Për të shmangur trafikun në rrugët kryesore përgjatë sezonit turistik, Ministria e Infrastrukturës do të përcaktojë oraret dhe akset se kur dhe ku do të do të qarkullojnë mjetet e rënda.
 
Gjithçka do te behet në bashkëpunim me shoqatën e transporteve dhe për këtë fakt ministri Damian Gjiknuri ka nisur konsultimet me grupet e interesit. Qëllimi është që nga data 15 qershor deri në 15 shtator, qarkullimi nga e premtja në të diele e automjeteve të rënda të bëhet në rrugët dytësore.
 
“Gjatë sezonit turistik, nisur edhe nga kushtet e disa segmenteve rrugore dhe për të krijuar lehtësi për pushuesit, sidomos në ato zona që kanë intensitet me turizmin, bazuar në legjislacionin në fuqi, sëbashku me Ministrin  e Brendshëm do nxjerrim një udhëzim ku do të disiplinojmë trafikun e mjeteve të rënda. Duke vendosur nga 15 Qershori në 15 Shtator kufizim të trafikut të mjeteve të rënda në periudhat e fundjavave. Duke nisur nga e premtja përfshirë ditën e diele trafiku i mjeteve të rënda do të ndalohet në disa segmente kryesore rrugore”, u shpreh Gjiknuri.
 
Për këtë fakt Ministria e Infrastrukturës pritet të nxjerrë edhe një udhëzim ku do të konkretizohen detajet e lëvizjes, si dhe akset se ku do të kryhet lëvizja. Udhëzimi do të zbatohet në terren nga policia e qarkullimit rrugor.
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re