Nga: Shpëtim Doda

Le ta themi që në fillim, qartë, me forcë e me zë të lartë: vrasja e Samuel Paty-së, mësues i historisë në kolegjin Bois d’Aulne të Conflans-Sainte-Honorine, në Île-de-France, pranë Parisit, është një akt krejtësisht i papranueshëm, i papërligjshëm dhe i dënueshëm. Si çdo vrasje, përfshirë edhe ato të kryera në emër të “imunitetit shoqëror”, edhe kjo vrasje është dhe mbetet – jo vetëm juridikisht, etikisht, fetarisht e njerëzisht, por edhe ontologjikisht – shpërfaqja më e dukshme dhe më e prekshme e asaj që Hannah Arendt e cilëson ftohtazi si “banaliteti i së keqes”. E megjithatë, të fokusohesh vetëm tek vrasja si e këtillë, apo tek elementët e saj makabre, përpos se një dorëzim pa kushte përpara banalitetit të së keqes, është një qasje sa e pandershme, po aq edhe perverse. E keqja nuk mund të luftohet asesi as me spektakël as me kundrim prej nekrofilësh a dashurorësh të gjanrit të horrorit, por me trajtim të ftohtë analitik, racional dhe gjithëpërfshirës, për të gjetur dhe nxjerrë në pah shkaqet të saj. Një sëmundje luftohet tek shkaqet, jo tek simptomat. 

Vrasja si e tillë është një akt tërësisht e thelbësisht banal; kuptimi i vrasjes qëndron përtej aktit. Kjo vlen për të gjitha vrasjet. Vrasja e kryer nga Kaini është e njëjtë si akt me të tëra vrasjet e kryera nga kohët e padatshme deri në kohët tona. Dhe kështu do të jetë edhe për të gjitha vrasjet që do të kryhen në të ardhmen. Ajo çfarë e bën një vrasje të ndryshme nga një tjetër është causa movens, në dritën e të cilës përftojnë një kuptim, i cili shërben si element kategorizues i tyre, madje edhe në planin juridik e penal. Kjo është ajo çfarë e bën të ndryshme vrasjen e kryer nga Kaini nga ato të kryera nga Medea, apo vrasjet e saj nga ajo e kryer nga Makbethi, për të anashkaluar shembuj të njerëzve realë.

Vrasjet janë të njëjta in actu dhe të ndryshme in sensu. Kjo vlen edhe për rastin e vrasjes së Samuel Paty-së, e cila, sikundër u shprehëm që në fillim, është një akt i papranueshëm, i papërligjshëm e i dënueshëm jo vetëm penalisht, por edhe fetarisht. “Kush vret një njeri, është si të ketë vrarë tërë njerëzimin; kush shpëton një njeri, është si të ketë shpëtuar tërë njerëzimin”. E megjithatë, kjo s’do të thotë se duhet të anashkalojmë kuptimin, shkaqet e saj. Në të kundërt, dënimi i aktit do të ishte formalisht i ndryshëm, por thelbësisht i njëjtë, me kundrimin e tij prej nekrofilësh, pasi do të kishim të bënim me të njëjtin fokusim përjashtimisht vetëm tek vrasja si e tillë, tek banaliteti i saj.

Vështruar prej sa më sipër, ngjarja në kolegjin Bois d’Aulne është pasojë, jo shkak. Është pasojë e drejtpërdrejtë – madje deri diku e pritshme dhe e parashpallur – e akrobacive politike të Macron-së, qoftë për qëllime elektorale (mbulimi këtyre muajve të mbetur nga zgjedhjet presidenciale e dështimeve e tij në përmbushjen e zotimeve përmes krijimit të konflikteve e armiqve, pavarësisht se rrezikojnë seriozisht ta çojnë vendin në përplasje të ngjashme me ato të periudhës së Mesjetës), qoftë kjo për llogari të agjendave pastërtisht politike, gjeopolitike dhe ekonomike.

Ngjarja në kolegjin Bois d’Aulne nuk mund të kuptohet përpos se nën dritën e akrobacive në fjalë. Në të evidentohen lehtë elementët thelbësorë të fjalimeve të fundit të Macron-së, sidomos të plan d’action që shpalosi në fillim të tetorit, të cilin shumëkush priste të ishte plan veprimi i luftës kundër separatizmave, por që rezultoi të ishte plan veprimi obsesiv dhe obsesionues i luftës kundër Islamit.

(https://www.elysee.fr/emmanuel-macron/2020/10/02/la-republique-en-actes-discours-du-president-de-la-republique-sur-le-theme-de-la-lutte-contre-les-separatismes).

Te plan veprimi në fjalë, krahas synimit “për të çliruar islamin nga ndikimet e huaja” (?!), “për të krijuar një islam iluminist” (?!), “që do të jetë në paqe me Republikën”, “tërësisht i përputhshëm me vlerat e Republikës”, Macron këmbënguli se “shkolla duhet së pari të injektojë vlerat e Republikës, jo ato të fesë”, dhe se “Republika do t’u rezistojë përmes shkollës atyre që duan ta shembin”.

Ajo çfarë ndodhi në kolegjin Bois d’Aulne është pikërisht zbatim i direktivës së dhënë nga Macron; blasfemimi si “vlerë republikane”, dhe si “një e drejtë dhe liri e shprehjes”, u mor nga Charlie Hebdo dhe goja e Macron-së dhe u fut në shkollë, për t’ua injektuar nxënësve, mes të cilëve kishte edhe muslimanë. Në lidhje me këta, shtypi bën me dije se i ndjeri u pati bërë ftesë për të dalë nga klasa, nëse dëshironin. Ndonëse pedagogjikisht i çuditshëm, një veprim i tillë përcjell një mesazh të qartë: ose përshtatuni me blasfemimin si vlerë republikane, si e drejtë dhe liri e shprehjes, ose largohuni, duke u shfaqur në të njëjtën gjatësi vale me plan veprimin e Macron-së dhe me kuadrin ligjor republikan, i cili sanksionon të drejtën dhe lirinë për të blasfemuar, dhe lë në heshtje varri të drejtën dhe lirinë për të reaguar ndaj blasfemisë, duke mos lënë kësisoj përpos se një alternativë: ose rendjen drejt akteve të tilla të papranueshme e të dënueshme, ose largimin nga Republika.

Pa u zgjidhur një ngërç i tillë strukturor i së drejtës dhe drejtësisë “republikane”, sa herë që të drejtohet nga njerëz si Macron, Franca do të gjendet pashmangshëm mes diktaturës republikane dhe republikës diktatoriale, akte të tilla të dënueshme e të papërligjshme do të vijonë të kryhen nga vrasës që shfaqen, në sintezë të fundme, po aq viktimë sa edhe viktima e tyre, e kjo mund të shenjonte edhe epilogun e revolucionit nga dhe prej të cilit lindi La République.   

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re