Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë ka ftuar ambasadorin e Serbisë në Slloveni, Zoran Vlatkoviç, për diskutim lidhur me deklaratat e Vuçiçit në konferencën për shtyp gjatë vizitës së presidentit slloven, Borut Pahor, në Beograd. .

Për të njëjtën temë në Beograd ka diskutuar edhe ambasadori slloven në Serbi, Damjan Bergant.

Vuçiç pyeti gazetarët e mbledhur se si t’i shpjegojë kombit të tij se Serbia po vendos sanksione ndaj Rusisë, jo Sllovenisë.

“Rusia nuk e cenoi integritetin territorial të Serbisë, Sllovenia e bëri. Dhe ne shohim që kemi marrëdhënie të mira me Slloveninë”, tha Vuçiç, duke kujtuar faktin se Sllovenia, si p.sh. Franca, Gjermania dhe SHBA-ja e njohën Kosovën, e cila, sipas qëndrimit të Serbisë, është shkelje e së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kjo bëri që Ministria e Punëve të Jashtme në Lubjanë t’i përgjigjet deklaratave të Vuçiçit.

“Ne e informuam palën serbe se jemi shumë të befasuar nga deklaratat e presidentit Vuçiç. Ne përcollëm edhe një herë qëndrimin tonë në lidhje me Kosovën, të cilën Sllovenia e njohu si shtet të pavarur. Në këtë aspekt shprehëm pritjen që Serbia të mos e problematizojë qëndrimin tonë në të ardhmen për çështjen e Kosovës, sepse mbështetja e Sllovenisë për Kosovën nuk është e drejtuar kundër Serbisë. Po ashtu shprehëm kundërshtimin tonë të prerë për barazimin e njohjes sllovene të Kosovës me agresionin rus ndaj Ukrainës”, kanë thënë ata.

Nga MPJ sllovene theksojnë gjithashtu se presin vazhdimin e dinamikës aktuale të bashkëpunimit me Serbinë.

“Ne duam që vendet të vazhdojnë të zhvillojnë marrëdhënie miqësore dhe bashkërisht të kërkojnë mundësi për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor, të cilat do të reduktonin tensionet në rajon. Kjo do t’i mundësonte Serbisë dhe Kosovës të avancojnë në qasjen e tyre ndaj BE-së. Sllovenia do të vazhdojë të avokojë për komunikim me Serbinë me respekt në të gjitha nivelet”, u tha nga Lubjana zyrtare.

Kujtojmë se Sllovenia është ish-republika e parë jugosllave që u shkëput nga Jugosllavia. Kjo ndodhi nën tension ushtarak por pa degraduar në luftë, e cila do vinte më vonë me Kroacinë dhe Bosnje, për t’u mbyllur me Kosovën. Kjo ndoshta ngaqë Serbia nuk ka synime territoriale në Slloveni, apo se dy vendet nuk kanë patur përplasje historike me sfond nacionalist.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re