Komiteti i Llogaritjeve Publike i Parlamentit Britanik njoftoi se gjendja lidhur me personat e pastrehë është shndërruar në “krizë nacionale”.
Sipas raportit të komitetit në fjalë, më shumë se nëntë mijë persona jetojnë në rrugë në Britani, kurse 78 mijë familje jetojnë në strehimore të përkohshme, ndërkohë që numri i fëmijëve që jetojnë në këto strehimore arrin në 120 mijë.
“Pastrehësia në Britani ka arritur në një krizë nacionale”, thuhet në raport, në të cilin theksohet se shtatë vitet e fundit problemi ka shënuar rritje të shpejtë.
Nga viti 2011, numri i personave që jetojnë në rrugë është rritur për 134 për qind, ndërsa i atyre që jetojnë në strehimore është rritur për 63 për qind, thuhet në raport.
Komiteti gjithashtu pohoi se në këto statistika nuk përfshihet numri i “të pastrehëve të fshehtë”, të cilët janë strehuar te familjarët e tyre pasi kanë humbur shtëpitë ose nuk kanë mundur të paguajnë qiranë.
Në raport rikujtohet se qeveria planifikon që deri në vitin 2027 të ulet në zero numri i të pastrehëve që jetojnë në rrugë, ndërsa paralajmërohet se nëse vazhdojnë kushtet aktuale, ka gjasa që numri brenda një viti të rritet për 76 për qind.
Mosha mesatare e të pastrehëve është 47 dhe probabiliteti për të qenë viktima të dhunës është 17 herë më i madh se i një qytetari ordiner, shkruan aa.
– “Dështim i turpshëm”
Kryetari i komitetit, deputeti nga Partia Laburiste, Mg Hiller, i cilësoi si dështim të turpshëm politikat e qeverisë për problemin e strehimit.
Hiller gjithashtu theksoi se qeveria duhet të bëjë më shumë për matjen dhe kuptimin e kostove të vërteta të pastrehësisë dhe vuri në pah rëndësinë e gjenerimit të banesave të lira.
Shoqëria civile paralajmëron se të pastrehët dhe problemi i atyre që jetojnë në rrugë është shumë më i madh sesa që tregojnë regjistrat zyrtarë. Sipas shoqatës St Mungo e cila është e angazhuar me aktivitete për të pastrehët, vetëm në kryeqytetin Londër në rrugë jetojnë nëntë mijë persona.
Prej atyre që jetojnë në rrugë, 17 për qind janë nga vendet e Bashkimit Evropian (BE), pesë për qind nga vendet jashtë BE-së, 17 për qind janë femra dhe shtatë për qind janë persona më të rinj se 25 vjeç. /KosovaPost/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re