Dëmtimi i dy kolonave monumentale të Parkut Arkeologjik ka sjellë  reagime të shumta, që nga Presidenti i Republikës, e deri tek Instituti i Monumenteve.

Por deri tani ende nuk është gjetur shkaku i këtij dëmtimi të rëndë, pasi bëhet fjalë për një nga “xhevahiret” e trashëgimisë sonë kulturore, e njohur edhe nga UNESCO.

Presidenti i Republikës Ilir Meta, në një deklaratë të tijën bëri thirrje të gjenden “barbarët” që realizuan dhunimin e kolonave.

Ndërkaq, Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis bën të ditur se dëmtimi ka ndodhur pak kohë më parë.

“Dy kolona të fasadës së fontanës monumentale të Apolonisë janë, fatkeqësisht, dëmtuar dy muaj më parë, gjatë periudhës së izolimit për shkak të Covid 19. Kolonat janë gjetur të thyera në datën 13 prill”, shkruan kjo zyrë në komunikatën e saj.

Ndërkaq, ende nuk dihet kush kanë qenë personat që e kanë përshkallëzuar thyerjen e kolonave në këto ditë.

Në fakt ngjarja u zbulua të nesërmen e një debate të ashpër që u zhvillua në emisionin Open në Top Channel, nëpërmjet arkeologut shqiptar, Neritan Ceka dhe kritikut të njohur të artit, italianit Vittorio Zgarbi.

I cili pas një vizite në Shqipëri publikoi foto të qytetit antic të Bylisit, duke e cilësuar si qytetërim grek.

Në emission, professor Ceka polemizoi me Zgarbin duke thënë se Bylisi është qytet ilir 100% ndërkohë që Apolonia dhe Dyrrahu janë qytete greke.

Një ditë pas kësaj deklarate u bë e ditur prishja e kolonave në parkun e Apolonisë, ku ka dyshime se kjo është kryer nga ekstremistë nacionalistë, që në fakt janë mendjengushtë e shkatërrojnë një nga objektet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend.

Apolonia, është një qytet antik që ndodhet pranë qytetit të Fierit, në rrugën që të lidh me detin Adriatik.

Qyteti antic u themelua në shekullin e IV para Krishtit nga kolonë helenë që vinin nga Greqia Antike. Kolonët helenë në periudhën antike lëvizën në disa vende të Mesdheut dhe krijuan qytetet e tyre jo vetëm në territorin e Ilirisë antike por edhe në Itali.

Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apolon. Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apolonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve. Apolonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Vjosë. Llogaritet që qyteti të ketë pasur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për Antikitetin !

Arkeologët e quajnë Apoloninë Pompei i Shqipërisë, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re