Subscribe

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar informacion shtesë sa i takon 13 Call Center-ave që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Tiranë, pasi dyshohet se përmes mashtrimit, kanë përfituar shumë të mëdha parash në euro.

Sipas burimeve, mësohet se këto Call Center-a, kanë mashtruar një numër të madh qytetarësh të huaj të Bashkimit Europian, përmes premtimeve të rreme duke u thënë se do të fitonin shuma parash nëse do të investonin në bursa të ndryshme. Dyshohet se janë afro 1 mijë persona kanë rënë viktimë e këtij rrjeti.

Në kuadër të këtij hetimi, organi i akuzës i ka kërkuar bankave të nivelit të dytë në Shqipëri që të mundësojnë të dhëna mbi transaksionet e kompanive në fjalë gjatë dy viteve të fundit për të bërë verifikimet përkatëse.

Ka të dhëna se bëhet fjalë për një mashtrim me vlerë disa milionë euro, të cilat qytetarët e vendeve të BE-së i kanë dërguar në llogaritë e Call Centera-ve me bazë në Shqipëri duke menduar se po investonin në bursa.

Operatorët shqiptarë prezantoheshin si përfaqësues të kompanive të njohura të bursave në BE për te krijuar besim tek klientët e tyre. Më pas operatorët  u kërkonin investime në para klientëve, duke u premtuar se do të fitonin më tepër përmes bursës.

Gjermania dhe Holanda ishin dy vendet e para që shprehen shqetësim në lidhje me këtë mashtrim, ndërkohë që ka të dhëna se janë gënjyer edhe shtetas nga Italia, Franca etj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re