Nga Gani STRAZIMIRI* –

Berati mesjetar që rruhet në ditët tona, shtrihet në lindje, jug dhe perëndim të kalasë. Reliefi i aksidentuar, lumi Osum dhe gryka e ngushtë e tij, e ndajnë qytetin në katër pjesë; lagjja Kala që është qyteza e lashtë; lagja Mangalem, ajo e Përroit dhe ajo e Vakëfit në lindje të saj, lagja Gorricë në jug dhe ajo e Murat Çelepisë në perëndim. Per lashtësin dhe zhvillimin e Beratit gjatë shekujve, dëshmojnë gjurmët e mureve ilire të shekullit IV-III p.e.sonë në koridorin e portës kryesore të kalasë së sotme, gjurmë këto të rruajtura nga shkatërimi që i bënë romakët në vitin 200 p.e.sonë qytezes ilire për lashtësin e tij dëshmojnë gjithashtu edhe gjurmët e rindërtimit të kalasë, që u bë nën sundimin e perandorit bizantin Justinianit në gjysmën e parë të shekullit të VI-të erës sonë, të cilat kanë mbetur në kullat e hyrjes kryesore në dy kulla të mureve perëndimore dhe në akropol. Në fillim të shekullit XIII, siç dëshmojnë inicialet e Mihail Engjell Komenit, që ruhen në të djathtë të portës së dytë të hyrjes kryesore në majat e një kryqi prej tullash këlliç të inkastruara në mur janë gjurmët që kanë mbetur nga ndërtimi i një seri kullash nga zgjerimi i kalasë në pjesën jug-perendimore, nga rindërtimi i akropolit dhe nga paisja e hyrjes kryesore me një mur me portë të dytë. Në shekullin XIII-XIV-të janë kisha e Shën Triadhës dhe Vllahernës, brënda në kala dhe ajo e Shën Mëhillit , jashtë mureve të kalasë. Të tria këto kisha janë ndërtime tipike të asaj kohe në perandorinë bizantine. Duke filluar nga shekulli XVI në artikteturën e vendit futet një subjekt i ri ndertimi, xhamia, e cila përhapet në të gjitha qytetet e vendit. Kësaj kohe i përkasin në Berat, mbeturinat e minareve në lindje të akropolit, minareja e Xhamisë Mbret dhe Xhamia e Plumbit. Në ndertimin e këtyre Xhamive ruhen traditat e kombinimit bizantin të shekullit XIII-XIV. Ato janë centrike, me kupolë mbi parametrin kuadrat dhe me një teknikë të lartë ndertimi, për atë kohë. Ato vendosen në pikat më dominuese të qytetit duke u bërë në këtë mënyrë elementët më me rëndësi për kompozimin e qëndrës së tij. Nga fundi i shekullit XVI, siç mund të gjykojmë nga të dhënat e pikturës murale, në Berat rifillojnë ndërtimet e kultit të krishterë. Të tilla janë kisha e Shën Todrit dhe e Shën Evangjelizmoit, kisha e Shën Kollit (para 1591),e Shën Mitrit (1606), e Shën Kostandinit dhe Helenës (para 1649), etj. Por këto kisha ndërtohen të thjeshta, me planimetri katërkëndëshe, me çati , muraturë me gurë të parregullt e me breza druri. Ato vendosen në parcela të mënjanuara dhe pa asnjë formulim arkitektonik, për të mos rënë në sy të pushtonjësve. Talente i mjeshtërve popullorë është derdhur vetëm brënda, në pikturën murale të tyre. Berati dhe qytetet e tjera mesjetare, siç ruhen sot, u përkasin shek. XVIII-XIX dhe fillimit të shek.XX. duke filluar nga mezi i shek.XVII me shtimin e popullsisë, me zhvillimin e madh të artizanatit e tëe tregëtisë, me diferencimin e theksuar shoqëror, qytetet rifillojnë të rriten e të zhvillohen me ritme të shpejta. Në këtë kohë rifillon zhvillimi i artitekturës monumentale me xhamitë, kishat, teqetë, medresetë, banjot, gjykatat etj. Kristalizimi i bansave qytetare, ndertimet e mëdha të veprave inxhinerike si ura, akuedote, kanalizimeve etj. Skema urbanistike dhe kompozimi i volumeve të arkitekturës së Beratit, siç paraqitet sot, është rezultat i disa periudhave. Pjesa më e lashtë është kalaja me lagjen e saj. Qyteti, me zhvillimin dhe rritjen e madhe në shek. XIII-XIV, filloi pak nga pak të shtrihet jashtë mureve dhe të rrethohet me mure të dyta mbrojtese; në fillim në shkëmbin e thepisur në jug të kalasë dhe, më vonë, në rezen lindore te saj (lagja Mangalem). Me