Bujar M. Hoxha

Presidenti turk urdhëroi dje nisjen e një operacioni ushtarak, të menduar dhe të përgatitur prej kohësh, në tokën siriane, në lindje të Eufratit. Avionët, tanket dhe topat e ushtrisë turke kanë marrë tashmë iniciativën, për të çuar në vend atë që nuk e bëri dot diplomacia prej vitesh.

Shkruan: Bujar M. Hoxha

“Barış pınarı”, në shqip, “Burimi i paqes”, është operacioni i tretë ushtarak që Turqia ndërmerr në tokën siriane në pak vite. “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e ullirit”, dy operacionet e mëhershme, të përfunduara me objektiv të arritur, u kryen në perëndim të Eufratit. Operacioni i saponisur, në pjesën tjetër të Eufratit, është më i koklavituri, për shkak të ndërthurjes së shumë interesave dhe strategjive ndërkombëtare.

Rezultatet e këtij operacioni do të kenë ndikim mbi Turqinë, mbi sigurinë e saj, mbi kërcënimet për integritetin e saj territorial, mbi vetë Sirinë, por dhe mbi planet afatgjate për rajonin të bëra nga aktorë larg tij.

Paqartësitë dhe hezitimet e vogla të shprehura në tryeza debatesh mediatike nga analistë dhe ekspertë të sigurisë në Turqi kanë patur të bëjnë pikërisht me vështirësitë e një operacioni të tillë, por jo në përgjithësi me nevojën për të.

Marrja e një vendimi kaq të guximshëm vjen pas një periudhe të gjatë përpjekjesh diplomatike të Turqisë për të gjetur një zgjidhje tjetër, e cila do të shmangte operacionin ushtarak. Përpjekjet disavjeçare nuk dhanë asnjë rezultat: synimi i Turqisë për të krijuar një zonë sigurie përgjatë vijës kufitare me Sirinë, në pjesën tjetër të kufirit, nuk u mor asnjëherë seriozisht, fjalëve nuk ua zunë vendin veprat në terren! Premtimet nuk u konkretizuan kurrë ndërsa Turqia shihte me ankth se si po i cenohej siguria në jugun e vet nga trupa armiqësore të mirarmatosura.

Një hapësirë e jashtëzakonshme në lindje të Eufratit është në duart e atyre që Turqia i çmon si dega siriane e PKK-së, organizatës terroriste kurde, me të cilën nuk ka të ndalur përplasja. Lidhjen e PYD-së dhe YPG-së me PKK-në e kanë vënë në pah dhe senatorë amerikanë që sot deklarohen ashpër kundër Turqisë. Dalja në pah dhe forcimi real i PYD-së e i krahut të saj të armatosur, YPG-së, nisi seriozisht kur ish-presidenti amerikan, Barack Obama, i vlerësoi ato si grupet më të organizuara në terren për të luftuar ISIS-in, në ekspansion asokohe. YPG nisi të marrë armatime.

Siç nënvizon Merve Shebnem Oruç (Merve Şebnem Oruç), një artikullshkruese e mirënjohur turke dhe me dije të thella, në një artikull të saj të botuar te “Daily Sabah”, “kritika më e ashpër në Uashington kundër ish-presidentit erdhi nga senatori republikan Lindsey Graham. Ai ishte i pari senator që i kritikoi vendimet e gabuara të Obama-s dhe aksionin në vendosjen për ta përdorur YPG-në si një forcë në terren në Siri për të luftuar DAESH-in”.

Artikullshkruesja kujton një takim të vitit 2016 në Komitetin e Senatit Amerikan për Shërbimin e Armatosur, duke shkruar se Graham thoshte asohere që, “Ne po armatosim njerëz brenda Sirisë që janë të rreshtuar me një grup terrorist; ky është konkluzioni i qeverisë turke. Ata mendojnë se kjo është ideja më e trashë në botë, dhe unë pajtohem me ta.” “Sot,” shkruan ajo, “i njëjti Lindsey Graham kërcënon Turqinë.”

Po Lindsey Graham deklaronte në një intervistë në janar të këtij viti për televizionin CNN TÜRK se, “Jam i sigurt se ka një lidhje midis PKK-së dhe YPG-së. E kam thënë këtë dhe në 2016-n.”

Parashtrimi i mësipërm vjen në ndihmë për të kuptuar se në thelb ka një mospajtim të gjatë mes dy aleatëve të fortë të NATO-s, SHBA-së dhe Turqisë, në lidhje me qëndrimin ndaj PYD dhe YPG (apo dhe organizimeve të tjera të ngjashme nën të njëjtën ombrellë) në Siri. Amerikanët i kanë parë ato si më të duhurat, si aleate, për të luftuar kundër ISIS-it, turqit i kanë gjykuar gjithmonë si kërcënim për vendin e tyre.

