Nga Namir LAPARDHAJA

Diku kam lexuar se Johan Stuart Mill-in aty rreth moshës njëzetvjeçare e ka kapluar një dëshpërim i rëndë, duke u bërë i pandjeshëm ndaj çdo lloj kënaqësie, si dhe ndaj çdolloj ndjenje të këndshme. Përdori ilaçe për këtë gjendje, mirëpo asnjë prej tyre nuk pati efekt. Kjo gjendje i zgjati rreth dy vite. Pastaj, pak nga pak, erdhi duke u zhdukur.
Cila ishte arsyeja e shërimit? Leximi i një libri, ku gjeti aty shprehjen e ndjenjave të veta, të fisnikëruara nga bukuria e vargjeve.
Po kështu, letërsia ka shërbyer si shërim i vetëm edhe për qindra e mijëra njerëz, të cilët, në vende të ndryshme të botës, kanë jetuar në sisteme diktatoriale, duke përjetuar drama nga më të ndryshme në jetën e tyre.
Një prej këtyre shembujve është Shqipëria.
Letërsia mund të shihet edhe nga aspekti social, edhe pse mjaft i debatueshëm në studimet e sotme për letërsinë.
Letërsia mund të bëjë shumë gjëra, duke na shtrirë dorën kur jemi thellësisht të dëshpëruar, të na drejtojë nga qeniet e tjera përreth nesh, të na bëjë të kuptojmë edhe më mirë botën dhe të na ndihmojë të jetojmë.
Si filozofia dhe shkencat humane, letërsia është mendim dhe njohje e botës psikike dhe shoqërore, të cilën ne e jetojmë. E vërteta se letërsia ka si aspirat të kuptuarit është thjesht përvojë njerëzore.
Për ta konkretizuar idenë time, do të ndalesha në dy novela të Mitrush Kutelit, “Vjeshta e Xheladin Beut” dhe “Qysh e gjeti Ago Jakupi rrugën e Zotit”.
Në dallim nga filozofia, këto vepra na japin një përvojë të veçantë, të dy personazheve antipod të njëri-tjetrit, të dy realiteteve të ndryshme dhe të dy botëve dhe rrugëzgjidhjeve të ndryshme.
“Vjeshta e Xheladin Beut” dhe “Qysh e gjeti Ago Jakupi rrugën e Zotit” mund të lexohen dhe të kuptohen nga lexues të panumërt, që vijnë nga kultura fare të ndryshme, duke u munduar t’i japin këtyre dy veprave dhe këtyre dy personazheve interpretime nga më të ndryshmet.
Duke na dhënë një objekt, një ngjarje, një karakter, autori nuk godet një tezë të caktuar jetësore, por e nxit lexuesin ta formulojë atë, duke e lënë të lirë lexuesin e vetë dhe në të njëjtën kohë duke e nxitur atë të jetë sa më aktiv në leximin e tij.
Përmes përdorimit të fjalëve, duke dhënë dy histori të dy personazheve të ndryshëm, Kuteli na prodhon një shumësi kuptimore, duke vënë në përdorim aparatin tonë të interpretimit.
Sipas Tzvetan Todorov-it , “letërsia ka një rol të veçantë për të luajtur: për dallim nga ligjërimet fetare, morale apo politike, ajo nuk formulon një sistem të urdhrave; për këtë arsye, ajo u ikën censurave që ushtrohen mbi tezat e formuluara pa shkurtime. Të vërtetat e pakëndshme – për gjininë njerëzore, të cilës i përkasim ne, apo edhe për ne vetë – kanë më shumë gjasa që të arrijnë dhe të dëgjohen në një vepër letrare, sesa në një vepër filozofike apo shkencore.”
Edhe pse një çështje mjaft e debatueshme e studimeve letrare sot, aspekti social i letërsisë ngelet një prej aspekteve të rëndësishëm në një botë si kjo e jona, ku mbizotërimi i teknologjisë, internetit, por edhe i së keqes në përgjithësi, e ka shmangur njeriun nga libri dhe të lexuarit.
Leximi i novelës “Vjeshta e Xheladin Beut” dhe “Qysh e gjeti Ago Jakupi rrugën e Zotit” është një përvojë më tepër jetësore e takimit me individë të rinj, të pa njohur më parë, sepse të njohësh personazhe të rinj është njëlloj sikur të takosh njerëz të rinj, karaktere të reja dhe mendësi të ndryshme.
Sa më pak na ngjajnë Xheladin Beu dhe Ago Jakupi, aq më shumë na zgjerohet horizonti ynë, duke e pasuruar universin tonë.
Kësaj njohjeje të brendshme i shtohen edhe ato që kemi deri më tani, duke mos e ndërruar përmbajtjen e shpirtin tonë.
Po ashtu, sipas Todorovi-it , “ajo që na japin romanet është, jo një dije e re, por një kapacitet i ri i të komunikuarit me qenie të ndryshme nga ne; në këtë drejtim, ata i përkasin më shumë moralit sesa shkencës. Horizonti i fundit i kësaj përvoje nuk është e vërteta, por dashuria, si formë supreme e raportit njerëzor”.
Atëherë, a duhet ta përshkruajmë të kuptuarit e botës njerëzore, në të cilën marrim pjesë nëpërmjet leximit të këtyre veprave, si përmirësimin e vetvetes sonë?
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje duhet pranuar me çdo kusht lidhshmëria e pandalshme midis botës dhe letërsisë.
Sepse, nëse pranojmë këtë lidhshmëri, atëherë në çdo çast që na jepet përshkrimi i një universi njerëzor të veçantë, të gjithë marrim pjesë në krijimin e këtij universi, sikurse mendonte edhe Kanti, “Të mendosh duke u vënë në vendin e çdo qenie tjetër njerëzore.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re