rritjen e mëtejshme, qyteti vazhdoi të zgjerohej dhe lindin kështu lagja e Përroit dhe ajo e Vkëfit rreth qëndrës së qytetit; lagja Goricë dhe Murat Çelepi në jug dhe perëndim janë të mëvonshme. Kështu u formuan historikisht lagjet e qytetit të Beratit. Skema urbanistike e lagjes Kala u diktua nga konditat e zhvillimit brënda mureve rrethuese dhe e komunikimit vetëm nëpërmjet portës së kalasë. Sheshi në afërsi të portës kryesore në V-L, është piknisja e rrugëve kryesore, që në formë rrezesh shpërndahen në brendi të lagjes; ai luan rolin organizues të qëndrës së kompozimit pa qënë , në tëe njejtën kohë, qendra arkitetonike. Trritori i kufizuar nga muret ka imponuar skemën urbanistike dhe ndertinin e ngjeshur në të dy anët e rrugëve, me fasada të ngjitura njëra me tjetrën dhe të dala në konsol në katin e dytë. Orientimi i fasadave nga lindja dhe perëndimi kanë ndihmuar në krijimin e unitetit arkitetonik dhe të fizionomisë së qytetit, duke i lidhur ndertimet e kalasë, me perjashtim deri diku të kishës së Shën Triadhës dhe asaj të Shën Gjergjit, nuk luajnë ndonjë rol organizues në kompozimin e lagjes; theksimi i tyre shpesh është arritur vetëm duke mbjellë selvi në afërsi të tyre. Lagjja Mangalem në shkëmbin e thepisur, është shumë karakteristike për qytetin e Beratit. Rrugët duke iu nënshtruar reliefit e përshkojnë lagjen nga J.L. ne V.L. dhe lidhen aty këtu me rrugica të ngushta, të cilat shpesh kthehen në shkallë të skalitura në shkëmb, që në formë rrezesh drejtohen pëer në qendër të qytetit, që shtrihen përbri saj. Karakteristik në këtë lagje është shfrytëzimi në maksimum i terrenit, orientimi i ndertesave vetëm në një anë të rrugëve, të ngjeshura njëra pas tjetrës dhe të dala në katet e sipërme mbi konsole, për të zmadhuar dhe shpesh korektuar format e ambienteve, të cilat në katin e parë, për arsye të relifit dhe të rrugëve janë të shregullta dhe të vogla. Vendosja e shtëpive në forme terracash, njëra mbi tjetrën, orientimi i fasadave me dritaret e shumta në qendër të qytetit e paraqet lagjen si një amfiteatër të madh, që lejonë banuesit të shijojë jetën intesive të qendrës së qytetit dhe natyrën e bukur që ka përpara. Uniteti i kompozimit në masën e përgjithshme të këtij ansambli, është arritur me trajtimin aromatik artitektonik të fasadave të cilat theksohen aty këtu me frontone e rezalite dhe me Xhaminë e Beqarit. Lagjja e Përroit dhe ajo e Vakëfit, shtrihen në një teren të pjerrët bregor e kodrinor. Rrugët i përshtaten reliefit dhe drejtohen në formë rrezesh për në qendër. Dendësija jo aq e theksuar e ndertimeve dhe shfrytëzimi i gjelbërimit u kanë dhënë këtyre karakterin e lagjeve me pallate. Në jug të tyre, në afërsi të qendrës, janë vendosur një seri ndertesash kulti e shoqërore me rëndësi si xhami, teqe, medrese, banjo etj. Lagjja Goricë, është e vendosur në një relief të pjerrët që vjen duke u zbutur në afërsi të lumit. Kjo lagje ka pothuajse tiparet e lagjes Mangalem, me disa ndryshime të vogla. Rrugët drejtohen tek ura, që lidh lagjen Goricë me qendrën e qytetit. Megjithse është vendosur në anën tjetër të Osumit, kjo lagje merr pjesë direkt në kompozimin e qendrës së qytetit. Këto dy lagje, Gorica dhe Mangalemi, i japin Beratit një karakteristikë të veçantë në krahesim me qytetet e tjera. Lagjja Murat Çelepi, në perëndim të qytetit, është vendosur në një terren të rrafshtë, me perjashtim të pjesës në rrëzë të kodrës së kalasë. Ky terren ka përcaktuar ndertimin e banesave në parcela të rrethuara, në përgjithsi, me mure, dhe me një gjelbërim të shpeshtë. Rrugët që vijnë si rreze nga anë të ndryshme drejtohen në ngushticën e Osumit, aty ku fillonte qendra dikur. Megjithë karakterin e veçantë, kjo lagje qendron në unitet të plotë kompozimi, si një