Pasi protesta e njerëzve të Sali Berishës për të penguar takimin e Lulzim Bashës me demokratët dështoi, kryedemokrati iu drejtuar me një mesazh duke u shprehur se ata që duan të përçajnë PD ka dy rrugë, ose të ndalojnë ose do të nxirren jashtë.
“Ata që duan ta përçajnë PD-në e bëjnë për hesap të Edi Ramës, atyre u themi ndal ose jashtë. Një grusht njerëzish janë këta, që i kanë bërë llogaritë gjithmonë për xhepat e tyre. Ndërsa një pjesë tjetër, që përhumbet pas imazheve të së kaluarës dhe ndalet përpara njerëzve sikur me qenë ikona, dhe me gabime shumë të mëdha, që mund të kushtonin edhe jetë demokratësh me një gjuhë urrejtje.
Ata e kanë kaluar vijën e kuqe, që është dhuna, që kur kalohet ka dy rrugë; ose e lëmë të na shkatërrojë ose të marrë vendimet sikur i mori PD-ja. 8 janari ishte dite dramatike për të gjithë. Gjithmonë pas reve fshihet një diell, pas të keqes ka një të mirë.
E mira është që demokratët janë të ndërgjegjësuar tashmë. Nuk e di sa prej jush patët mundësi të lexonit nëj shkrim për Ballkanin, ku thuhej me dy fjalë se Edi Rama nuk ka aleat më të mirë sot për të vazhduar korrupsionin, sesa Sali Berishën. Aleatët tanë duan që shqiptarët të zgjedhin të ardhmen”, deklaroi Basha.