Në orën 21:30 fillon lëshimi i dytë në disiplinën e Slalomit Gjigant.
COLORADO, SHBA – Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi ka bërë një tjetër paraqitje solide në Kupën e Botës, teksa është renditur e 6-ta në lëshimin e parë të garës në disiplinën e Slalomit Gjigant, etapë kjo e katërt e Botërorit të Skive.
Pas suksesit të madh në Levi dhe Gurgl, ku Colturi u ngjit në podium dhe mori medaljen e argjendtë, 19-vjeçarja që përfaqëson Shqipërinë regjistroi kohën 1:00.14, të njëjtën me kanadezen Valerie Grenier, duke ndarë vendin e gjashtë. Ajo mbeti +1.11 sekonda larg kryesueses së garës, Alice Robinson nga Zelanda e Re, e cila udhëheq renditjen provizore me kohën 59.03 sekonda.
Rezultati e mban Colturin në pozita shumë të mira për zbritjen e dytë, ku do të ketë mundësinë të ngjitet më lart në renditje dhe të synojë sërish zonën e podiumit.

Me 196 pikë në total pas tre garave të para, Lara Colturi mban për momentin vendin e dytë në renditjen e përgjithshme. E para me 250 pikë Mikaela Shiffrin.
