Nga Erjola AZIZOLLI* –

Natyra i ka falur gjithçka, që nga kodrat, pyjet dhe monumentet natyrore. Banorët  shfrytëzojnë çdo resurs dhe duke punuar fort, prodhojnë produktet më të mira të zonës. Historia, pozita gjeografike, rrëze malit Tomorr e bëjnë Dardhën, fshatin më tërheqës që ka potenciale turizmi pa fund, por që është lënë në harresë, pasi vuan për vetëm 16 kilometra rrugë.

Sapo lënga pas qytetin muze, në aksin nacional Berat-Skrapar, në të majtë të rrugës gjarpëron një kthesë që të çon drejt fshatrave të Njësisë Administrative Roshnik, pjesë e Bashkisë së Beratit. Vetëm pak metra rrugë e asfaltuar dhe më pas mes një gjelbërimi plot hijeshi ngjitesh drejt një rruge të mbushur keqas me çakull. Janë vetëm 16 kilometra nga rruga kryesore që të çojnë drejt Dardhës, fshatin piktoresk, që sot lidhet me shumë peripeci me qytetin!

Pasi kalon me vështirësi kilometrat e para të një rruge gjithë kthesa shtruar vende-vende me çakëll, pamja të tërheq përpara, pasi nis të shfaqet madhështia e malit Tomorr dhe pas çdo kthese zbulon më shumë. Por, gjendja e rrugës sa vjen dhe vështirësohet, gropa të mëdha janë prezente kudo dhe vende-vende janë mbushur me gurë gjë që shkakton tronditje dhe për mjetet e larta, ndërkohë që mjetet e vogla e kanë të pamundur të ngjiten.

Kodrat e fshatit Dardhë, nën malin e Tomorrit. Foto: Erjola Azizolli

Problemin e gjendjes së rrugës ta prezantojnë banorët e parë që has sapo ndodhesh në Qafë-Dardhë, aty ku kupton se ndodhesh mes një mrekullie të natyrës. Aq e keqe është gjendja e rrugës sa fshati nuk ka as linjë të transportit për tu lidhur me qytetin. Një makinë fuoristradë, e një banori të zonës, shërben si taksi për çdo rast dhe ndërsa udhëton drejt qendrës së fshatit kupton se sa i drejtë është shqetësimi i banorëve.

Fshati Dardhë, në brendësi të tij. Foto: Erjola Azizolli

Dardha, është një prej 12 fshatrave të Njësisë Administrative Roshnik dhe veç fshatit Roshnik Qendër, asnjë prej fshatrave të tjerë nuk ka rrugë. Vite më pare qeveria investoi për rrugën e fshatit Roshnik dhe më pas gjithçka u harrua, fshtrat: Bogdan i Poshtëm, Bodgan i Sipërm, Karkanjoz, Kostren i Madh, Kostren i Vogël, Mimiasm, Perisnak Qendër, Roshnik i Vogël, Qafë Dardhë, Vojnik, Rabjak dhe Dardhë, nuk kanë rrugë. Fshati Dardhë, është jo vetëm fshati më i madh, me pasuri natyrore të mëdha, por dhe me numrin më të madh të banorëve.

Vite më parë ky fshat ka pasur 450 banorë, ndërsa sot numërohen 150, të cilët kanë vetëm një ëndërr për tu lidhur me qytetin për çdo nevojë të tyre, por dhe për tu zhvilluar nëpërmjet turizmit, pasi dhe pse pa rrugë Dardha,  vizitohet nga të huajt që dashurojnë natyrën.

Lefter Mesiti, kryeplaku i fshatit tregon se dhe pse një fshat pa rrugë, pasi e tillë është Dardha, ai tërheq vëmendjen e vizitorëve që mrekullohen këtu me natyrën. “Rreth 150 banorët e mbetur këtu vuajnë pasojat e mungesës së rrugës, pasi gjendja e saj është e keqe dhe qarkullohet me mjaft vështirësi. Për çdo rast këtu lëvizet vetëm me taksi dhe kjo i rëndon banorëve”, thotë Mesiti për Portën Vendore. Ai ka përcjellë zërin e banorëve pranë njësisë administrative dhe Bashkisë së Beratit, por ka marrë vetëm premtime deri më sot. “Fakti që u bashkuam me qytetin e Beratit, na gëzoi, sepse menduam që më në fund do të realizohej dhe ëndrra jonë për një rrugë, por asgjë nuk po bëhet”, thotë kryeplaku, i cili me ndërtimin e rrugës shikon të ardhmen nëpërmjet turizmit.

Lefter Mesiti kryeplaku i fshatit Dardhë, duke folur për mundesitë e turizmit që ka kjo zonë. Foto: Erjola Azizolli

Kryesisht gjatë verës në Dardhë nuk mungojnë vizitorët ditorë, të cilët preferojnë pamjen e malit, kodrat, pyllin, ujin e ftohtë në të gjithë zonën, ajrin e pastër dhe produktet bio të bulmetrave, frutat, rakinë dhe verën.

Armando Minga, është një i ri nga fshati Qafë-Dardhë, i cili me një motor qarkullon me vështirësi në zonë për nevojat familjare, ndërkohë që punon si bari. Në stinën e verës fshati për të është dhe më i bukur, jo vetëm për shkak të gjelbërimit, por dhe pse jeta këtu merr të tjera ngjyra për shkak të vizitorëve, kryesisht të huajve. “Gjatë verës ka më shumë gjallëri. Vijnë të huaj me mjete të larta, ka nga ata që vijnë me motorë, por nuk shkojnë dot deri në qendër të fshatit dhe kthehen për shkak të gjendjes së rrugës”, thotë Minga për Portën Vendore.

Armando Minga, banor i fshatit Dardhë, duke folur për Portën Vendore. Foto: Erjola Azizolli

Ai së bashku me bashkëmoshatarët e tij shpesh bëhen udhërrëfyes të vizitorëve të huaj dhe kjo i gëzon pa masë, pasi u shton shpresat se një ditë fshati do të ofrojë turizëm dhe do të mund të investojnë në bujtina apo lokale që sapo kanë nisur të hapen. “Ka vizitorë që na kërkojnë ndihmë për rrugën, për tu ngjitur në mal, na kërkojnë informacion se ku mund të hanë ushqime të zonës, por ka nga ata që kthehen se u prishen mjetet gjatë rrugës”, shprehet ai me keqardhje për gjendjen e rrugës.

Faktin që Dardha vizitohet dhe pse me një rrugë që vetëm emrin ka të tillë, e konfirmon dhe kryetari i njësisë administrative Roshnik, Artur Shahu. Ndonëse, nuk ka një shifër të numrit të vizitorëve që çdo vit shkelin në Dardhë, Shahu shprehet për pritshmëri të mëdha për zhvillimin e turizmit. “Nuk ka shifra të numrit të vizitorëve, pasi janë të pamatshëm, janë ditorë, por ajo që vihet re është fakti se nga vit në vit vizitorët e sporteve të natyrës po vijnë në Dardhë dhe kjo na shton shpresat për zhvillimin e turizmit”, shprehet ai.

Rruga në brendësi të fshatit Dardhë . Foto: Erjola Azizolli

Pamja e malit të Tomorrit, hijeshia rrëze tij, prezenca e kodrave, lëndinave, rezervatet me ujë, e bëjnë Dardhën fshatin që ka gjithçka, por nuk ka rrugë dhe kjo i bën banorët pesimist për të ardhmen e fëmijëve këtu.

Fari Mesiti, banor i fshatit, ka tre fëmijë në shkollë, që nesër do të shkojnë në universitete dhe ai shprehet se ka frikë që nuk do të rikthehen më në Dardhë dhe pse e duan fshatin.

“Këtu prodhohet çdo gjë, perimet, frutat, ka lëndina dhe kodra për barinjtë, ka ujë që vjen nga mali, por nuk ka rrugë dhe kjo na bën që të shohim të ardhmen e fëmijëve larg  fshatit”, shprehet Fariu për Portën Vendore.

Fari Mesiti, banor i zonës duke folur për Portën Vendore. Foto: Erjola Azizolli

Zona e Dardhës ka potenciale natyrore, histori që lidhen me të shkuarën e fshatit, ujëvara, sipërfaqe toke mjaft prodhuese dhe vende për kullotjen e bagëtisë, ndaj dhe banorët ngrenë zërin që bashkia t’i bëjë realitet premtimin për një rrugë, që produktet, prodhimet e tyre të shkojnë më lehtë në treg.

