Koronavirusi humbet 90% të aftësisë së tij për të na infektuar kur qëndron në ajër për pesë minuta, sipas simulimeve të para në botë që studiojnë mënyrën se si virusi mbijeton në ajër pasi nxirret nga mushkëritë tona.

Gjetjet e studimeve ritheksojnë probabilitetin e lartë të transmetimit të Covid në distanca të vogla, duke provuar se distancimi fizik dhe mbajtja e maskave ka të ngjarë të jenë mjetet më efektive për parandalimin e infektimeve. Ventilimi, megjithëse vazhdon të jetë një faktor pozitiv, ka ndikim më të vogël në uljen e mundësisë së infektimit.

“Njerëzit ishin më të shqetësuar për hapësirat ku mungonte ajrosja dhe për transmetimin në ajër në distanca prej disa metrash ose në një dhomë të mbyllur. Nuk po them se kjo nuk ndodh, por mendoj se rreziku më i madh i ekspozimit vazhdon të jetë kur po qëndron afër dikujt”, tha Prof. Jonathan Reid, drejtor i Qendrës Kërkimore të Aerosolit të Universitetit të Bristolit dhe autori kryesor i këtij studimi.

“Kur ruani distancën, jo vetëm që reduktohet sasia e virusit që merrni, por gjitashtu ai bëhet më pak infektiv sepse e ka humbur aftësinë e tij infektuese [si rezultat i kalimit të kohës].”

Deri më tani, supozimet tona për kohëzgjatjen e qëndrimit të virusit në grimcat e vogla të ajrit janë bazuar në studime që përfshinin spërkatjen e virusit në disa enë të mbyllura, të cilat rrotullohen për të mbajtur pikat në ajër. Duke përdorur këtë metodë, studiuesit amerikanë zbuluan se virusi infektiv ishte prezent edhe pas tre orësh. Megjithatë, eksperimente të tilla nuk ngjajnë shumë me atë që ndodh realisht kur ne kollitemi ose marrim frymë.

Në vend të kësaj metode, studiuesit nga Universiteti i Bristolit zhvilluan disa aparate që i dhanë atyre mundësinë të gjeneronin një numër të ҫfarëdoshëm grimcash të vogla që përmbajnë virusin dhe t’i lëshonin ato me kujdes ndërmjet dy unazave elektrike, për rreth 5 sekonda deri në 20 minuta, duke kontrolluar në mënyrë shumë të saktë temperaturën, lagështinë dhe intensitetin e rrezeve ultraviolet të ambientit. “Kjo është hera e parë që është bërë i mundur simulimi real i asaj që ndodh me aerosolin gjatë procesit të frymënxjerrjes,” tha Reid.

Ky studim, i cili ende nuk është rishikuar nga shkencëtarët e tjerë, tregoi se kur grimcat virale dalin nga mushkëritë, të cilat janë relativisht të lagështa dhe të pasura me dioksid karboni, ato humbasin ujë me shpejtësi dhe, si rrjedhojë, thahen. Kalimi në ajër, ku nivelet e dioksidit të karbonit janë më të ulëta, shoqërohet me rritje të shpejtë të pH. Të dy këta faktorë reduktojnë ndjeshëm aftësinë e virusit për të infektuar qelizat njerëzore, por shpejtësia me të cilën thahen këto grimca varet nga lagështia relative e ajrit të ambientit.

Kur lagështia ishte më e ulët se 50% – e ngjashme me ajrin relativisht të thatë që gjendet në shumë zyra – virusi humbiste gjysmën e aftësisë së tij infektuese brenda 10 sekondave. Më pas, rënia ishte më e ngadaltë dhe më e qëndrueshme. Në lagështinë 90% – që është afërsisht e barabartë me një dhomë me avull ose me lagështinë në dush – rënia e aftësisë infektuese ishte më graduale, pasi 52% e grimcave mbeteshin infektive edhe pas pesë minutave. Afësia e tyre infektuese binte në rreth 10% pas 20 minutash.

Megjithatë, temperatura e ajrit nuk sillte asnjë ndryshim në infektivitetin viral, duke kundërshtuar kështu pikëpamjen se transmetimi i virusit është më i ulët gjatë motit të ngrohtë.

“Kjo do të thotë që nëse takoj miqtë për drekë në një restorant sot, rreziku kryesor ka të ngjarë të jetë që unë t’ua transmetoj virusin miqve të mi, ose miqtë e mi të ma transmetojnë atë mua, në vend që të transmetohet nga dikush në anën tjetër të dhomës,” tha Reid. Kjo nënvizon rëndësinë e mbajtjes së maskës në rrethanat ku njerëzit nuk mund të distancohen fizikisht, shtoi ai.

Gjetjet e këtij studimi mbështesin vëzhgimet e epidemiologëve në terren, tha Dr. Julian Tang, një virolog klinik në Universitetin e Leicester, duke shtuar se “maskat janë shumë efektive… po ashtu është dhe distancimi social. Përmirësimi i ventilimit do të ishte gjithashtu diҫka pozitive – veçanërisht nëse ai bëhet pranë burimit të infektimit.”

Dr. Stephen Griffin, profesor i asociuar i virologjisë në Universitetin e Leeds, theksoi rëndësinë e ventilimit, duke thënë: ” Në mungesë të ventilimit të duhur, grimcat e virusit në ajër do të mbushin hapësirat e brendshme me shpejtësi, kështu që nëse supozojmë se individi i infektuar qëndron brenda në dhomë, nivelet e virusit në ajër do të mbeten të larta.”

Të njëjtat efekte u vunë re për të treja variantet e Sars-CoV-2 që ekipi i studiuesve ka testuar deri më tani, duke përfshirë variantin Alpha. Ata besojnë se do të fillojnë në javët në vazhdim eksperimentet për variantin Omicron./ The Guardian

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re