Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis është një vullkan i vërtetë kur behet fjalë për të thënë disa të vërteta dhe këtë e tregoi edhe këtë të mërkurë në një konference për shtyp në kuadër të ceremonisë së Cmimit Sportiv për Karrierën, një çmim që iu dha pikërisht De Laurentiis.
Presidenti i klubit napoletan foli për shumë tema duke nisur nga çështja Malagò
‘Malagò po jeton një odise, e konsideroj si të vetmin që mund të vërë futbollin në binarët e duhur, e ka treguar këtë gjatë jetës së tij-tha De Laurentiis-por ne duhet të gjejmë me çdo kusht një mënyrë për ta rrëzuar, sepse dikush tjetër dëshiron që të marrë vendin e tij. Por kjo nuk është gjë e. mirë, nuk duhet politizuar futbolli. Politika gjithnjë ka munguar te kinematografia dhe te sporti, por kur duhet të vijnë të shohin ndonjë ndeshje vihen në radhë të parë për të siguruar bileta dhe zemërohen kur nuk ua jep’.
Më pas në shënjestrën e De Laurentiis përfundon Luciano Spalletti.
‘Mos më bëni të flas për të-vijoi presidenti i Napolit-trajnerët duhet të kuptojnë se janë bashkëpunëtorë që thirren në apel për të drejtuar orkestrën e formuar nga futbollistët, por gjithsesi mbeten vartës. Ndonjehërë kanë tendencën për ta harruar. Është i qartë arsyetimi?’
De Laurentiis ishte i qartë edhe përsa i përket Maradona Stadium.
‘Gjeta një zonë në Napolin Lindor për të ndërtuar një impiant të ri-tha De Laurentiis-projektova një stadium me 70 mijë vende me 120 sky box, restorante e gjithë të tjerat. Po kështu do të ketë edhe një muze ndërveprues, i realizuar me një agjentin tim në Los Angeles ku do të jetë e mundur që të luash virtualisht një ndeshje me këdo që dëshiron; Maradonën, Cavanin, Higuain. Për ta realizuar duhen kohë dhe miliona dollarë. Muzeun dedikuar Maradonës do ta realizoj në stadiumin e ti. ‘Maradona Stadium’ aktual duhet shembur. Pas 22 vitesh ku luhet në atë stadium që unë e kam përkufizuar shumë herë si WC, mund të them fare mirë se 200 milionë euro nuk shërbejnë për thuajse asgjë. Për të organizuar koncerte gjatë verës, kanë thyer edhe tubat e sistemit të ujitjes së fushës
Dhe në fund erdhi edhe ‘shigjeta e helmuar’ në drejtim të pronarit të Milanit, Gerry Cardinale.
‘E ftova për darkë përpara 3 viteve, më mbajti një fjalim të cilin nuk e kundërshtova, përndryshe do të më duhej ta kapja e ta përzija jashtë-tha De Laurentiis-më thoshte gjëra që nuk qëndronin as në qiell e as në tokë sipas këndvështrimit tim; është një pronar që kishte pretendime si një financier, jo si një sipërmarrës i vërtetë’.
