Hysen dhe Zylfije Ibra jetojnë në kushte të vështira financiare në
një dhomë në shtëpinë e djalit të tyre të vetëm i cili jeton jashtë
vendit. Edhe pse shtëpia e tyre dykatëshe është e rregulluar, djali dhe
nusja i kanë mbyllur dhomat e tjera duke iu lënë vetëm atë në të cilën
jetojnë aktualisht.

Prej 26 vitesh kur djali i tyre kishte shkuar jashtë shtetit, Zyfija
71-vjeçare dhe Hyseni 84-vjeç kishin mbetur pa përkujdesje, pasi djali i
tyre kishte hequr dorë nga ta. Duke qenë të paaftë për punë, që të dy
arrijnë të sigurojnë jetesën falë ndihmave që njerëzit iu dërgojnë kohë
pas kohe.

Çifti që jeton në rrugën “Vëllezërit Topalli” në Komunën e Pejës, tash e katër vite ushqehen në qendrën për të varfër.

Jetesa për të po bëhet shumë e vështirë, pasi që edhe pensionin të
cilin e marrin i gjithi po u shkon vetëm për barna pasi që të dytë janë
të sëmurë. Fajtore që djali i tyre i vetëm nuk po iu ndihmon, Zylfija
thotë se është nusja e cila sipas saj “kryet ta këput për pare”.

71-vjeçarja shprehet se përveç ndihmave që marrin nga njerëzit që
dëgjojnë për rastin e tyre nuk kanë ndonjë ndihmë tjetër, madje ajo
shton se as familjarët e tjerë nuk kanë dashur të dinë për ta.

Për kryefamiljarin Hysenin, i cili kishte punuar shumar, sigurimi i
jetesës është shumë vështirë. Ai thotë se pensionet që i marrin të
gjitha i shkojnë për barna.

Zylfija, të cilës pas sëmundjes së bashkëshortit i ka mbetur barra e
sigurimit të jetesës, thotë se nuk duan që dikush t’iu ndërtojnë shtëpi,
por vetëm t’iu ndihmojnë me gjëra ushqimore.

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, familjes Ibraj donatorë të
ndryshëm i kanë dërguar gjëra ushqimore. Zylfija thotë se nëse nuk do të
ishin këta donatorë nuk do të kishin ushqim për të ngrënë në drekën e
Bajramit.

Ajo qysh fëmijë kishte lënduar dorën e majtë dhe e ka pothuajse të
palëvizshme, e viteve të fundit ajo është sëmurë edhe nga boshti
kurrizor.

Hyseni që sot e feston ditëlindjen e tij të 84 thotë se kushdo që ka
mundësi t’iu ndihmojë me gjëra ushqimore do t’iu jenë përherë
falënderues, pasi thekson se djali i vetëm nuk dëshiron të dijë për ta.

Kushdo që dëshiron të ndihmojë Zylfijen dhe Hysenin ata jetojnë në
rrugën “Vëllezërit Topalli” në Komunën e Pejës, me numër shtëpe
25.(metro)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re