Nga: Hoxhë Alban Gorishti

Thotë Allahu në Kuran : “All-llahu favorizoi disa prej jush mbi disa të tjerë në furnizim. Atyre që u është dhënë përparësia (në furnizim), nuk janë furnizues të atyre që posedojnë (robërve), ata (të gjithë) në të janë të barabartë (furnizues kryesor është All-llahu), a mos duan të mohojnë dhuntinë e All-llahut” Nahl 71, rreth këtij ajeti Aliu r.a thotë se: Prej furnëzimeve më të mira me të cilat favorizohet njeriu është edhe kuptimi i drejtë dhe mençuria “. Mençuria apo kuptimi i drejtë shpesh nuk kanë të bëjnë me shkollimin e shumtë apo retorikën e pasur por me perceptimin e saktë dhe vendosjen e prioritetit të duhur midis situatave dhe rëndësisë së tyre për sa i përket të tashmes dhe të ardhmes. Kjo është dhunti të cilën Zoti ia jep kujt të dojë ndaj për këtë njeriu nuk duhet të shikojë trupin por të gjejë mirësinë.

Ne jemi umet qe akoma nuk njohim prioritetet dhe përshkallëzimet fetare,dhe mbi te gjitha kemi një nevojë të llahtarshme të një individualizmi dhe protagonizmi ekstrem edhe kur gjithçka flet kundër këtij individualizmi, dhe kjo e dëmton kolegjalitetin e shumicës dhe unanimitetin e dekretit fetar, në këtë kam për qëllim kauzat e humbura nga bashkësia jonë si ajo e gylenizmit apo e shitjeve parimore dhe fizike (toka vakëf) amoraliteti i shoqërisë dhe padrejtësia e shumfishuar. Sot jemi një grumbull kaotik shoqatash dhe njerëzish, të cilët po harrojnë të projektojnë ardhmërinë dhe të qartësojnë trashgiminë, atë trashgimi që dikur u mbrojt me gjak dhe u përcoll me urtësi (dije). Por përkundër kësaj jemi umet që momentalisht formimin e identitetit tonë aktiv po ia “lëmë në dorë” rrethanave dhe reformave amorale. Shpesh ne harrojmë se dentiteti nuk është vetëm tërësi rregullash, por është edhe një përzierje ndjenjash, emocionesh, gjendjesh mendore, kulturash dhe zakonesh. Për t’iu qasur, kuptuar dhe mbërthyer thelbin e një identiteti, është e domosdoshme që ta jetosh atë, të jetosh në të, të jesh pjesë aktive e tij .

Njëshmëria e Zotit që lëshon dritë të veçantë mbi ummetin dhe e ngarkon atë me përgjegjësi para Krijuesit. Në këtë kontekst, çdo musliman duhet të interesohet për gjithë cfarë ndodh brenda ummetit, sepse kjo bashkësi është pjesë e identitetit të tij. Është shumë i qartë qëndrimi i Profetit lidhur me këtë pikë: “Ai që nuk interesohet për çështjet e muslimanëve nuk është prej nesh!” Të jesh musliman, kudo qoftë në botë, do të thotë të kesh dhe të mbash gjallë këtë ndjenjë të përkatësisë ndaj umetit, sikurse një organ është pjesë e një trupi më të madh. Allahu e urdhëron në Kuran Muhamedin alejhi selam të thotë: “Thuaj: “Unë nuk kërkoj për këtë (komunikimin e Kur’anit) shpërblim prej jush. Ky nuk është tjetër, përveç një këshillë për mbarë njerëzit” . Por sot ne as këshillën nuk po dimë më ta japim dhe as po bëhemi palë në formimin e identitetit tonë brenda bashkësive përkatëse madje kur dikush përpiqet të formësojë një identitet të caktuar brenda kornizave fetare dhe ligjore, të gjithë rendim ta frenojmë duke mos shtjelluar alternativa funksionale të cilat dijnë me efikasitet të rivalizojnë modelin e propozuar.

Ndaj mua më lind natyrshëm pyetja, çfarë trashgimnie po i lëmë brezave, në çfarë dimensionesh po i transportojmë ata në të ardhmen? Në një kohë ku nuk flitet me mesatarizëm për modelin e prezantuar por shpesh jemi midis dy skajeve ose laicizimi i tepërt i fesë ose ngurtësimi i skajshëm i dinamikave të saj idealformësuese.

