Ish-deputeti i PD-së, Belind Këlliçi ka deklaruar se ka depozituar prova të reja në SPAK në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

“Studimi i fizibilitetit të IFC të muajit shkurt 2014, i’u përcoll sot zyrtarisht SPAK dhe Altin Dumanit”, u shpreh ai në një deklaratë për mediat, ku thekson se “Bashkia Tiranë paguan 29 euro/ton për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës dhe 16.700.000 euro (referuar PBA 2024-2026) për pastrimin e rrugëve dhe mbledhjen e mbetjeve, të cilat nga viti 2024 i paguhen një tjetër monopoli ECO TIRANA.”

Këlliçi shprehet se sipas të dhënave të strudimit të IFC Bashkia Tirabë trajton jo më shumë se 250.000 ton mbetje në vit.

“Nëse do të bënim një matematikë të thjeshtë, kosto e pastrimit dhe mbledhjes së mbetjeve do të ishte 66.8 euro/ton me tvsh (16.700.000/250.000), duke e çuar koston e trajtimit të mbetjeve për të gjithë zinxhirin nga 38 euro/ton, në 101.6 euro/ton me tvsh”, u shpreh ai.

 

 

Deklarata e plotë: 

Jam sot sërish përpara jush për të demontuar përfundimisht me dokumente, me fakte të pakontestueshme, me zë dhe me figurë, mashtrimin e Erion Veliajt në lidhje me studimin e Bankës Botërore dhe IFC, i propozuar 1 vit përpara se kryemashtruesi Veliaj të merrte detyrën në Bashkinë Tiranë.

Në shkurt të vitit 2014 IFC, ka dorëzuar studimin e fizibilitetit për projektin e menaxhimit të mbetjeve në Bashkinë Tiranë.

Të dhënat hetimore te mbledhura nga Prokurori Dritan Prençi, faktojnë se ky studim është pikënisja e procedurës së dhënies me koncesion të trajtimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës.

Ish Ministrat e Financave Cani dhe Ahmetaj e kanë kundërshtuar fillimisht dhënien me konçension, pasi investimi që parashikonte ky studim mund të përballohej lehtësisht me fonde buxhetore.

Erion Veliaj publikisht i është referuar shpesh këtij studimi duke konfirmuar se kosto e parashikuar për trajtimin e mbetjeve ishte 38 euro/ton, por duke fshehur qëllimisht çfarë do të mbulonin këto kosto.

Ju ftoj ta ndjekim me zë dhe me figurë mashtrimin e Erion Veliajt në lidhje me këtë studim:

Ndryshe nga sa pretendon pronari faktik i Inceneratorit Tiranë, në faqen 4 të këtij studimi sqarohet në mënyrë shteruese se Bashkia e Tiranës në vitin 2014 po mendonte të jepte me konçension jo vetëm depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve por gjithë zinxhirin, citojmë:

1. Analiza Teknike

Bashkia Tiranë kërkon të përmirësojë sistemin e menaxhimit të mbetjeve, me pjesëmarrjen e sektorit privat. Për të arritur këtë qëllim Bashkia Tiranë po mendon dhënien e nje konçensioni për menaxhimin e mbetjeve te ngurta në territorin e kësaj Bashkie.

Qëllimi i projektit do të jetë:

a) Shërbimi i pastrimit të rrugëve

b) Mbledhja e mbetjeve dhe transporti

c) Zgjerimi i i landfillit ekzistues duke rritur kapacitetet depozituese

d) Depozitimi i mbetjeve në landfill

e) Trajtimi i mbetjeve

Sa më sipër qartësohet se kosto 38 euro/ton që ka vlerësuar IFC përfshinte jo vetëm trajtimin e mbetjeve, por të gjithë procesin e trajtimit duke filluar që nga pastrimi i rrugëve, mbledhja e mbetjeve, transporti, depozitimi e në fund trajtimi i tyre.

Kosto sipas IFC ndahej në dy komponentë, analizimi i të cilave është bërë në pikën 3 të studimit, citojmë:

Kostot operative dhe të mirëmbajtjes:

12 euro/ton për trajtimin e mbetjeve në Landfill

26 euro/ton për mbledhjen e mbetjeve (kosto kjo e përcaktuar bazuar në standardet  ndërkombëtare të kësaj industrie)

Sot Bashkia Tiranë ndryshe nga sa mashtron publikisht Erion Veliaj, paguan 29 euro/ton për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës dhe 16.700.000 euro (referuar PBA 2024-2026) për pastrimin e rrugëve dhe mbledhjen e mbetjeve, të cilat nga viti 2024 i paguhen një tjetër monopoli ECO TIRANA.

Bashkia Tiranë sipas të dhënave të strudimit të IFC dhe të dhënave ndër vite trajton jo më shumë se 250.000 ton mbetje në vit, e nëse do të bënim një matematikë të thjeshtë, kosto e pastrimit dhe mbledhjes së mbetjeve do të ishte 66.8 euro/ton me tvsh (16.700.000/250.000), duke e çuar koston e trajtimit të mbetjeve për të gjithë zinxhirin nga 38 euro/ton, në 101.6 euro/ton me tvsh.

Erion Veliaj, si pronar faktik i inceneratorit Tiranë, me veprimet e tij aktive dhe vullnet personal, ka dyfishuar kostot e trajtimit të mbetjeve nëpërmjet dy procedurave korruptive atë të dhënies së konçensionit të trajtimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës kompanisë INTEGRATED ENERGY BV SPV dhe procedura për dhënien e monopolit të pastrimit të qytetit kompanisë ECO TIRANA.

Ky material si dhe studimi i fizibilitetit të IFC të muajit shkurt 2014, i’u përcoll sot zyrtarisht SPAK dhe Altin Dumanit, në mënyrë që e ashtuquajtura “drejtësi e re” të bëjë punën e saj.

Erion Veliaj duhet të shkojë përpara drejtësisë dhe ligjit jo vetëm si pronari faktik i inceneratorit Tiranë i cili ka vjedhur deri më tani 132 milionë euro nga paratë e shqiptarëve, jo vetëm si kreu i bandës famëkeqe 5D, por edhe për kriminalizimin e industrisë së ndërtimit, duke i hapur rrugën pastrimit të parave nga grupet më të rrezikshme kriminale të Europës.

Gjej rastin të ftoj sërish qytetarët e Tiranës, të protestojmë përpara Bashkisë Tiranë, ditën e premte, datë 21 qershor, ora 11:00, për largimin e menjëhershëm nga zyra të hajdutit më të madh që ka parë vendi ynë, Erion Veliajt.

O sot, o kurrë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re