Derbi i Romës është gjithmonë një histori më vete, një ndeshje që tejkalon futbollin dhe hyn në shpirtin e një qyteti.

Të dielën, më 21 shtator në orën 12:30, Lacio dhe Roma do të zbresin në “Olimpico” për të shkruar një tjetër kapitull të kësaj sage. Përpara kësaj sfide, një nga figurat që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në memorien e tifozëve bardhekaltër, Lorik Cana, ka rrëfyer emocionet e 26 majit 2013, kur Lazio mposhti Romën në finalen e Kupës së Italisë. Kapiteni legjendar i Kombëtares shqiptare, ndahu kujtimet e paharrushme, teksa deklaroi:

“Kur mendoj për 26 majin, më vijnë në mendje sytë e tifozëve të mbushur me gëzim. Ishte një ndjenjë unike, e papërshkrueshme”, tregon Cana. “E dinim se çfarë vlere kishte ajo finale për ta, përtej futbollit, ishte diçka jetike. Për ne lojtarët, ishte hera e parë që ngrinim një trofe të tillë. E nisëm sezonin fort, më pas patëm ulje dhe ngritje, por kur erdhi momenti i finales, ishim gati. Edhe pse pesë ditë më parë kishim bërë një darkë ku hëngrëm e pimë shumë, ajo na ndihmoi të çlironim emocionet dhe të hynim në ndeshje me mendje të lirë”.

Qetësia e Petkoviç

“Mister Petkovic bëri një punë fantastike. Ai e mbajti grupin të qetë, pa presione, duke na përgatitur me kthjelltësi. Ai ishte njeriu i duhur për atë moment”, kujton ish-kapiteni i Shqipërisë.

Forca e grupit dhe madhështia e Kloses

“Ne kishim një skuadër solide, me eksperiencë. Por pastaj, kur ke një lojtar si Miro Klose përpara, gjithçka bëhet më e thjeshtë. Ai na jepte siguri dhe forcë”, shprehet Cana.

Luliç dhe lehtësia e të mëdhenjve

Në fjalët e tij, nuk munguan elozhet për Senad Lulic, autorin e golit të pavdekshëm: “Luliç ishte i jashtëzakonshëm. Para derbit kishte një qetësi të rrallë, ashtu si Onazi. Ishin ata që luajtën me zemër dhe me lehtësi, dhe bënë diferencën. Luliç mbetet një hero përjetësisht i lidhur me atë 26 maj”.

Cana tregon gjithashtu se vazhdon të mbajë lidhje me disa ish-shokë të skuadrës: “Me Luliçin takohemi shpesh, ndërsa me Klosen, Maurin, Kandrevën dhe Konkon kemi mbetur miq”.

Për derbin e kësaj fundjave

Duke folur për derbin e së dielës, Cana u tregua realist: “Është ende fillimi i kampionatit, prandaj është herët për të nxjerrë përfundime. Por një gjë është e qartë: Lacio ka të gjitha cilësitë për ta fituar këtë derbi”.

ILDI MEROLLI –

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re