Izet Mbrakulla, është një nga banorët më të vjetër të zonës, i cili kohën e kaluan duke kullotur bagëtitë dhe shprehet plot krenari për prodhimet bio të zonës. “Qumështi, dhe produktet këtu janë të shijshme sepse kanë erë mali dhe ajër fushe, ndaj çdo gjë është prej natyrës, e pastër, e dëlirë”, thotë Izeti për Porta Vendore. Për shkak të moshës, por dhe për shkak të dashurisë për fshatin Izeti nuk e shikon kurrë si mundësi largimin, ndonëse fëmijët ia kanë rekomanduar diçka të tillë. “Përse të largohem, kur këtu kam gjithçka dhe ata që janë larguar këtu vijnë gjatë verës se kanë tokën, kanë malin, kanë fshatin dhe nga jashtë po vijnë të na i shohin aq i bukur është”, thotë Mbrakulla.

Izet MBrakulla, banor i Dardhës. Foto: Erjola Azizolli

Me një masiv pyjor të jashtëzakonshëm dhe të ruajtur nga banorët, zona ka një vegjetacion, ku rritet masivisht robulli dhe ahu së bashku dhe që krijojnë një pyllëzim fantastik shtrirë në të dy krahët e rrugës. Fshati Dardhë, ndodhet brenda parkut të zonës së mbrojtur dhe Qafë-Dardha është përfshirë në projektin e Qeverisë Shqiptare “100 fshatrat”, por që me të gjitha këto potenciale ende nuk ka një rrugë.

Rojet mjedisorë të Administratës së Zonave të Mbrojtura në Berat, janë djem dhe burra që veç punës për ruajtjen e zonave të mbrojtura pyjore dhe habitatet janë të dashuruar pas fshatit, të cilin e inspektojnë disa herë në javë. Falë punës së tyre dhe bashkëpunimit të banorëve, Dardha sot është fshati plot gjelbërim, hijeshi ku prerja e druve, gjahu, nuk janë ndaluar vetëm me ligj, por dhe nga ndërgjegjja e lartë e tyre.

Zona e pyllëzuar e fshatit Dardhë. Foto:Erjola Azizolli

Në inventarin që ka Administrata e Zonave të Mbrojtura, rezulton që Dardha ka “Qafën e Lesë”, një pllajë barishtore që ndodhet në grykë, e cila ka vlera sepse dikur këtu banorët përdornin barin  për të mbushur dyshekët për shkak të cilësisë tepër të lartë. Në Dardhë ndodhet “Zona e Koritës”, një lëndinë që përdoret për kullotë ku ndodhet dhe një çezmë me ujë që vjen nga mali. Por, fshati Dardhë, ka dhe vlera të patjetërsueshme historike, pasi këtu dikur përshkruhej e ashtuquajtura “Rruga e karvanëve të Korçës”, ku nga vendi i quajtur “Hani i Perisnakës” karvanet shkonin në një ngushticë drejt Korçës. Këtu ndodhen dhe të tjera monumente natyre, si “Çuruqet e Bezgës”, “Ujëvara e Sotirës”, apo “Çezma e Tarikos”.

Monument natyre në fshatin Dardhë. Foto: Erjola Azizolli

Për të gjitha këto vlera, Bashkia synon që kjo zonë të jetë pjesë e guidave turistike që lidhin turizmin mbi 2400 vjeçar të Beratit me atë të aventurës, agro-binzesnit, mes të cilëve të përfshihet dhe Dardha dhe që të gjitha së bashku do ti mbanin turistët më gjatë se mesatarja që është sot një ditë e gjysmë. Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Beratit, Gëzim Zena, u shpreh për Portën Vendore se bashkia ka hartuar falë BERZH projektin për rrugën Qafë-Dardhë me degëzim në drejtim të fshatit Karkanjoz. Por, me gjithë projektin e bashkisë që nuk dihet se kur do të gjejë financimet për tu bërë realitet Dardha mbetet fshati i harruar për një rrugë, atje nën malin Tomorr që i bën hije përjetësisht.

* Porta Vendore/ Berat                                                   

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re