Ado Xhika, Maksim Koçi dhe Ervis Daka janë tre kriminelët që do të ekstradohen sot nga Dubai në Shqipëri.
Tre kriminelët që cilësohen si ‘ushtarët’ e të shumëkërkuarit të drejtësisë Talo Çela, u arrestuan një muaj më parë në Dubai.
Ervis Daka akuzohet se ka informuar shtetasit që kanë tentuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij.
Ai ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S. Po ashtu ka strehuar dhe ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar Talo Çela.
Maksim Koçi ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A. Ai ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S dhe ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar Talo Çela për t’u fshehur.
Ndërsa Ado Xhika akuzohet se për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin Talo Çela duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë. Po ashtu ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit Talo Cela.
Lexo edhe: EMRAT/ Të akuzuar për vrasje në kuadër të organizatave kriminale, ekstradohen sot nga Dubai tre “ushtarët” e Talo Çelës! Një prej tyre e ndihmoi t’i fshihej drejtësisë
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale:
A. Xh. alias A. C. alias E. C., i akuzuar nga GjKKO-ja, se në kuadër të organizatës kriminale, ka përkrahur një shtetas të shumëkërkuar;
E. D., i akuzuar nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar;
M. K., i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe sigurim të mjeteve për të kryer vrasje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, si dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar.
Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër.