Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku është shprehur se ligji për investimet strategjike, cënon konkurrencën dhe ky ligj e vendos Kuvendin në funksion të një noteri.

Gjatë fjalës në Komisionin e Ekonomisë, Tabaku u shpreh se ky është nga ligjet me më pak transparencë, pasi sipas deputetes demokrate, nuk ka asnjë publikim të vendimeve të Këshillit të Investimeve.

“Qartësisht ligji i investimeve strategjike shkel MSA sepse cënon konkurrencën, nuk ka konkurrencë të hapur nga 88 propozime siç e thatë ju shumë pak janë refuzuar, duke treguar nivelin e lartë të pranimeve që do të thotë propozimet që shkojnë para Këshillit të Investimeve Strategjike janë propozime që në 80% të rasteve pranohen, që do të thotë që janë të përgatitura dhe shumica e tyre në 82% janë në turizëm. Ka vetëm 2 në bujqësi,ka 2 në automotive dhe unë këto të dhëna i kam mbledhur me kërkesë deputeti sepse e theksoj që procesi nuk ka transparencë në vendimmarrje”, theksoi ajo.

Tabaku shtoi se ky ligji ka favorizuar një pakicë kompanish duke cenuar konkurrencën, por edhe frymën që duhet të përçojë një ligj investimesh për të tërhequr investime të huaja.

“Prioritetet janë vendosur në mënyrë të gabuar sepse nuk kemi një ndarje të qartë ku do fokusohemi për shembull fokusimi tek sektorët: bujqësia ose turizmi mjekësor nëse do e kishim prioritet, do kishim një diskutim tjetër në Komision por hajde ta shtyjmë dhe tre vite se ka kërkesa që nuk janë pranuar, mua nuk më duket një argumentim serioz për një ligj”, shtoi ajo.

Fjala e plotë e Jorida Tabakut:

Unë ju ndoqa me shumë interes ashtu siç kam ndjekur këtë ligj që në momentin e parë që është miratuar. Dua ti kujtoj të gjithëve që ligji lindi në vitin 2015 si një ligj i përkohshëm për 3 vite deri ne vitin 2018 ku Qeveria tha që në një periudhë të ndërmjetme për të hartuar një ligj të plotë integral investimesh ne po bëjmë ligjin e investimeve strategjike.Më pas Qeveria e shtyu përsëri më një vit deri në 2019, zoti Beqja nga 2019-2020, detyrën sublime më pas e mori zoti Bushati 2020-2021, zoti Pëllumbi 2021-2023 më pas zoti Shalsi 2023-2027.

Unë zoti Shalsi ashtu siç ju e përmendët disa herë në mbledhje kam bërë një propozim që ky ligj ti ndërpriste efektet që vitin e shkuar dhe ju në cilësinë e kryetarit të Komisionit më thatë që ky ligj do përfundojë në fund të vitit kështu që nuk është e nevojshme ta ndalojmë në mes të vitit. Ne po hartojmë thatë ju, për 10 vitet e fundit një ligj për investimet dhe duhet që ky ligj të mbarojë deri në fund të vitit dhe ne të hartojmë ligjin integral të investimeve. Por e vërteta ishte në fakt që ju kërkuat ta shtyni dhe 3 vite të tjera dhe unë nuk besoj që ka ligj në historinë e Parlamentit shqiptar që ka lindur i përkohshëm dhe është bërë më i përhershëm se shumë ligje bazë. E kam këtu propozimin tuaj dhe u përpoqa të gjeja llogjikën, ju ndoqa dhe me vëmëndje kur përmendët nivelin e investimeve: ka pasur një volum shumë të lartë investimesh të huaja thatë ju ndërkohë që mua nuk më rezulton. Unë dhe sot e kësaj dite nuk e di sa vende të reha pune janë krijuar, sa të ardhura shtesë janë gjeneruar , sa investime të huaja kanë ardhur.