pikpamje urbanistike ashtu dhe arkitetonike, me qytetin në tërësi. Qendra e qytetit ishte sheshi i pazarit, i cili, duke qënë njëkohësisht edhe qendër administrative, ka luajtur rolin kryesor në kompozimin dhe skemën urbanistike të qytetit. Në bazë të gjurmëve që ruan dhe të përshkrimeve që i kanë bërë Beratit të huajt, sidomos Evlia Çelebiu në shek. XVII, qendra kufizohej duke filluar nga ura mbi lumin Osum me rrëzën e kodrës se kalasë, me lagjen Mangalem, lagjen e Përrot e të Vakëfit nga veriu e perëndimi dhe me lumin Osum nga jugu. Skema urbanistike radiocentrike e qytetit, diktohen nga rrugët rajonale dhe të lagjeve, që përshkojnë qytetin në formë rrezesh dhe drejtohen për në qendër të tij. Kjo skeme me përjashtime të vogla, vazhdoi deri në çerekun e parë të shek. XX. Në këtë kohë qendrës së qytetit iu prish forma e saj orgnanike e krijuar gjatë shekujve, me ndertime në të dy anët. Kjo rrugë shkeputi lumin dhe ndertimet e kultit nga qendra e qytetit, duke i lënë ato mbrapa shpine, pa marrë parasysh rolin estetik dhe atë të kompozimit që kanë luajtur ato. Në këtë mënyrë tregëtia u përqendrua në një rrugë të vetme dhe qendra e dikurshme pushoi së egzistuari së bashku me jetën e një qyteti mesjetar. Shtrirja e qytetit jashtë mureve rrethues, pa marë parasysh reliefin e aksidentuar e shkëmbor dhe rrethana të tjera që vështirsojnë këtë shtrirje në afërsitë imediate të kalasë, është bërë në rrëzë të kodrës. Në këtë drejtim ndikoi, në fillim nevoja për të rrethuar lagjet me mure të dyta mbrojtëse, e më vonë, kur ato nuk rrethoheshin me, dëshira për të qënë sa me afër kalasë, në këtë mënyrë gjenin afrimin e të mbroheshin në raste rreziku. Kështu shohim që Berati të shtrihet në fillim në rrëzën jugore të kalasë ku ruhen edhe sot e kësaj dite gjurma muresh që ndodhen në lindje dhe gjatë bregut të lumit me vonë qyteti shtrihet në rezen lindore (lagja Mangalem) në veri të së cilës ruhen gjithashtu gjurmë të mureve rrethues. Nuk jemi në gjendje të përcaktojmë me saktësi kur filloi të shtrihet Berati jashtë mureve rrethues të kalasë, por me sa duket kjo ka ndodhur gjatë shek. XIII-XIV. Kisha e Shën Mehillit, e ndertuar në këtë kohë jashtë mureve të kalasë me e vjetër e fillimit të shtrirjes së qytetit jashtë mureve të kalasë. Zhvillimi urbanistik dhe skema radiocentrike e Beratit as që mund të mendohet se u arrit në bazë të një plani rregullues, por penguan faktorë të tillë siç ishin shtrirja e qytetit në jug, në anën tjetër të lumit Osum (lagjja Goricë) dhe në perëndim (lagjja Murat Çelepi), lagjë këto që shkëputen nga pjesa tjetër e qytetit nga lumi dhe gryka e ngushtë e tij. Sistemin radiocentrik të rrjetit rrugor nuk mund ta konsiderojmë si të tillë me tërë kuptimin e kësaj fjale. Mjeshtrat anonim që ndertuan Beratin nuk kanë pretenduar kurrë të bëjnë, me planimetrinë e qytetit, një vepër urbanistike e artit unikal. Ata e kanë ndertuar qytetin gjatë shekujve, duke ndjekur sensin praktik dhe shijen e tyre të vetëdijshme. Në trajtimin e rrjetit rrugor, rrugët nuk i takojnë, pothuaj, kurrë të drejta në menyrë perfekte, ato lakohen e thyen me mjeshteri për të ndjekur jo vetëm nivelin e terrenit por edhe për të evituar rrymën e erërave dominuese, rrezet e forta të diellit dhe për të shijuar objektet me rëndësi që e përbëjnë dhe natyrën që e rrethon. Ndertimet e kultit gjatë shek. XVIII-XIX, si myslimane ashtu dhe të krishtera nuk vazhdojnë traditat e hershme. Xhamitë kanë planimetri afërsisht katrore, janë pa kupolë, me çati katëer ujse, me mafil druri ne ambientin qendror dhe me një galeri në formë hajati para hyrjes. Kishat, nga tipi i kryqit grek me kupolë të shek. XIV dhe atij të thjeshtë që u përdorën në gjysmën e dytë të shek. XVI dhe gjysmën e parë të shek. XVII, kaluan