Italia është nën ethet drejt krijimit të një qeverie të re, pa Giuseppe Conte-n si kryeministër. Emri që do t’i besohet qeveria e re është Mario Draghi një emër i njohur i botës financiare dhe që synon të rrëmbejë konsensusin e gjerë të partive politike, për të krijuar kështu një mazhorancë solide.

Kjo është zgjidhja e presidentit italian Mattarella, i cili ka rimarrë sitautën në dorë pas dështimit të negociatave të kreut të Senatit për arritjen e një kompromisi politik për një qeveri të re.

Presidenti Italian vendos krijimin e një qeverie me funksion të plotë për të përballuar emergjencat e vendit. Ai apelon forcat politike për një qeveri të profilit të lartë.

E thënë me fjalë të thjeshta Presidenti Mattarella kërkon krijimin e një qeverie me një kryeministër të zgjedhur nga vetë ai dhe që ka mbështetjen parlamentare.

Ndërkohë Mattarella ka thirrur në takim Profesor Mario Draghi, ish-kreun e Bankës Europiane, personin që shpëtoi kontinentin e vjetër nga kriza e thellë ekonomike. Nëse pranon, mund të jetë ai kryeministri i ri i Italisë.

Ndërkaq takimet konsultative të kryetarit të Dhomës së deputeteve të Parlamentit italian Riberto Fico me grupet politike të mazhorancës qeverisëse të Qeverisë së dorëhequr Conte 2 përfunduan pa rezultat. “Nuk ekzistojnë kushtet për krijimin e qeverisë së re me mazhorancën e mëparshme” tha ai.

Por kjo zgjedhje e presidentit italian ka shkaktuar një përçarje mes Lëvizjes Pesë Yje dhe Partisë Demokratike. Ndërsa ka gëzuar tej masa atë që rrëzoi qeverinë. Matteo Renzi. “Tani është koha për ndërtuesit. Tani të gjithë njerëzit me vullnet të mirë duhet të pranojnë thirrjen e Presidentit Mattarella dhe të mbështesin qeverinë e Mario Draghi. Tani është koha për maturi. Zero polemika, Rroftë Italia”, shkruan lideri i Itali Viva, Matteo Renzi.

Ndërsa lideri i Legas, Salvini shprehet se nuk ka ndonjë paragjykim për Draghin, por shton se demokracia vjen përmes popullit duke nënkuptuar zgjedhjet e parakohshme.

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re