Projektligji për Shëndetin Riprodhues po shkakton një sërë reagimesh publike. Një vëmendje kyçe ka marrë një ndër pikat e projektligjit mbi abortin, ku citohet: “ç) Të miturat e pamartuara mbi 16 vjeç mund të japin vetë pëlqimin për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë, por të paktën njeri nga prindërit ose kujdestari ligjor duhet te informohen per vendimin e saj. Ky informim nuk do të realizohet nëse e mitura ka arsye bindëse se njoftimi do të çojë në rrezik të qartë të dhunës në familje, kërcënime, detyrim, keqtrajtim ose braktisje.”

Lidhur me këtë diskutim doktoresha gjinekologe Anika Dokle ka  ndarë një qasje të saj mbi abortin në adoleshencë.

Postimi i plotë në Facebook:

Disa konsiderata për Abortin…

-Diskutimet publike për Abortin duhet të jenë të kujdesshme, e të mos reflektojnë vetëm kushtet social-kulturore dhe ekonomike të atyre që flasin studiove televizive për Abortin(të shkohet përtej, në çdo skaj të vendit).

-Duke qenë se nuk ka asnjë definicion të vetëm për Abortin, të pranuar nga të gjitha fushat e mendimit njerëzor, diskutimi për të duhet të jetë sa etik, moral e fetar, aq edhe mjekësor e ligjor.

-Patjetër që duhet mbërritur në një konsensus për Abortin, sepse tek ai reflektohen në mënyrë antagoniste dy të drejta themelore të njeriut: e drejta për jetën dhe e drejta e zgjedhjes së lirë.

-A duhet të ndalemi pak më gjatë tek Aborti në Adoleshencë?

Patjetër që po!!

A kemi dështuar me edukimin për shëndetin seksual dhe riprodhues? Kemi dështuar, pa diskutim.

Shqipëria nuk është vetëm Tirana, metropol ky, ku mundësitë e informimit dhe edukimit janë më të mëdha se zonat e paurbanizuara. Kollaj është ta quash abortin vrasje në panelet plot dritë të TV-ve.

Po çfarë do bëjmë me adoleshentet që ushtrojnë në mënyrë të papërgjegjshme të drejtat e tyre riprodhuese?

T’i lëmë të ushtrojnë mëmësinë e hershme(e rrezikuar dhe kjo nga komplikacionet)???

Me gjithë këtë “moral” që derdhet paneleve televizive dhe rrjeteve sociale, atmosfera e edukimit seksual të vajzave bëhet tejet e vështirë.

Diskutimet rreth abortit dhe adoleshencës, duhen bërë pas një njohjeje të mirë të fiziologjisë së aparatit riprodhues femëror, të shtatëzanisë, të abortit dhe faktorëve të riskut e komplikacioneve rreth tij(nuk mund të flasë juristi për fiziologjinë e  shtatëzanisë, as mjeku për dimensionin ligjor… e as punonjësit socialë për këndvështrimin fetar).

Duhet konsensus i gjerë, të cilin e gjen të reflektuar edhe në ligjin e vjetër(!!).

-Abortet selektive mund të kryhen edhe para javës së 12-të, falë ekzistencës së analizave të sofistikuara në përcaktimin e gjinisë.

Dhe e fundit, duhet konsensus i gjerë për Abortin, i cili duhet kryer në kushte strikte asepsie dhe nga mjekë të specializuar.

Diskutimet dhe qasjet vetëm “morale” nuk na çojnë askund, përveç se tek rritja e morbimortalitetit amtar nga abortet e provokuara.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re