Unë në përpjekjet e mia titanike kur bëra propozimin për ligjin e investimeve strategjike i kam nisur mbi 15 shkresa Aidës por dhe KM për të marrë informacion mbi zbatimin e ligjit të investimeve strategjike dhe më rezulton që nga e gjithë lista ishin vetëm 3 investitorë të huaj, nuk kishte asnjë analizë të qëndrueshmërisë apo efektit të ligjit. Ky është nga ligjet me më pak transparencë sepse nuk ka asnjë publikim të vendimeve të Këshillit të Investimeve. Unë i kam marrë ato me shkresa deputeti.

Ne ndodhemi në një moment shumë të rëndësishëm dhe për sa i përket procesit të integrimit dhe çdo ligj duhet patjetër të ishte në frymën dhe të këtij procesi. Qartësisht ligji i investimeve strategjike shkel MSA sepse cënon konkurrencën, nuk ka konkurrencë të hapur nga 88 propozime siç e thatë ju shumë pak janë refuzuar, duke treguar nivelin e lartë të pranimeve që do të thotë propozimet që shkojnë para Këshillit të Investimeve Strategjike janë propozime që në 80% të rasteve pranohen, që do të thotë që janë të përgatitura dhe shumica e tyre në 82% janë në turizëm. Ka vetëm 2 në bujqësi,ka 2 në automotive dhe unë këto të dhëna i kam mbledhur me kërkesë deputeti sepse e theksoj që procesi nuk ka transparencë në vendimmarrje. Ndërkohë që ligji ka favorizuar një pakicë kompanish që në gjykimin tim ka cënuar konkurrencën por edhe frymën që duhet të përçojë një ligj investimesh për të tërhequr investime të huaja. Prioritetet janë vendosur në mënyrë të gabuar sepse nuk kemi një ndarje të qartë ku do fokusohemi për shembull fokusimi tek sektorët: bujqësia ose turizmi mjekësor nëse do e kishim prioritet, do kishim një diskutim tjetër në Komision por hajde ta shtyjmë dhe tre vite se ka kërkesa që nuk janë pranuar, mua nuk më duket një argumentim serioz për një ligj.

Nga ana tjetër këtu nuk janë mbështetur sektorët kyçë që do duhej të shoqëronin qoftë edhe një raport që ky Komision ka përgatitur me nënkomisionin e SDG që është efektiv prej pak kohësh. Nga ana tjetër ka pasur proces legjislativ jo të qartë. Këtë ligj e shoh të lidhur dhe me ligjin e zonave të mbrojtura.

Dhe me propozimin e Qeverisë e cila ka propozuar që ndërtimet në zonat e mbrojtura të lejohen dhe në ato raste kur ka investime strategjike. Ne nuk kemi as sot e kësaj dite proces përzgjedhjeje të projekteve bazuar mbi disa kritere të qarta, është totalisht abuziv. Ofrimi i lehtësirave fiskale ka ndodhur në një masë joproporcionale për një grup biznesesh por dhe në mungesë të një analize të përfitimeve që ka pasur, ka pasur gjykime për përfitime që janë dhënë dhe në konflikt interesi por ndërkohë nga ana tjetër sot e kësaj dite, unë jam deputete dhe kërkoj informacion në mënyrë aktive dhe nuk i di cilat janë efektet reale që ka ligji që ju sot doni ta shtyni përveç dëmit që ka dhënë në dy drejtime: cështje të pronës, problematika mbi cënimin e pronës private për të cilin kam bërë një amendim në 2015, në gjykimin tim është shkelje kushtetuese e të drejtës së pronës që shteti të ndërhyjë në të drejtën e pronës për ta shpronësuar një pronë private me çmime jo tregu por çmime reference nga VKM, një marrëdhënie që mund të jetë e privatëve por ka rezultuar me abuzime që nuk ka nevojë ti përmend këtu me raste konkrete por një Kadastër e tërë e Durrësit dhe e Vlorës janë ngritur përpjetë nga abuzimi i këtij ligji; dhe nga ana tjetër ka një mungesë totale kontrolli të marrjes së vendimeve, kontrollit të screening, të fondeve që kanë hyrë në këtë proces e kështu me rradhë.

