Home OPINION - EDITORIAL “Devotshmëri arrogante”

“Devotshmëri arrogante”

0

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Nga: Hoxhë Justinian Topulli

Devotshmëria ndaj Zotit dhe arroganca janë dy të kundërta që nuk qëndrojnë bashkë. Përkushtimi ndaj Krijuesit të imponon të qenit njeri i thjeshtë, modest dhe jomendjemadh. Allahu thotë në Kuran: “Adhuruesit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin nëpër Tokë të qetë, e kur injorantët u drejtohen atyre me fjalë (fyese), ata thonë: “Paqe (selam)!” (25:63)
I Dërguari i Allahut tregonte se “Allahu është i butë dhe e do butësinë në çdo gjë. Ai jep përmes butësisë atë që nuk e jep përmes dhunës dhe nuk e jep përmes diçkaje tjetër.” (Muslimi) Po ashtu Profeti (alejhi salatu ue selam) i këshillonte besimtarët të ishin të butë me njerëzit, sidomos kur ata ishin në pozita thirrëse për njerëzit e tjerë, ai u thoshte: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos i vrazhdoni (njerëzit).” (Buhariu & Muslimi)

Ky duhet të jetë tipari i përgjithshëm i besimtarëve, por sigurisht kjo nuk nënkupton aspak miratimin e së keqes duke heshtur gjithmonë, apo duke mos reaguar kur situata e kërkon diçka të tillë, kur shkelen parimet dhe dispozitat e fesë. I Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) gjithmonë kur vihej mes një zgjedhjeje zgjidhte pikërisht atë që ishte më e lehtë, për aq kohë sa ajo nuk ishte diçka e ndaluar dhe ai gjithashtu zemërohej për hir të Allahut, kur cenoheshin kufijtë e fesë së Tij.

Në këtë kontekst hyn edhe mënyra sesi u predikohet feja njerëzve, e cila nuk lidhet vetëm me thirrjen e drejtpërdrejtë të njerëzve, por edhe me vetë imazhin apo ushtrimin dhe praktikën e besimit nga besimtarët. Përkushtimi ndaj Zotit nuk është arsye për t’iu krenuar me arrogancë jobesimtarëve, dhe as për t’iu ngrefosur atyre.

Njerëzit vërtetë mund edhe të jenë qafira, por kjo nuk i jep të drejtë një muslimani që me krenarinë dhe devotshmërinë e tij për Islamin të bëhet i mërzitshëm, i padurueshëm apo edhe i bezdisshëm dhe shqetësues për të tjerët. Sfida ndaj mosbesimit të njerëzve bëhet me ide, me predikimin e së vërtetës, me praktika dhe përmbajtje, që i vënë njerëzit në mendime dhe reflektime dhe jo me ngjashmëri në një modë pa përmbajtje dhe as me shfaqje devocioni të atillë që bëhet apo perceptohet si akt karshillëku, dhe nuk është obligative. Besimtari duhet të jetë larg ekstreme që e paraqesin atë ose si njeri modern, i veshur shik dhe pa asnjë shenjë islame në trup dhe në sjellje, ose si njeri që nuk do t’ia dijë fare për vendin dhe kohën kur jeton dhe është tërësisht i kundërt me shoqërinë që e rrethon. Islami nuk është as formë pa përmbajtje dhe as përmbajtje pa formë, si forma ashtu edhe përmbajtja kanë vendin e tyre të rëndësishëm në Islam.

Shejhul Islam Ibn Tejmije në librin e tij “Iktida Sirratul Mustekim” ku ai flet për dallimin dhe kundërshtimin e dukshëm që duhet të kenë muslimanët nga jomuslimanët, përmend se kjo vlen në një shoqëri plotësisht islame, por ndërkohë nëse muslimanët jetojnë në një shoqëri joislame apo aty ku nuk është Islami ai që dirigjon mënyrën e jetesës për mbarë shoqërinë, atëherë kundërshtimi nuk është obligativ, madje sipas tij, ngjashmëria e sjelljes së dukshme (hedji dhahir) me pjesën tjetër në disa raste mund të jetë e pëlqyer ose e obliguar, nëse kjo është në interes të fesë.

Në vendin dhe kohën kur jetojmë, bie fjala, nuk kemi pse të ndalojmë ezanin nga minaret, se nuk u pëlqen disa islamofobëve dhe nuk e përtypin dot prezencën publike të Islamit, por në anën tjetër thirrja për adhurimin e Allahut p.sh. në kohën e sabahut dhe darkës nuk është aspak e logjikshme të buçasë si zhurmë, me zërin më lartë të mundshëm, në një mjedis që nuk e kuptojnë fenë dhe jo detyrimisht e urrejnë atë. Po kështu një muslimane nuk duhet të hezitoj të vendos mbulesën islame, të cilën e kërkon Allahu prej saj, sepse trembet nga reagimi i shoqërisë dhe as ta përshtatë veten dhe mbulesën sipas modës deri në humbjen e objektivit të saj, por as ta shndërrojë mbulesën e modestisë dhe devocionit në një objekt karshillëku që tërheq vëmendjen duke lënë shije të hidhur në mesin e njerëzve që nuk të kuptojnë.

Edhe pse sot ndoshta në mesin tonë gjenden rrallë besimtarë, që të veçuar shpërfaqin një lloj devotshmërie të dukshme, që më shumë merr trajtat e një arrogance fetare sesa krenarie identirare, por ndërkohë janë më të shpeshta rastet, kur pa e kuptuar kjo ndodh me besimtarët kur ata bëhen bashkë dhe e ndjejnë veten më të çliruar nga kompleksiteti i shoqërisë laike. Ndërkohë që e njëjta situatë moskuptimi dhe keqkuptimi që dëmton kumtimin e duhur të fesë ndodh edhe në këtë rast. Edhe në adhurimet dhe paraqitjen tonë komunitare publike duhet të tregojmë etikë, modesti dhe përulësi ndaj Zotit, sepse e mira përhapet më së shumti përmes së mirës dhe butësisë.

Aliu (radijallahu anhu) përcillet se thoshte: “Flitini njerëzve për atë që kuptojnë, a mos doni që të përgënjeshtrohet Allahu dhe i Dërguari i Tij?!” (Buhariu) Dhe njerëzit flasin shpesh herë edhe me sjelljen e tyre edhe pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja, e shpesh ata janë vetë përgjegjës për keqkuptimet që shkaktojnë tek të tjerët me atë që bëjnë.

Situata e të moskuptuarit të fesë sot nga njerëzit vjen sigurisht për shkak të padijes së gjatë fetare që ka kaluar ky popull, por çka është më e rëndësishme ky moskuptim vjen më së shumti nga laicizimi i jetës, proces ky që e ka larguar vëmendjen e njeriut nga Zoti dhe praktikat fetare dhe e ka zhytur atë në harresën e jetës së kësaj bote. Ndaj dhe “arroganca” e besimtarit me “devocionin” e tij nuk mund të jenë assesi virtyt i besimit dhe i dijes, në betejën ndaj mosbesimit dhe padijes.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë