Fatmir Muhaj nga fshati Tërbaç, Qarku i Vlorës, tregon për “Tak Fak”  se që prej vitit 2007 ka kaluar një kalvar të gjatë vuajtjesh në kërkim të drejtësisë për pronën e trashëguar nga familja.

Ai pretendon se është viktimë e një komploti të organizuar për t’i marrë tokën, duke bërë që të burgoset padrejtësisht.

“Tokat që ndodhen këtu janë tokat e gjyshit tim, të përfituara edhe me ligjin 7501 nga prindërit e mi.

Këtu kam lindur dhe jetuar,” rrëfen Fatmiri në një intervistë për gazetaren e “Tak Fak”, Rovena Cerka, duke treguar vendin ku dikur ndodheshin banesat e familjes së tij.

Në vitin 2008, komuna e Horë -Vranishtit bëri plan skicën e tokës dhe ia regjistroi pronën. Por vetëm pak vite më vonë, gjithçka mori një kthesë të papritur.

Në periudhën 2013–2014, ai mori vesh se ishte bërë ndaj tij një kallëzim penal për “pushtim toke” dhe “prishje ure”.

Megjithëse prokuroria e pushoi çështjen, presioni ndaj tij nuk u ndal.

Sipas Muhajt, struktura të Ministrisë së Brendshme dhe Policia e Shtetit u përfshinë në çështje, dhe ai u mbajt disa herë nën arrest për 24 orë.

“I bënin presion edhe nënës sime. Sa herë që shkoja në gjyq në Vlorë, gjyqtarja merrte raport dhe shtyhej seanca,” tregon ai.

Në kulmin e presionit, ai pohon se u kërcënua me jetë.

“Kryeplaku më tha se do të më vrisnin, kështu që u dorëzova. Vinin punonjës civilë që më thoshin se do të më vrisnin. Arrita në pikën që tentova vetëvrasjen, preva damarët. Kam ardhur në vete vetëm në spitalin e burgut në Tiranë.”, thotë Fatmiri për “Tak Fak”.

Muhaj akuzon gjyqtarët e Vlorës por edhe ata të Apelit të Juridiksionit të përgjithshëm se kanë bashkëpunuar kundër tij, për t’i marrë tokën.

Por cilët janë gjyqtarët dhe prokurorët që u bënë bashkë për të dënuar Fatmirin në këtë histori?

Cili është roli i Iliba Bezat dhe çfarë lidhje ka ajo me Belinda Ballu.

Fatmir Muhaj: Dënimni e dha gjyqtarja Mirela Mishgjoni dhe prokurori që është hequr nga Vettingu Saimir Smaka. I bënin seancat në mungesën time, unë shkoja atje, policia nxirrte njoftim nuk gjendet personi, bënin lojë, e tmerrshme. Dënohem me 6 muaj burg për pushtim toke. Shkoj në Gjykatën e Apelit. Më thonë nuk plotësohet kuorumi. Gjyqtarja Iliba Bezati bashkë me Petrit Alia thotë nuk plotësohet as sot se gjyqtari tjetër është në një seancë. Pas tre ditësh më thotë vëllai gjyqi ka përfunduar dhe ty të kanë dënuar, aty kam kaluar në depresion. Vendimin e dhanë gjyqtarët Skënder Damini, Petrit Alia dhe një monstër Iliba Bezati, më kanë marrë jetën, janë organizatë kriminale.

***

Ai përmend të përfshirë në këtë histori edhe emrin e ish-kryetarit të bashkisë Himarë Jorgo Goro i cili ka hartuar një kontratë fiktive për dhënien me qira të pronës ndaj Amanti Kapos, djalit të ish-kryetarit të Komunës Horë Vranisht.

Sipas Muhajt, nga 5 mijë metra katrorë, sipas dokumenteve, janë falsifikuar të dhënat për të kaluar në 45 mijë m², duke e regjistruar tokën në hipotekë si pronë të komunës.

“Deri në vitin 2016 unë kam paguar taksën për këtë tokë. Sot më thonë mos e kalo fare, sepse ua kanë dhënë atyre, shprehet i indinjuar Fatmir Muhaj.

Muhaj thotë për “Tak Fak” se e gjithë kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me pronën, por me një plan më të madh kriminal.

“E kam deklaruar publikisht se në ish-godinat e rezervave të shtetit në Tërbac planifikohet ndërtimi i laboratorit më të madh të drogës në Shqipëri,” deklaron ai, duke e konsideruar këtë si motivin e vërtetë të përplasjes me institucionet.

Së fundmi, Fatmir Muhaj tregon se ka kërkuar dosjen e çështjes së tij nga Vlora në Tiranë dhe ka zbuluar se në dosje mungojnë provat që ai ka dorëzuar ndër vite.

“Kanë zhdukur të gjitha provat që rrëzonin akuzat dhe vërtetonin pafajësinë time. Edhe kallëzimet që kam bërë janë hequr,” shprehet ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko