Prej disa orësh, policia ka rrethuar zonën dhe vijon kërkimet për të gjetur 45-vjecarin Josif Kalaja, i cili terrorizonte banorët me të shtëna armësh dhe u fsheh në pyll pasi mbërritën efektivët. Pavarësisht thirrjeve, ai zgjedh që të qëndrojë i fshehur, rast që sjell ndërmend historinë e famshme të ‘Rambo-s’.

Ndërkohë policia i ka kërkuar banorëve të fshatit Seltë që të mos dalin nga shtëpia pa mbaruar aksioni për kapjen e 45-vjeçarit. Burime për Fax News bëjnë me dije se kishte qenë jashtë vendit dhe prej disa kohësh, ishte kthyer në fshat.

Për dy javë me radhë, dilte në toka bujqësore dhe qëllonte në ajër duke bërtitur “do ju vras”.

Ndërkohë mësohet se ai nuk është i martuar dhe nuk ka fëmijë ndërsa pranë zonës ku ai jeton nuk ka banesa të tjera. Policia po përpiqet të bindë një të afërm të tij që të negociojë për ta bindur që të dorëzohet.

Kujtojmë se kjo ngjarje duket si një deja-vu e rastit të Lefter Zhidrut në Elbasan, ku pasi sulmoi me armë policinë dhe terrorizoi banorët e pallatit, u ekzekutua nga Forcat Speciale.

(A.M/Faxweb.al)



/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re