UEFA ka marrë sot një vendim historik sa i përket zhvillimeve të ndeshjeve të kampionateve lokale, jashtë territoreve kombëtare. Ajo kishte marrë në shqyrtim idenë që ndeshja Milan-Komo e Serisë A të luhej në Përth të Australisë, si dhe Vijareal-Barcelona të zhvillohej në Majemi.
Diskutimet nisën në Komitetin Ekzekutiv që u mblodh në Tiranë, ndërsa pak javë nga ai takim, ka ardhur mbështetja që këto dy ndeshje të miratohen, por vetëm si përjashtim pasi UEFA ishte parimisht kundër zhvillimit të sfidave të tilla jashtë territoreve kombëtare.
“UEFA ka përsëritur sot kundërshtimin e saj të qartë ndaj ndeshjeve të kampionateve vendase që luhen jashtë vendit të tyre.
Pas takimit të Komitetit Ekzekutiv në Tiranë muajin e kaluar, UEFA ndërmori konsultime të mëtejshme me palët e interesuara për të vlerësuar shkallën e pasojave të çështjes, pas aplikimeve që mori nga Federatat e Futbollit të Spanjës dhe Italisë.
Ky konsultim konfirmoi mungesën e gjerë të mbështetjes që ishte ngritur tashmë nga tifozët, ligat e tjera, klubet, lojtarët dhe institucionet europiane rreth konceptit të zhvendosjes së ndeshjeve të kampionateve vendase jashtë vendit.
Megjithatë, duke pasur parasysh se kuadri rregullator përkatës i FIFA-s – aktualisht në shqyrtim – nuk është mjaftueshëm i qartë dhe i detajuar, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka marrë me ngurrim vendimin për të miratuar, në raste përjashtimore, dy kërkesat që i janë referuar. UEFA do të kontribuojë në mënyrë aktive në punën e vazhdueshme të udhëhequr nga FIFA për të siguruar që rregullat e ardhshme të mbështesin integritetin e garave vendase dhe lidhjen e ngushtë midis klubeve, mbështetësve të tyre dhe komuniteteve lokale”, shkruhej në njoftimin e UEFA-s.
“Ndërsa është për të ardhur keq që duhet të lejojmë që këto dy ndeshje të zhvillohen, ky vendim është i jashtëzakonshëm dhe nuk duhet të shihet si precedent. Angazhimi ynë është i qartë: të mbrojmë integritetin e ligave kombëtare dhe të sigurohemi që futbolli të mbetet i ankoruar në mjedisin e tij vendas”, theksoi Çeferin pas këtij vendimi.