Për Turqinë, dega siriane e PKK-së e shtrirë territorialisht në lindje të Eufratit kërcënon sigurinë e saj. Në qindra kilometra kufi me Sirinë në këtë territor, Turqia ka në krahun tjetër zgjatimin e PKK-së të armatosur më së mirë. Sipas qëndrimit turk, operacioni  kërkon ta kthejë një korridor terrorist në një korridor paqeje. Objektiv janë grupet terroriste në rajon, ato të lidhura me PKK-në, si dhe DAESH-i, si kërcënim kryesor për sigurinë dhe stabilitetin e Turqisë.

Senatori Lindsey Graham ka qenë mjaft energjik gjatë orëve të fundit. Në një reagim të tij në Twitter lexojmë: “E nxis presidentin Trump të ndryshojë kurs ndërsa ka ende kohë për t’iu kthyer konceptit të zonës së sigurisë që po funksiononte.” Ai e ka fjalën për një marrëveshje të fillimgushtit mes dy aleatëve të tensionuar që parashikonte bashkëpunimin në veriun sirian, por që pak rezultate ka dhënë pas dy muajsh.

Amerikanët të cilët e kundërshtojnë operacionin i druhen një rishfaqjeje të ISIS-it në Siri. Teksa i quan aleatët kurdë të braktisur nga administrata e Trump-it, Graham hedh këto fjalë në Twitter: “Kjo lëvizje siguron rishfaqjen e ISIS-it”. Një pretendim i pabazë nëse marrin në konsideratë premtimin e Turqisë për ta luftuar dhe këtë organizatë terroriste, siç ka bërë në dy operacionet para këtij të fundit.

Presidenti amerikan, i gjendur mes zjarresh në politikën e brendshme, nuk ka patur një reagim konsekuent në dy apo tre ditët e shkuara. Ai ka lëvizur nga lavdërimet te kërcënimet e forta ndaj Turqisë! Për ta shtuar pështjellimin, Erdogan do të jetë më 13 nëntor në Uashington me ftesë të homologut të tij amerikan. Deri atëherë mund (duhet) të kenë ndodhur shumë gjëra, kështu që pikëpyetje të forta ka për këtë takim të paralajmëruar pikërisht në këtë moment vlues.

Turqia, avionët e së cilës janë futur thellë në tokën siriane, synon fillimisht me këtë operacion që ta pastrojë kufirin me Sirinë në lindje të Eufratit nga kërcënimet e drejtpërdrejta, për të krijuar më pas një zonë sigurie në të cilën të mund të vendosen një numër i madh refugjatësh sirianë që do të kthehen në vendin e tyre. Ende nuk dihet saktësisht se si do të veprohet me luftëtarët e ISIS-it dhe familjarët e tyre që ndodhen në Siri në atë territor në kampe apo të burgosur. Madje nuk thuhet qartësisht se ku janë ata të përqendruar. Për numrin e tyre po ashtu nuk ka një shifër të saktë, as pajtim. E keqja është se një pjesë e tyre nuk pranohen nga vendet e origjinës, as dhe për t’u gjykuar.

Duhet pranuar se Turqia ka shfaqur durim të jashtëzakonshëm në pritjen që çështja e saj jetike e sigurisë në kufirin jugor me Sirinë në lindje të Eufratit të zgjidhet në mënyrë diplomatike. Presidenti Erdoğan u ka rezistuar për shumë kohë zërave brenda vendit për ta nisur operacionin një orë e më parë. Pakënaqësitë nuk janë fshehur, por janë shprehur hapur në çdo takim dypalësh me amerikanët.

Durimi i turqve mbërriti në pikën ku nuk mbante më, vlerësuar strategjikisht. Ata e kanë parë të arsyeshme të veprojnë ushtarakisht. Thënë me gojën e tyre, operacioni nuk ka objektiv civilët, por terroristët, nuk ka objektiv kurdët, por terroristët kurdë që kërcënojnë sigurinë e Turqisë, nuk ka objektiv asnjë grupim fetar apo etnik, nuk ka objektiv as ndryshime demografike në terren, që në fakt janë imponuar forcërisht nga militantët e PYD-së dhe YPG-së, duke zhvendosur më herët kurdë, arabë e turkmenë.

“Burimi i paqes” është një operacion ushtarak kritik për Turqinë. Nga suksesi i tij varet shumë dhe pesha e nesërme e Turqisë në rajon dhe më gjerë. Vija kufitare me Sirinë në lindje të Eufratit i ishte kthyer Turqisë prej vitesh në një litar fytshtrëngues. Pos kësaj, Turqia po luan gjeopolitikisht në rajon siç po luajnë shumë aktorë të tjerë. Legjitimitet i jep Turqisë fakti se është e prekur drejtpërdrejt jo më nga një luftë civile, por nga një luftë e subvencionuar shumëvjeçare me pasoja për të ardhmen. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re