Unë gjykoj zoti Shalsi që sot Qeveria duhej të fokusohej te premtimi i dhënë në vitin 2015 kur erdhi ky ligj dhe jam e gatshme dhe të ndihmoj për një ligj integral investimesh që ka dhe një proces të screening që do të thotë do lejojmë neve që të futen në investimet në Shqipëri fonde ruse? Fonde kineze? Fonde të pakontrolluara? Do lejojmë ne sot që të kemi prishje të balancës dhe qëndrueshmërisë së mjedisit? Do lejojmë ne sot që po një grusht kompanish të marrin tendera, koncensione dhe investime strategjike apo do ta hapim tregun dhe do lejojmë konkurrencë? Nëqoftëse jeni gati që të bëjmë një ligj i cili ndryshon rregullat e lojës dhe bazohet te konkurrenca dhe i jep mundësi gjithë kompanive që të kenë akses në këto investime strategjike që tashmë konsiderohen privilegj sigurisht që jemi gati por një shtyrje e ligjit e datës edhe në mënyrë antikushtetuese me një ligj që i ka përfunduar efekti që në fund të vitit të shkuar dhe që dy muaj hapësirë doni që ti jepni efekte prapavepruese sikur është ligj kriminal, sikur ka lidhje me efekte që lidhen me jetën, shtetin mua më duket e pakonceptueshme.

Në mungesën tuajën zoti Shalsi unë ju referohem juve me shumë respekt sepse në fund të ditës ne jemi koleg megjithëse ne mendojmë ndryshe. Ne biem dakord që mua nuk do më mbushet ndonjëherë mendja për këtë ligj ashtu siç nuk do më mbushet mendja për ndalimin e efekteve të ligjit vitin e kaluar. Për mua është e papranueshme që në procesin e ligjit të basteve sportive mbledhje pa mbledhje nuk keni lënë rast pa përmendur kolegë që kërkojnë informacion. Nuk është herezi të kërkosh informacion. Ju duhet ta kishit dhënë në kushtet e vështira që është Parlamenti, kushtet e vështira të mungesës së informacionit ju duhet ta kishit qënë gati që ta jepnit këtë informacion. Edhe për hapjen e Komisionit, nuk asgjë të keqe të kërkojmë draftet e ligjit pastaj ndodhemi të gjithë në një rreth vicioz ku vetëm ne kundërshtojmë, ju vetëm mbroni.

Ju bën mirë dhe juve debati parlamentar, nuk na bën mirë vetëm ne. Kështu që zoti Shalsi, unë gjukoj që nga këto 88 propozime investimesh që kanë ardhur me 44 propozime që janë miratuar me një sërë të tjerash të cilat janë në proces,me një mungesë transparence,llogaridhënie, me përqëndrim në pak duar, me një proces të dyshimtë i cili është i përqëndruar 82% të rasteve në turizëm pa asnjë matje dhe asnjë vlerësim të efekteve të ligjit qoftë nga pikëpamja e volumit të investimeve të huaja, punësimit, domëthenies për komunitet ku ky ligj është vlerësuar, mua më vjen keq t’ju them që ky ligj në gjykimin tim është abuziv dhe kur më pyesni kush është ligj që konsiderohet kapje shteti, ky është një ndër ato.

Ky ligj është ligj që qartësisht e vendos Kuvendin në funksion të një noteri për vendimet tashmë të marra nga ana e Qeverisë. Komisioni i Ekonomisë ka treguar që është ngritur në një nivel tjetër kur ka qenë rasti për tu bërë bashkë, për ndryshime pozitive në një sërë ligjesh të cilat nuk kam asnjë kompleks ti përmend kur është e nevojshme, por më vjen keq që në këtë rast është duke plotësuar një kërkesë të Qeverisë dhe jo duke luajtur rolin e tij të plotë legjislativ që i kërkon. Ju kërkoj ndjesë nëse ju bezdisa se jeni mësuar kohët e fundit me ligjërata që ndoshta ju pëlqejnë që të gjithëve me pak përjashtime por besoj që doja të flisja për këtë ligj sepse kam që në 2015 që bëj një betejë parlamentare qoftë me amendime qoftë me propozime për ndryshime për të cilat koha më ka dhënë të drejtë që kanë qënë reale dhe ajo që i duhej momentit dhe investimeve të huaja.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re