Hakan Calhanoglu, Carlos Augusto dhe Marcus Thuram: jo domosdoshmërisht sipas radhës, por këta janë tre lojtarët, me të cilët Interi do të rinovojë kontratën. Me vullnet dypalësh, sigurisht. Edhe nga ana e mesfushorit turk, që javët e fundit sikur kishte ngritur dyshime, duke krijuar përshtypjen e një mundje dore me klubin.
Tani nuk ka asnjë dyshim. Marotta, Baccin dhe Gordon Stipic, prokuratori i Calhanoglu, janë takuar dhe do të takohen shpesh gjatë javëve të ardhshme për të mbyllur marrëveshjen e re para se të përfundojë viti 2026. Parashikohet që kontrata të zgjatet edhe për dy vjet pas skadencës aktuale në qershor të 2027-ës. Ka një akord për kohëzgjatjen, por ende jo për shifrat.
Mesfushori përfiton aktualisht 6.5 milionë euro në sezon. Mosha dhe dëmtimet që lojtari ka pasur dy vitet e fundit e bëjnë klubin zikaltër që të mbrohet, por pa humbur besimin te “Calha”, thelbësor në aspektin taktik.
Në tavolinën e drejtuesve zikaltër janë edhe dosjet e Carlos Augusto dhe Thuram. Braziliani është gati për firmën që do ta lidhte me Interin deri në vitin 2031. Me sulmuesin francez janë bërë kontaktet e para për të projektuar të ardhmen përtej 2028-ës. Vullneti është për një “kontratë të përjetshme” dhe ideja është për të ndjekur me Thuram të njëjtën rrugë si me Lautaro Martinez.
