Dhunimi i avokatit të Sali Berishës duket se ka qenë një ngjarje e planifikuar. Mësohet se autorët e ndiqnin prej disa ditësh Sokol Mëngjesin, i cili u dhunua sapo kishte lënë fëmijën në zonën e ish-Bllokut, intinerar që e kryente çdo mëngjes.

Tre persona, të cilët ka dyshime se kishin planifikuar gjithçka, i kanë bërë pritë avokatit dhe e kanë dhunuar, moment i cili është filmuar edhe nga kamerat e sigurisë në zonë.

Avokati ndodhet në spital për shkak të goditjeve me grushte e sende të forta. Mësohet se ai ka dëmtime dhe hemorragji në kokë.

Sipas gazetarit Igli Çelmeta, Sokol Mëngjesi ka një frakturë në kokë dhe dëmtime të tjera në trup, ndërsa për momentin ndodhet në urgjencë.

Konkretisht, avokati ka pësuar dy fraktura, dëmtime te zona e ballit dhe pas koke.

Ngjarja ndodhi rreth orës 08:30 të mëngjesit të sotëm dhe dyshohet për çështje pronësie.

KUSH ËSHTË SOKOL MËNGJESI

Sokol Mëngjesi është avokat me përvojë disa vjeçare në jurisprudencë. Ai është angazhuar si ekspert në fushën e ndryshimeve ligjore nga institucione publike, të tilla si Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës.

Prej shtatorit të vitit 2020, Sokol Mëngjesi është Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Mëngjesi ka një përvojë të gjatë edhe në mësimdhënie, ndërsa është autor edhe i një numri të madh punimesh shkencore të paraqitura në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, artikujsh shkencorë të botuar në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe monografish e tekstesh shkollore në Shqipëri dhe Greqi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re