në tipin bazilik trinefësh, me mbulesa mbi sistem qemerësh e kupolash, me çati dy ujse, e rrallë katerujse, me një galeri, në formë hajati anash. Këto janë më të mëdha dhe më paraqitëse në pikpamje atiktetonike. Në këtë periudhe shohim të ndertohen në Berat xhami Mbret duke ruajtur minaren e parë, xhamia e Beqarit (1827), teqeja e Xhelvetive në qendër të qytetit (1780), katedralja (1797), kisha e Shën Gjergjit (1860) në kala, kisha e Shën Spridonit në Goricë etj. Ndertime të tilla në këtë periudhë bëhen edhe në qytete e tjera si; xhamija e Ethem Beut në Tiranë (1791-1821), xhamija e Pazarit në Kavajë, kishat bazilike të Gjirokastrës, Voskopojës e kështu me rradhë. Këto monumente kulti janë jo vetëm tipike gati për të gjitha qytetet mesjetare, por dokumentojnë hovin e madh të ndertimeve të kultit gjatë kësaj periudhe. Për të vënë në dukje është fakti se në këtë kohë ndihet një farë tolerance nga pushtonjësit turq për ndertimet e kultit të krishterë. Fondi i madh i banesave popullore, që ruhet sot në qytetin e Beratit dhe që i japin atij pamjen e vertetë të një qyteti mesjetar, janë të gjysmës së dytë të shek. XVIII dhe sidomos të shek. XIX. Banesat qytetare të Beratit janë krijime, të cilat kanë arritur kulmin e zhvillimit të tyre si në pikëpamje të funksionit e të kompozimit artitektonik ashtu dhe të teknikës së ndertimit. Ato sigurisht nuk lindhen menjëherë por janë rezultat i evolucionit të tyre gjatë shekujve, duke filluar që nga shek. XIII-XIV pra, përpara pushtimit turk. Mbi prejardhjen, formimin dhe krijimin e tipeve të tyre në qytet hedhin dritë, siç u përmend më sipër, materialet e grumbulluara nëpëer fshatrat fushore dhe malore të vendit.

Banesa popullore Beratase është zakonisht dy kateshe. Në katin e parë janë vendosur katojt, muslluku ose stera e ujit dhe hajati, ne të cilin është kompozuar shkalla e gurtë në më të shumtën e rasteve mbi një sistem qemeresh, e cila të ngjit në katin e dytë, në çardak. Në katin e dytë rreth çardakut janë vendosur gjithë ambientet e banimit.
Në kompozimin artitektonik të fasadës së shtëpisë beratase, një rol me rëndësi lot shkalla, që në tipin me dy krahë, me zgjidhjen simetrike, ka arritur kulmin e zhvillimit të saj. Një rol jo më të vogël luan çardaku i hapët, strehët e dalluara në mënyrë të theksuar dhe të mbajtura me qestekë, që mbeshteten në nivelin e dyshemesë së katit të dytë, si dhe trajtimi i ambjenteve të ballnave, në disa raste me dritare të harkuara dhe shpesh dydritshë. Në kompozimin e brendëshëm artitektonik, kujdes i veçantë i jepet trajtimit të çardakut dhe të dhomave në mënyrë të veçantë dhomës së miqëve. Kjo dhomë, me dimensione të mëdha, pajiset me oxhak të pasur me dekoracione, me musendër, mafil, tavan dhe dollap të futur në mur që kanë kapak druri të gdhëndur. Këto punime tregojnë nivelin e lartë të kompozimit dhe artin e gdhëndjes së drurit.
Këto tipare të banesave beratase ne i gjejmë edhe në Shkodër, Gjirokastër e gjetkë. Ato, me përjashtim të veçorive lokale që varen nga reliefi, kushtet klimaterike, nga zakonet dhe materialet e vendit, janë të përbashketa me shumicën e qyteteve tona mesjetare.
Qyteti i Beratit nuk u zhvillua i izoluar nga bota tjetër e perandorisë otomane dhe, në mënyrë të veçantë, nga vendet fqinje të Ballkanit; në të vihen re ndikime elementesh të huaj, por këto janë të pjesëshme dhe të sipërfaqeshme.
Gjithë materialet që parashtruam tregojnë, përkundrazi, se Berati, në zhvillimin dhe ndretimin e tij, ndoqi një rrugë origjinale dhe është krijesë e mendjes dhe dorës së aftë të shumë brezave mjeshtrish anonim vendas, të cilët njihnin në thellësi artin e të kompozuarit, teknikën e ndertimit dhe materialet e vendit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re