Shqipëria po negocion me Bashkimin Evropian për të lëvruar një grant prej më shumë se 11 milionë eurosh për të ndihmuar programin e vaksinimit anti-Covid.

Lajmin e bëri me dije ambasadori i BE-së Luigi Soreca gjatë dorëzimit të pajisjes së skanerit të avancuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pajisje e mundësuar falë mbështetjes së BE-së.

“Së bashku [me qeverinë shqiptare] po negociojmë një marrëveshje, për një grant prej më shumë se 11 milion euro për vaksinat. Për pajisjet për të shpërndarë vaksinat, por gjithashtu dhe blerjen e vaksinave. Shpresoj që ta nënshkruajmë këtë marrëveshje në ditët në vijim,” – u shpreh ambasadori Soreca.

Granti parashikohet të ndihmojë për infrastrukturën ruajtëse dhe shpërndarëse të vaksinave sikurse edhe për sigurimin e sasive të tjera shtesë.

Gjatë ceremonisë së organizuar në mjediset e QSUT-së ishte e pranishme edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila vlerësoi mbështetjen e BE-së gjatë periudhës së pandemisë.

“Sfida e rradhës e të gjithëve ne është vaksina. Dhe unë jam shpresëplotë që marrëveshja me BE-në do të finalizohet shumë shpejt. Për të vijuar për të siguruar vaksinimin edhe në vazhdim, paralel me çfarë qeveria shqiptare është duke bërë,” – tha Manastirliu.

Ministrja tha se javën e ardhshme pritet të vijnë edhe rreth 9 mijë doza të tjera vaksinash nga kontrata e nënshkruar me kompaninë Pfizer.

Shqipëria ka parapaguar nismën ndërkombëtare COVAX për të siguruar mjaftueshëm vaksina sa për vaksinimin e 800 mijë personave.

“[…] po vijojmë të negociojmë për të pasur kontrata të tjera. Vaksinimi është sfidë, është një proces, është një qëllim në vetvete për të përshkruar me shpejtësi kilometrin e fundit drejt fillimit të fundit të pandemisë”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë,” – shtoi më tej Manastirliu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re