Një anije patrullimi e Marinës kanadeze lundroi në Havanë, disa orë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se nëndetësja e saj luftarake u ankorua në bazën detare amerikane Guantanamo në Kubë, ishull ku mbërritën anijet luftarake ruse në fillim të kësaj jave.

Ardhja e anijeve ruse, kanadeze dhe amerikane në Kubë, një vend ishull nën sundimin komunist vetëm 145 kilometra në jug të shtetit amerikan të Floridës, kujtoi tensionet e vjetra të Luftës së Ftohtë dhe marrëdhëniet e tensionuara midis Rusisë dhe vendeve perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë, raporton Reuters.

Megjithatë, si SHBA ashtu edhe Kuba kanë thënë se luftanijet ruse nuk përbëjnë asnjë kërcënim për rajonin. Rusia e përshkroi mbërritjen e anijeve të saj tek aleati i saj Kuba si rutinë.

Fregata “Admiral Gorshkov” dhe nëndetësja bërthamore “Kazan” lundruan në portin e Havanës të mërkurën pas kryerjes së stërvitjeve me “armë raketash me precizion të lartë” në Oqeanin Atlantik, tha Ministria Ruse e Mbrojtjes.

Anija patrulluese kanadeze “Margaret Brooke” filloi të lundronte në portin e Havanës të premten, në atë që Kanadaja e quajti “një vizitë portuale në njohje të marrëdhënieve të gjata dypalëshe midis Kanadasë dhe Kubës”.

 Kuba, jo e lumtur për mbërritjen e anijeve

Disa orë më parë, SHBA tha se nëndetësja sulmuese “Helena” kishte mbërritur për një vizitë rutinë në portin e Gjirit të Guantanamos, një bazë detare amerikane në skaj të ishullit rreth 850 kilometra në juglindje të Havanës.

Ministria e Jashtme e Kubës tha se ishte informuar për mbërritjen e nëndetëses amerikane, por nuk ishte e lumtur për këtë, duke konsideruar se i përket “një vendi, politika zyrtare dhe praktike e të cilit është armiqësore ndaj Kubës”.

“Vizitat detare në vend janë zakonisht rezultat i një ftese, dhe nuk ishte kështu”, tha nënkryetari i diplomacisë kubane, Carlos Fernandez de Cossio.

Diplomati kanadez tha se mbërritja e anijes “Margaret Brooke” “nuk ka të bëjë fare me praninë e anijeve ruse”.

Rusia dhe Kuba ishin aleatë të ngushtë gjatë Bashkimit Sovjetik dhe tensionet me Uashingtonin për komunizmin në “oborrin e shtëpisë” kulmuan me krizën e raketave kubane në vitin 1962. Moska ka mbajtur në vite lidhje me Havanën.

Anijet ruse pritet të qëndrojnë në portin e Havanës deri të hënën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re