Opozita po aplikon një bojkot të radhës së parlamentit, edhe pse nuk a ka shpallur atë si të tillë me vendim politik. PD e LSI, javë më parë vendosën për marrëdhënie të kushtëzuara, një formulë evazive, gjë që në realitet po përkthehet si bojkot. Bojkot për çfarë? Por të zezat e qeverisjes apo për një sjellje të padenjë të mazhorancs kundrejt opozitës, çka e detyron këtë të fundit që të aplikojë kartën ekstreme të bojkotit? Kjo e dyta nuk ka ekzistuar, gjersa as vetë opozita nuk ka ngritur ndonjë ankesë a pretendim. E para është thjesht politikë. Për një opozitë në Shqipëri, i cilitdo krah qoftë ajo, qeverisja është gjithë të zeza. Por kjo nuk ka pse duhet të çojë në bojkot. Parlamenti e jo bojkoti, është dhe një prej udhëve për t’u ngjitur në pushtet, ku një opozitë shpalos cilësinë e saj politike.

Por nëse nuk funksionon kjo logjikë politike, atëherë u duhet bërë e qartë atyre që vendosin të aplikojnë bojkotin, se nëse ata vendosin gjithashtu që “të marrin rrogën pa shkuar në punë”, atëherë po bëjnë një vjedhje të hapur.

Vjedhja nuk është formë por  përmbajtje, pra thelb.

Dhe në thelb, gjersa një deputet e merr pagën edhe pse vendos të mos bëjë asnjë aktivitet parlamentar të detyrueshëm, kjo është thjesht vjedhje.

Një bojkot që nuk shoqërohet dhe nga heqja dorë prej pagës, i le një njollë të rëndë morale forcës politike që e aplikon dhe e bën çdo akuzë të saj apo çdo kredo, nul dhe të pavlerë. Ky ka qenë dhe vijon të jetë dhe aspekti më i ndyrë i çdo bojkoti, që nga viti ‘91, aplikuar në dy kahjet politike dhe pavarësisht motiveve, ku shfaqet e njëjta simptomë: kur rrezikohet paga, ka një kthim formal në parlament. Këtë pritet të bëjë këto ditë dhe opozita PS-LSI. Por çuditërisht, edhe pse mediatikisht potencohet ky fakt, po mediatikisht nuk ka asnjë lloj ngacmimi për këtë çmenduri që vijon prej 27 vitesh, që kur PD ndërrmori bojkotin e parë pas zgjedhjeve të 31 marsit ’91, kohë kur parlamenti drejtohej nga Adil Çarçani. Siç dje, edhe sot, gjuha e medias ndaj opozitës duhet të artikulojë vetëm një pyetje: përse nuk bojkotoni dhe pagat kur vendosi të bojkotoni parlamentin? Nëse nuk ezaurohet dhe qartësohet ky aspekt, bojkotuesit duhet të trajtohen si vjedhës potencialë, sepse thjesht e qartë: “marrin pagën pa bërë punën”.

Bojkoti do kishte vlerë vetëm nëse braktiset edhe paga.

Në mos u bëftë dhe pjesë e Rregullores së parlamentit një ditë, ajo që kush bojkoton, qoftë dhe një ditë të vetme, duhet t’i pritet paga, – gjë që duhet të ndodhë me patjetër për t’i vënë fre kësaj marrëzie – do mjaftonte vetëm aspekti moral, ajo pjesë sado e vogël e ndërgjegjes së pastër njerëzore, që deputeti mos të firmosë për një pagë e cila nuk i takon. Prej këtu buron morali politik, prej këtij akti. Nëse kjo nuk ndodh, më e pakta, bojkotuesi në kushte pushteti ka humbur çdo të drejtë për t’i kërkuar gjindjes që e udhëheq respektimin e detyrimeve fiskale. Sepse në kushte opozite, këtë të ardhur fiskale, pra taksat e publikut, ai i ka vjedhur. I ka vjedhur duke marrë pagën e përbërë nga këto taksa, me mosshkuarje në punë.  

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re