Një dimension tjetër i laicizmit është edhe distancimi i shtetit nga elementi fetar dhe vendosmëria për ta kontrolluar fenë. Kushtetuta e parë shqiptare e vitit 1920 kishte shpallur se nuk ekzistonte fe zyrtare, si dhe ndarjen ndërmjet shtetit dhe fesë në kuadër të lirisë fetare që njihej për të gjithë shtetasit. Shtetasit shqiptarë nuk do t’i nënshtroheshin më asnjë legjislacioni kanonik-fetar, veçse me dëshirë, por duke iu bindur ligjeve të shtetit.

Duhet kuptuar se që pas ardhjes në pushtet të xhon turqve e deri në ardhjen e komunizmit procesi i modernizimit të shoqërisë shqiptare nuk ka qenë punë e hershme, por një proces që ka zgjatur një kohë të konsiderueshme dhe shteti në këto ndryshime nuk ka shpejtuar. Kjo mund të ketë ndodhur për dy arsye: rrënjëzimi i thellë i bindjeve fetare në popullatën muslimane dhe kujdesi i shtetit që të mos ballafaqohet drejtpërsëdrejti me masat e gjëra popullore dhe mënyrën tradicionale të jetesës sipas parimeve bazë të sistemit. Tani ne duam rikthimin e tradicionalizmit fetar në jetën shoqërore,edhe ky është proces që do shumë kohë dhe maturi siç do aktorë dhe faktorë që ta standartizojnë të drejtën fetare si ligjshmëri e natyrshme në një kohë ku e natyrshmja shpirtërore po kërcënohet nga afetarja materialiste.

“Islami vendos lidhjen mes fesë dhe shkencës, xhamisë dhe shkollës, tokës dhe qiellit, dynjasë dhe ahiretit, trupit dhe shpirtit, arsyes dhe besimit, idesë dhe praktikés, besimit dhe shehadetit etj. Islami ngre një kriter të ri moral për qeniet njerëzore me të cilin ata mund të konsultojnë për të gjitha hapat që ata marrin dhe të gjitha stadet që ata kapërcejnë, ky kriter eshtë kënaqësia e Allahut. Islami fokusohet mbi një shpjegim realist të jetës …..” (Muhammed Bakir es-Sader, fq.58, Filozofia në Islam). Islami e udhëheq qënien njerëzore drejt pjesëmarrjes në themelimin e një identiteti të pavarur nga konveniencat e kohës apo ndikimet e dëshirave njerëzore,ai është një gjykatës i drejtë dhe i paanshëm midis palëve në konflikt (ëndja dhe mëndjemadhësia njerëzore përballë nxitjeve të mjedisit).

Të jetuarit në thelb është procesi i të vdekurit, ndërsa reciprociteti do të thotë se vdekja e dikujt është procesi jetësor i dikujt tjetër (psh një kafshë ha një tjetër). Ndërsa kulturat dhe identitetet nëse vdesin kërkojnë medoemos ngritjen e të tjerave, pasi vet kultura është shpirti i një qytetërimi, e kjo e fundit padiskutim formësohet më tepër nga një identitet aktiv dhe kreativ në procesin e formësimit civilizues, ndaj nëse një kulturë vdes do të thotë që para saj ka vdekur identiteti i një umeti, si thotë Allahu: Mos përçani ashtu që as era mos tju ngelet (aroma e të pasurit një identitet)”

Sahabët (shokët) e pejgamberit alejhi selam e formësuan identitetin e tyre nëpërmjet një shpirti aktiv dhe
përpjekjeve kolosale, identitet që për kohën e mbushi botën me shpresë dhe civilizim, ndërsa sot po humbasim madje edhe shpresën, kam frikë se nesër do të humbasim edhe dëshirën për të formësuar një civilizim. Edhe pse Zoti garanton ne humbëm shpresën nga kjo garanci dhe i besuam pesimizmit që shejtani mbjell në zemra.
Personalisht mendoj se pasuria më e madhe që mundet ti lihet brezit pasardhës është identiteti i mirërënjosur dhe personaliteti ndikues Islam, ndërsa momentalisht po i trashëgojmë vetëm hezitim përfaqësimi, zbaticë parimesh, frikë nga përballja, kthim pas, dezertim etik, ndaj e natyrshme më lind pyetja a meriton një bashkësi të quhet umet nëse nuk arrin të përfaqësohet denjësisht nga vlerat e padiskutueshme të islamit dhe a meriton kriterin e kënaqësisë nëse nuk e merr fenë si ndërmjetësuese midis tij dhe shoqërisë? Ndaj le ti bëjmë pyetjen e mësipërme vetes , çfarë po i lëmë të ardhmes, po e ardhmja çfarë i rezervon atyre që nuk dëshirojnë të jenë protagonistët e saj?

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re