Nga Floriar Arapi

Kushdo që ka lindur dhe është rritur në Tiranë tashmë duhet të emigrojë në kujtimet e veta për ta kujtuar qytetin. Ndërsa brezat që do vijnë, do mund ta shohin vetëm nëpër libra apo muze. Kryebashkiaku i sotëm i Tiranës, e vuri vulën teksa me një ndërtim shumëkatësh, që e lejoi, fshehu përfundimisht simbolikën e kryeqyteatit, që është Xhamia “Et’hem Beu” dhe Kulla e Sahatit. Por djegia e më pas deklarimi për shpronësim i Sarajeve, në rrugën “Abdi Toptani”, ishte kryevula e asaj që ka ndodhur me babëzinë e prishjes jo vetëm të qytetit por të gjithë trashëgimisë kulturore, ç’ka mund të jetë edhe më e rëndë se sa fatura e metrave katrorë të ndërtimeve të pafundme.

Pse i shoh këto hapa si kundërshti të kulturës islame?

Dikush që jeton apo viziton Tiranën, i bën përshtypje pse ky qytet, nuk ka një pjesë historike të tij të paprekur dhe pse, ka shumë pak deri aspak, ndërtesa të vjetra? Dhe pse, edhe atje ku janë, këto ndërtesa janë lënë në gjendje të mjerueshme dhe të rrënuara, duke krijuar pamje të pakëndshme. Ka njerëz që këtë fakt e komentojnë duke thënë se nuk ka pasur ndërtesa dinjitoze dhe as arkitekturë të tillë dhe me këtë justifikojnë edhe prishjen e atyre pak ndërtesave të vjetra që kanë ngelur sepse janë të rrënuara dhe prishin imazhin e qytetit. E vërteta është që Tirana, sikurse edhe shumë qytete të tjera, kanë pasur historinë e tyre të admirueshme, të shprehur në ndërtime dhe arkitekturë, e cila nuk ka të krahasuar me ndërtimet apo arkitekturën kanibale të komunistëve dhe as me rrumpallahanen ndërtimore të kuçedrave postkomuniste të Berisha-Rama-Veliaj. Normalisht që çdo ndërtesë nëse nuk restaurohet dhe mirëmbahet, do të degradohet, madje, deri në atë pikë saqë mund të bjerë.

Por çfarë ka ndodhur realisht me arkitekturën e kryeqytetit?

Gjatë periudhës së mbretit Zog, përgjithësisht u tregua kujdes për trashëgiminë ndërtimore dhe ajo u ndërthur me arkitekturën italiane e cila gjithashtu ishte për t’u admiruar. Ndërtimi i qendrës u bë ngjitur me pazarin e vjetër të Tiranës në mënyrë që të lidheshin dy pjesët me njëra-tjetrën. Pas kësaj periudhe erdhën në pushtet komunistët. Ata e treguan menjëherë kanibalizmin e tyre me shembjen e xhamisë që themeloi qytetin e Tiranës, xhaminë e Sulejman Pashës. Më pas shkatërruan pa mëshirë Pazarin e Vjetër për të ndërtuar kultin e tyre, Pallatin e Kulturës. Pas kësaj pasuan me prishjen e me shume se 20 xhamive të vjetra në Tiranë, të cilat nuk u rindërtuan më kurrë, as me ardhjen e demokracisë. Më pas shkatërruan masivisht shtëpitë karakteristike të njëjta me sarajet në fjalë, për t’ua lënë vendin paçavureve pallate pesëkatëshe. Në periudhën postkomuniste, Berisha, në këmbim të mbështetjes ndaj tij, u hapi rrugë banorëve nga zonat rurale të vendit të pushtojnë gjithçka, prona private dhe hapësira publike, deri tek sheshi Skënderbej i cili u mbush me kioska. Pas kësaj erdhi Rama i cili hoqi kioskat, të cila ishin pa leje, për t’i zëvendësuar ato me pallate me leje të paligjshme, të cilat bllokuan hapësirat publike, e me radhë parqet, lulishtet, pa asnjë normë apo kriter te ruajtjes se distancave. Niveli arkitekturor i këtyre ndërtimeve që vazhdojnë të ndërtohen është skandaloz dhe parimi bazë është vetëm babëzia. Ndërtimet janë mundësisht në 100 % të sipërfaqjes dhe shoqërohen me ndërhyrje edhe në trotuar me kate të nëndheshëm, si edhe me shtimin e dy apo tre kateve përtej lejes së ndërtimit.

Përveç shkatërrimit pa mëshirë të qyteteve, kanibalët komunistë dhe pinjollët e tyre post-komunistë u kujdesen në mënyrë të veçantë të fshijnë identitetin musliman të gdhendur në muret e kryeqytetit dhe të qyteteve të tjera. Në kohën e komunizmit, pasi mbaruan me prishjen e xhamive, komunistët i quajtën prapambetje sarajet dhe vilat e shqiptarëve të periudhës osmane, të cilat preferoheshin të prisheshin të parat për të ndërtuar pallatet paçavure komuniste. Në kohën e tanishme ato janë gjithashtu të parat për t’u prishur, shpesh në bashkëpunim me pronarët e tyre, të cilët marrin sipërfaqje të mëdha ndërtimi, si pasojë e koeficentit të lartë e të dyshimtë të ndërtimit, ku në sipërfaqjen e dy shtëpive ndërtohet një pallatet me 42 shtëpi (apartamente). Fenomeni i prishjes së ndërtimeve karakteristike shqiptare të para 100 viteve e me tej dhe i zhdukjes se arkitekturës me origjinë islame, është një fenomen që vërehet në të gjithë Shqipërinë, por Tirana është ajo që është e prekur më së shumti. Në lidhje me ndërtimet e kësaj periudhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, në një moment naiviteti dhe çiltërsie e shprehu qartazi urrejtjen dhe përçmimin për trashëgiminë arkitekturore islame. “Ndërtimet osmane s’ka problem që prishen se këto janë të periudhës osmane”, tha Dako kur po debatohej për shkatërimin e rrënojave antike që ai po kryente gjatë periudhës që drejtonte zyrtarisht Durrësin. Po ai është vetëm një zë që krejt normalisht shpreh përçmimin dhe urrejtjen për trashëgiminë islame në Shqipëri. Por Dako nuk është i vetëm, ai bën pjesë në një elitë politike e cila jo vetëm që po i rrjep dhe varfëron shqiptarët, por edhe përpiqet të përcaktojë edhe se cilat do të jenë elementët e trashëgimisë sonë kulturore. Deri tani Rama, Dako, Veliaj e shumë drejtues të tjerë lokalë, në gjithë këto vite, kanë fshirë masivisht çfarë u ka dalë përpara prej këtyre ndërtesave historike.

Një vit më parë, “bojaxhiu” i Edi Ramës, Erjon Velia, dha një leje ndërtimi tek dy vilat apo sarajet, të periudhës osmane, monument kulture, në rrugën Tefta Tosho Koço, afër Pazarit të ri. Ato u shembën dhe tani vazhdon ndërtimi. Këto dy vila ishin të njohura dhe në një vend të dukshëm, tashmë ato pak që kanë ngelur tek-tuk në ndonjë rrugicë, është e tepërt të shpresosh që mund të shpëtojnë.

Mafia e ndërtimit, e themeluar nga Rama pas vitit 2000, është e tillë që mund të ndryshojë ligje, mund të thyejë rregullat e ndërtimit që të ndërtojë si t’u interesojë atyre, pa patur parasysh ligjin, distancat, hapësirat publike etj. Për të patur më të lehtë këto hapa Rama dhe Veliaj u kujdesën që t’i heqin këtyre ndërtesave statusin e monumenteve historike, siç ka ndodhur edhe me Sarajet disa kohë më parë.

Shqiptarët duhet të dinë se ai që shkatërron historinë dhe kulturën e një vendi, tregon mercenarizmin e tij dhe mungesën e atdhedashurisë. Historia jonë është e lidhur pandashmërit nga periudha osmane dhe arkitektura e tyre me motive islame. A do të thotë ky fakt një dëshirë për ta zhdukur? A nuk jemi po ne që krenohemi me Beratin dhe Gjirokastrën ? A nuk do të ishte po kaq e rëndësishme që ta ruanim edhe Tiranën me bukuritë dhe trashëgiminë e saj kulturore dhe historike? Po të shikoni në viset shqiptare, jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, sheh qytete që i kanë ruajtur shumë më mirë se sa ne trashëgiminë kulturore. Berati dhe Gjirokastra nuk janë qytetet e vetme të ndërtuara aq bukur. Njëlloj si to janë edhe Ulqini, Prizreni, Shkupi, Peja, Gjakova etj. Këto qytete, në secilin prej tyre kanë një zonë të paprekshme dhe ndërtesa monument kulture, të cilat nuk janë relative në varësi të personit që kërkon të ndertoje. Çdo qytet në botë ka një pjesë që thuhet “Stop, këtu nuk ndërtohet!” A kemi ne shqiptarët ndonjë pjesë të tillë dhe a do të kemi ndonjeherë?! Ku do përfundojë kjo babëzi! A mos do vazhdojë deri me prishjen e xhamisë së Et’hem Beut, për t’u ndërtuar ndonje kullë dhe kështu do të shpëtohet kryeqyteti nga shenjat islame?! Po Beratin dhe Gjirokastrën a do t’i shkatërrojmë edhe ato dhe të zhdukim një herë e mirë arkitekturën islame?!

Ruajtja e trashëgimisë kuturore dhe monumenteve të kulturës është interes i përbashkët. Të interesuar për ruajtjen e kësaj trashëgimie, janë qytetarët në tërësi dhe shteti i cili është njëherazi përgjegjës për ngritjen e një strategjie të mirë për ruajtjen, mirëmbajtjen, mbase edhe konpensimin për mbajtjen në këmbë të këtyre ndërtesave. Pronarët e pronave të tilla në qendrat e qyteteve nuk kanë shumë interes të qëndrojne me një shtëpi të vjetër, kur mund të marrin 10 apartamente të reja. Por në botë, shtetet ndërhyjnë që qytetarë të tillë, me shtëpi që janë historia e qyteteve, të investojë, me qëllim që edhe ata të kenë përfitimet e veta, përmes turizmit apo kompensimeve te ndryshme. Ndaj është koha që një politikë ruajtje e atyre që kanë mbetur të mbështetet sa më parë. Përndryshe, Tiranës nuk do t’i mbetet asnjë shenjë historike. Sidomos askush nuk do dijë themeluesit e vërtetë të këtij qyteti.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re