë ka të bëjë me kufizimin e pronësisë në kompanitë mediatike televizive me licenca kombëtare apo lokale, ndërsa e dyta ka të bëjë me shmangien e përdorimit të ligjit të prokurimeve publike nga autoritetet qeveritare kur këta japin reklama në media. Aktualisht reklamat e qeverisë paguhen në media në mënyrë të fshehtë dhe pa transparencë. Ato bëhen pa garë, gjë që do të thotë se autoritetet publike zgjedhin vetë median ku do të reklamojnë. Kjo sjell probleme të mëdha, në drejtime të shumta; nga njëra anë, qytetarët nuk janë të informuar nëse një emision televiziv është produkt i punës gazetareske apo është propagandë e qeverisë dhe nga ana tjetër, qeveria përfiton mbështetje nga media në fushatat e saj zgjedhore, duke cënuar standardet e zgjedhjeve.

Zgjidhjet në këtë lloj problemi, nuk kërkojnë kohë dhe nuk janë komplekse, por dukshëm nuk bëhen për shkak të mungesës së vullnetit politik.

Në raportin e progresit ka një numër të konsiderueshëm rekomandimesh, të cilat synojnë të krijojnë në Shqipëri standardet e nevojshme zhvillimore për anëtarësim. Por në shumicën dërrmuese të këtyre fushave, pavarësisht nëse janë të vështira apo të lehta, progresi i shënuar vitet e fundit është “i paktë” ose “i kufizuar”. /BIRN

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re