Turqia përsëriti sot se do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur turqit qipriotë pas vendimit të SHBA-së për heqjen e embargos së armëve ndaj administratës greke qipriote.

Ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu, duke folur në një takim me të studentë në Universitetin Pamukkale, tha se Ankaraja “do të dërgojë më shumë forca për të mbrojtur qipriotët turq dhe do t’u sigurojmë atyre gjithçka që u nevojitet për sa u përket armëve”.

Sipas kryediplomatit turk, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se masa ishte një mënyrë për të “shpërblyer administratën greke qipriote për bashkëpunimin e saj në çështjen e pastrimit të parave”.

“Siç e dini, administrata greke qipriote është e famshme për pastrimin e parave”, tha ai.

Më 16 shtator, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi heqjen e embargos së armëve ndaj administratës greke qipriote.

Ministria e Jashtme turke e dënoi veprimin, duke thënë se është “në kundërshtim me parimin e barazisë së të dy palëve në ishull dhe do të forcojë më tej mospajtueshmërinë e palës greke qipriote, do të ndikojë negativisht në përpjekjet për të zgjidhur çështjen e Qipros dhe do të çojë në një garë armësh në ishull, duke dëmtuar paqen dhe stabilitetin në Mesdheun Lindor”.

Qiproja është zhytur në një mosmarrëveshje prej dekadash midis grekëve qipriotë dhe turqve qipriotë, pavarësisht nga një sërë përpjekjesh diplomatike nga OKB-ja për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Sulmet etnike që filluan në fillim të viteve 1960 i detyruan qipriotët turq të tërhiqen në enklava për sigurinë e tyre.

Në vitin 1974, një grusht shteti qipriot grek që synonte aneksimin e ishullit nga Greqia çoi në ndërhyrjen ushtarake të Türkiye-s si fuqi garantuese për të mbrojtur turqit qipriotë nga persekutimi dhe dhuna. Si rezultat, në vitin 1983 u themelua Republika Turke e Qipros Veriore.

Vitet e fundit ka pasur një proces për arritjen e paqes, duke përfshirë një iniciativë të dështuar të vitit 2017 në Zvicër nën kujdesin e vendeve garantuese Türkiye-s, Greqisë dhe Britanisë.

Administrata greke qipriote hyri në BE në vitin 2004, në të njëjtin vit kur grekët qipriotë penguan planin e OKB-së për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re